×
  • Raporto
  • Mjekësi

    Ushqimet më të mira për jetëgjatësi

    Reporteri
    09 Tetor 2025 | 12:01

    Shumë njerëz kërkojnë një “formulë magjike” për jetë të gjatë, por sipas ekspertëve, sekreti fshihet te ushqimi dhe aktiviteti fizik.

    “Nëse doni të jetoni më gjatë, përmirësoni ushqimin tuaj dhe filloni të lëvizni më shumë”, ka thënë doktoresha Linda Shiue, interniste dhe drejtoreshë në Kaiser Permanente, San Francisko, ka shkruar HuffPost.

    Sipas saj, nuk ka nevojë të jeni perfektë, por është e rëndësishme të hani “ushqime në gjendjen e tyre natyrale, si drithëra integrale, perime, fruta, peshk, vezë dhe arra”, duke i zëvendësuar me ushqimet e përpunuara, si buka e bardhë dhe produktet me shumë sheqer.

    Ekspertët tregojnë disa nga ushqimet që duhet t’i fusim në shportën tonë të përditshme:Perimet

    Brokoli, lakra jeshile (kale), lakra brukseli dhe lakra e bardhë janë “superfuqi” për jetëgjatësi.

    “Këto perime janë të pasura me fitonutrientë kundër inflamacionit, kancerit dhe plakjes. Janë gjithashtu burim i rëndësishëm i magnezit dhe folatit, një vitaminë B që ndihmon në rregullimin e gjeneve të jetëgjatësisë”, ka thënë doktori Mark Hyman, drejtor ne UltraWellness Center në Massachusetts
    Ai sugjeron që rreth tri të katërtat e pjatës të mbushen me këto perime.

    Peshqit e yndyrshëm

    Salmoni, sardelet, skumbria dhe harenga ofrojnë proteina cilësore dhe acide yndyrore omega-3.
    “Të hash salmon dy herë në javë ul rrezikun e sulmit në zemër, aritmive, presionit të lartë të gjakut dhe goditjes në tru”, shpjegon Hyman.

    Drithërat integrale

    Një studim i Harvard School of Public Health tregoi se ato ulin kolesterolin e keq (LDL), trigliceridet dhe tensionin e gjakut. Po ashtu, ulin rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet tip 2 dhe disa lloje kanceri.

    Vaji ekstra i virgjër i ullirit

    “Vetëm gjysmë luge çaji vaj ulliri ekstra i virgjër në ditë ul ndjeshëm rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, neurodegjenerative, respiratore dhe kanceri”, ka thënë Hyman.

    Frutat e malit

    Me indeks të ulët glikemik, ato nuk shkaktojnë rritje të menjëhershme të sheqerit në gjak dhe ndihmojnë në parandalimin e diabetit.

    “Janë të pasura me antioksidantë që riparojnë qelizat, përfshirë ato të zemrës”, ka theksuar Shiue.

    Ushqimet e fermentuara

    Turshitë, si lakra dhe të tjera përmbajnë baktere të dobishme për zorrët.

    “Shëndeti i mirë i zorrëve është thelbësor për imunitetin, uljen e inflamacionit dhe jetëgjatësinë”, thotë Hyman, duke sugjeruar të fillohet me një porcion në ditë.

    Arrat dhe farat

    Bajamet, arrat braziliane, farat e lulediellit dhe të kungullit ndihmojnë në uljen e dhjamit të brendshëm dhe përmirësojnë ndjeshmërinë ndaj insulinës.

    “Arrat janë ndër të preferuarat e mia, sepse përmbajnë omega-3 me bazë bimore, po aq të dobishme sa ato të peshkut”, ka shpjeguar doktoresha Florence Comite, themeluese e Comite Center for Precision Medicine and Healthy Longevity në New York.

    Kosi natyral

    Pa sheqer të shtuar, i pasur me proteina, kalcium dhe magnez.

    “Kosi grek është më i pasur me GABA, një neurotransmetues që relakson trupin, ul stresin dhe përmirëson gjumin”, ka shtuar Comite.

    Çokollata e zezë

    “Ka më shumë antioksidantë se edhe boronicat, një tjetër super-ushqim për jetëgjatësi”, ka thënë Comite. Studimet tregojnë se ndihmon trurin, kujtesën dhe gjendjen shpirtërore. Rekomandohet çokollatë me të paktën 75 për qind kakao.

    Legumet

    Thjerrëzat, qiqrat, bizelet dhe kikirikët janë burim i mirë proteinash dhe fibrash.

    “Stabilizojnë sheqerin në gjak, ulin nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak dhe ulin rrezikun për kancerin e zorrës së trashë”, ka shpjeguar Shiue.

    Domatet

    Të pasura me likopen dhe vitaminë C, ato ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe forcojnë imunitetin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!