Ekspertët mjekësorë po ngrenë alarmin pasi presidenti amerikan, Donald Trump i paralajmëroi gratë shtatzëna të shmangin marrjen e Tylenol, duke e lidhur pa bazë qetësuesin e dhimbjeve – i njohur edhe si paracetamol – me një rritje të autizmit tek fëmijët.
Nga Shoqata për Mjekësinë Maternale-Fetale (SMFM) deri te Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG), mjekët kanë miratuar përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë pasi Trump tha se gratë shtatzëna që nuk mund të “durojnë” pa qetësuesin e dhimbjeve duhet të kufizojnë marrjen e tyre.
“Sugjerimet se përdorimi i acetaminofenit në shtatzëni shkakton autizëm nuk janë vetëm shumë shqetësuese për mjekët, por edhe të papërgjegjshme kur merret parasysh mesazhi i dëmshëm dhe konfuz që u dërgojnë pacienteve shtatzëna, përfshirë ato që mund të kenë nevojë të mbështeten në këtë ilaç të dobishëm gjatë shtatzënisë”, thuhet në një deklaratë nga Steven Fleischman, presidenti i ACOG, raporton The Guardian.
Së bashku me Trump, sekretari i shëndetësisë Robert F Kennedy Jr tha se departamenti i shëndetësisë po i inkurajonte mjekët të ushtronin “gjykimin e tyre më të mirë” duke përshkruar dozën më të ulët efektive për kohëzgjatjen më të shkurtër të nevojshme.
Pretendimet nga Trump dhe sekretari i tij i shëndetësisë u dënuan gjerësisht edhe nga ekspertë mjekësorë dhe rregullatorë në të gjithë botën, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Rregullatori britanik i shëndetësisë MHRA tha të hënën se nuk ka ende prova që lidhin përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë me autizmin dhe se vazhdon ta rekomandojë atë për lehtësimin e dhimbjeve. Ky qëndrim u mbështet edhe nga Administrata Australiane e Mallrave Terapeutike (TGA), e cila rikonfirmoi të martën se ilaçi është i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë.
Tylenol postoi në Instagram një video në lidhje me “informacionin kontradiktor” në mbulimin e fundit mediatik.
“Ajo që mund t’ju themi është: të dhënat shkencore të besueshme dhe të pavarura vazhdojnë të mos tregojnë asnjë lidhje të provuar midis marrjes së acetaminofenit dhe autizmit. Organizatat mjekësore dhe publike bien dakord”, thuhet në video.