×
  • Mjekësi
  • Mjekësi / Pertussis

    Rritje e lehtë e “kollës së mirë” në Kosovë, zakonisht prek fëmijët dhe të rinjtë

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 12:31

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë mbikëqyrjes permanente të situatës epidemiologjike në vend ka konstatuar një rrritje të lehtë të rasteve të Kollës së mirë (Pertussis), krahasuar me vitet e fundit, përcjell Reporteri.net.

    Gjatë vitit 2024, IKSHPK ka regjistruar 8 raste të konfirmuara me laborator të Pertusisit, kryesisht te moshat e reja.

    Pertusis që ndryshe njihet edhe si Kolla e mirë, është një sëmundje ngjitëse bakteriale që përfshin traktin e frymëmarrjes. Shkaktohet nga bakteria Bordetella pertussis që gjendet në gojën, hundën dhe fytin e personit të infektuar.

    IKSHPK-ja thotë se kjo sëmundje ngjitëse mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh i prek fëmijët dhe adoleshentët. Më të rrezikuar janë fëmijët nën moshën 1 vjeçare.

    Sëmundja përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave/spërklave nga kollitja ose teshtitja e personit të infektuar.

    Simptomat zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit, por mund të shfaqen edhe deri në 21 ditë më vonë. Fillimisht, simptomat ngjajnë me ato të një ftohjeje të zakonshme, duke përfshirë teshtitjen, rrjedhjen e hundës, temperaturë të ulët dhe një kollë të lehtë.

    Komplikimet më të shpeshta janë pneumonia dytësore bakteriale, komplikimet neurologjike, infeksioni i veshit të mesëm, dehidrimi, konvulsionet, etj.

    Kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për foshnjat, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi përmes vaksinimit të fëmijëve.

    Në Kosovë vaksinimi kundër Pertusisit bëhet sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, ku vaksina kundër Pertusisit jepet në moshën 2, 4 dhe 6 muajshe, ndërsa ri-vaksinimi në moshën 18 muajshe.

    Terapia me antibiotikë është trajtimi i zgjedhur për pertusis, sidomos në javën e parë dhe të dytë nga fillimi i simptomave.

    Ndryshe nga sëmundjet e tjera si variçela, fruthi, etj., Pertusisi mund të shfaqet tek i njëjti person më shumë se një herë gjatë jetës, sepse antitrupat që krijohen pas infeksionit ose imunizimit bien me kalimin e kohës.

    “Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë raportuar për rritje të numrit të rasteve të Pertusisit në shumë vende të rajonit evropian gjatë pjesës së dytë të vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024. Raste të Pertusisit janë regjistruar gjatë kësaj periudhe edhe në vendet e rajonit”, thuhet tutje.

    IKSHPK u bën thirrje prindërve që t’i përmbahen Kalendarit të rregullt të vaksinimit dhe t’i vaksinojnë fëmijët, sipas orareve të përcaktuara në kalendar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!