×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Drejtori i OBSH-së thotë se pandemia është shumë larg fundit

    Reporteri
    29 Tetor 2021 | 17:05

    Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se pandemia e koronavirusit është “shumë larg fundit” pasi rastet e infektimit dhe vdekjeve janë në rritje. Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus foli në Gjenevë gjatë raportimit të organizatës për COVID-19.

    Zoti Tedros tha se e vetmja mënyrë për të mposhtur virusin është bashkëpunimi global.

    “Numri global i rasteve të raportuara dhe vdekjeve nga COVID-19 po rritet për herë të parë në dy muaj, i nxitur nga një rritje e vazhdueshme në Evropë. Është një kujtesë tjetër se pandemia e COVID-19 është larg fundit. Një nga arsyet kryesore që pandemia po vazhdon është qasja e pabarabartë në mekanizmat për ta luftuar,” tha ai, duke kërkuar një shpërndarje më të drejtë të vaksinave.

    Vendet me të ardhura të ulëta përbëjnë 9 për qind të popullsisë së botës, por vetëm 0,5 për qind e vaksinave të administruara në botë janë bërë në këto vende, sipas OBSH-së.

    Ekspertja kryesore e OBSH-së, Soumya Swaminathan tha se shpresonte që udhëheqësit e vendeve të G-20, që po takohen në Romë këtë fundjavë, t’i jepnin përparësi furnizimeve me vaksina për vendet që kanë më shumë nevojë për to.

    “Sot, numri i dozave përforcuese që po administrohen në mbarë botën, afro një milion injektime në ditë, është trefishi i sasisë së vaksinave që administrohen në vendet me të ardhura të ulëta, që është rreth 330,000 doza në ditë”, tha ajo.

    OBSH-ja kishte bërë thirrje për një moratorium për dozat përforcuese deri në fund të vitit, në mënyrë që ato doza t’u jepeshin atyre vendeve që kanë një nivel vaksinimi nën 4-5 përqind./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!