Mjeku kardiolog, Florim Cuculi, ka thënë se faktori kryesor që i mbyt shqiptarët nga infarkti është duhani.
Mjeku që drejton klinikën e kardiologjisë në spitalin e Luzernit, tha se edhe në Zvicër i ka pacientët e rinj për nga mosha që kryesisht janë nga Ballkani.
“Edhe në Zvicër pacientët më të rinj për nga mosha që i kam janë nga Ballkani, natyrisht që ekzistojnë shumë faktorë. Por faktori kryesor i cili i mbyt shqiptarët nga infarkti është duhani. Kjo është diçka që ne nuk e luftojmë sa duhet. Kjo nuk luftohet me masa represive, po neve na duhen shumë më shumë investime në prevencion që mos të fillojnë edhe fëmijët e shkollës të pinë duhan”.
“Faktori kryesor është duhani, i shoqëruar me faktorë të tjerë që i ndihmojnë duhanit ta përkeqësojë situatën. Vijmë te pjesa gjenetike, unë shoh sëmundje në një moshe shumë të re, pa u ndikuar nga ndonjë faktor si është duhani. Kur e ke pjesën gjenetike mos ja ndihmo me duhan, ose me mbipeshë. Këtu duhet të punojmë, gjenetikën nuk mund ta ndryshojmë”, u shpreh kardiologu në T7.
Cuculi ka treguar edhe historinë e tij. Ai ka treguar se ka lindur në Kërçovë dhe në moshën 14-vjeçare ka lëvizur në Zvicër.
Bëhet fjalë për vitin 1991, ku thotë se babai i tij punonte atje dhe i mori si bashkim familjar.
“Unë kam lindur në Kërçovë, dhe në vitin 1991 si 14-vjeçar kam lëvizur në Zvicër përmes bashkimit familjar. Babai im ka punuar atje. Por jo si refugjatë, kemi qenë bashkim tradicional familjar”, ka thënë Cuculi.
Tutje, ka deklaruar se nëna e tij ka qenë ithtarja më e madhe e shkollimit të tij.
“Kisha thënë 70 për qind më ka orientuar nëna. Babai im ka qenë në shkollë 8-vjeçare ndërkaq nëna ime nuk ka qenë kurrë në shkollë. Nëna ka qenë ithtarja më e madhe e shkollimit tim, edhe babai ka qenë përkrahës i karrierës sime”, ka deklaruar ai.