×
  • Mjekësi
  • Mjekësi

    Njerëzit që kanë kaluar Covid-19 mund të mos kenë mbrojtje ndaj Omicronit

    Reporteri
    03 Dhjetor 2021 | 23:44

    Shkencëtarët nga Afrika e Jugut po paralajmërojnë se ri-infeksionet mes njerëzve që tashmë kanë kaluar COVID-19 duket se kanë më shumë gjasa të jenë me variantin e ri Omicron sesa me mutacionet e mëparshme të koronavirusit.

    Një grup kërkimor që ka gjurmuar ri-infeksionet në Afrikën e Jugut, ka raportuar një rritje të tyre me ardhjen e Omicronit që ata nuk e kishin parë kur dy variantet e mëparshme, përfshi variantin tepër ngjitës Delta, mbizotëruan vendin.

    Gjetjet, të postuara në internet të enjten, janë paraprake dhe nuk i janë nënshtruar ende një shqyrtimi shkencor. Studiuesit nuk thanë gjithashtu se çfarë përqindje e ri-infeksioneve u konfirmuan si raste me Omicron – ose nëse ato shkaktuan sëmundje serioze.

    Por koha e rritjes së ri-infeksioneve sugjeron se Omicroni “demonstron prova të konsiderueshme për shmangien e imunitetit të krijuar nga infeksioni i mëparshëm”, shkruajnë shkencëtarët.

    “Infeksioni i mëparshëm mbronte kundër variantit Delta dhe tani me Omicron nuk duket se ndodh e njëjta gjë,” tha hulumtuesja Anne von Gottberg nga Universiteti i Witwatersrand, në një konferencë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të enjten.

    Studimi gjithashtu nuk shqyrtoi mbrojtjen e ofruar nga vaksinimi. Vaksinat nxisin shtresa të ndryshme të përgjigjes imunitare, disa për të shmangur infeksionin dhe të tjera për të parandaluar sëmundje të rënda nëse dikush infektohet.

    “Ne besojmë se vaksinat megjithatë do të mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda”, tha von Gottberg.

    Varianti më i ri u zbulua pak më shumë se një javë më parë nga shkencëtarët në Afrikën e Jugut dhe Botsvana, dhe tani është gjetur në shumë vende. Mbeten shumë të panjohura në lidhje me variantin e ri, përfshi nëse është më ngjitës, siç dyshojnë disa autoritete shëndetësore, nëse ai i sëmur njerëzit më rëndë dhe nëse mund të mos ndikohet nga vaksina.

    Por është e rëndësishme të mësohet se sa mbrojtje ofrohet nga infeksionet e mëparshme, veçanërisht në ato pjesë të botës ku pjesa më e madhe e popullsisë mbetet për t’u vaksinuar.

    Studimi sugjeron se “Omicron do të jetë në gjendje të kapërcejë imunitetin natyror dhe ndoshta atë të krijuar nga vaksina në një shkallë të konsiderueshme”, tha Paul Hunter, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore, në një përgjigje me shkrim ndaj gjetjeve të studimit./voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!