Krahu evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë u bëri thirrje qeverive që mos t’i mbyllin shkollat, edhe pse numri i rasteve me koronavirus është rritur në shumë vende.
OBSH-ja tha se, me afrimin e dimrit, më shumë se gjysma e 53 vendeve të rajonit evropian të saj kanë raportuar rritje të dukshme të shkallës së infeksionit te të gjitha grup-moshat.
“Nëse ndërmerren kufizime për të zvogëluar ose kontrolluar transmetimin, shkollat duhet të jenë vendet e fundit që mbyllin dyert dhe të parat që do t’i rihapin, me masa të duhura parandaluese të infeksionit”, tha përmes një deklarate OBSH-ja.
“Ndërprerja e shkollimit të fëmijëve duhet të jetë zgjidhja e fundit”, tha ajo. OBSH-ja, në vend të mbylljes së institucioneve arsimore, rekomandoi një qasje më të gjerë për reduktimin e transmetimit të koronavirusit.
“Kjo përfshin mjediset e shkollimit, ku distanca fizike, pastrimi i shpeshtë i duarve, mbajtja e maskave, sigurimi i ventilimit adekuat në klasa dhe rritja e numrit të testimeve janë të rëndësishme”, thuhet në deklaratë.
Vitin e kaluar, mbyllja e shkollave ka ndërprerë shkollimin e miliona fëmijëve dhe të rinjve dhe ka bërë më shumë dëm sesa dobi, tha Hans Kluge, drejtor i Zyrës për Evropën në OBSH. “Ne nuk mund t’i përsërisim të njëjtat gabime”, tha Kluge./REL
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.