Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin. 1 në 3 adoleshentë nuk po e përdor më prezervativin.
“Kjo situatë i ekspozon të rinjtë ndaj një rreziku të konsiderueshëm të kontraktimit të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (STD) dhe shtatzënive të paplanifikuara”, shkruan OBSH Europe.
Të dhënat janë mbledhur nga më shumë se 242,000 15-vjeçarë, në 42 vende të Evropës.
Përqindja e djemve që raportuan përdorimin e prezervativit në marrëdhëniet e tyre të fundit seksuale ishte 61% në vitin 2022, nga 70% në vitin 2014.
Përqindja e vajzave që thanë se përdorën prezervativ herën e fundit, ra në 57% nga 63% për të njëjtën periudhë. Gati një e treta e adoleshentëve (30%) thanë se nuk përdorën as prezervativ dhe as pilulë kontraceptive gjatë marrëdhënieve seksuale, një normë që mbetet pothuajse konstante prej vitit 2018.
Një diferencë vihet re edhe mes adoleshentëve që vijnë nga familjet e pasura dhe atyre nga familjet e varfra.
33% e adoleshentëve nga familjet më të varfra thanë se nuk përdornin as prezervativ apo pilula kontraceptive, krahasuar me 25% të adoleshentëve nga familjet më të pasura.
Për OBSH-në, përveç rritjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënive të paplanifikuara, edukimi i pamjaftueshëm seksual shkakton një rritje të kostos së shërbimeve shëndetësore dhe dëmton në përgjithësi perspektivat e të rinjve si për arsimim edhe për punësim.