×
Opinione

A kanë fëmijët tanë prindër?

Reporteri
03 Prill 2019 | 16:44

Shkruan: Shemsi Jashari


Loja më fëmijët tanë po merr përmasa shqetësuese. Përderisa deri vonë politika i shfrytëzonte fëmijët nëpër fushata duke i përfshirë në aktivitete politike apo duke i përqafuar për të marrë ndonjë fotografi gjatë fushatave, tani kemi një rast unik në botë ku vetë “mësuesit” apo më mirë thënë pensionieret e arsimit të fshehur pas një organizimi sindikal të quajtur SBASHK, kanë degraduar deri në atë shkallë sa fëmijët i shohin si mall për biznes e shantazh në raport me qeverinë e vendit.


Me çfarë logjike të shëndoshë (që drejtuesit e SBASHK-ut nuk e kanë) përdorën fëmijët për kusuritje e pazare, për shantazh ndaj qeverisë? Çka po iu duket vehtja Sindikatës së degraduar të Arsimit-SBASHK? A mendojnë se këta fëmijë që sot po i keqpërdorin deri në këtë nivel, nesër do të ua kthejnë dyfishin e kësaj, juve si mësues e neve si prindër që nuk jemi kërkah!!!

Ndoshta me mirë të shtrohet pyetja. A kanë fëmijët tanë prindër? Sepse, logjikisht sikur të kishin prindër nuk do të lejonin që, një grup matrapazësh të luanin me fëmijët deri në këtë nivel, do të reagonin ndaj dy bandave që janë duke qeruar hesapet mes vete e duke i përdorur fëmijët si mish për top.

Derisa krejt kjo pafytyrësi nga dy palët zhvillohet, prindërit janë në gjumë dhe presin që nga qielli të vij zgjidhja (e kanë lanë në dorë të zotit këtë punë). A ka këshill të prindërve në nivel vendi dhe ku janë që spo ndihen të gjallë, në krejt këtë situatë. Për aq sa di unë “Këshilli i Prindërve të Kosovës” duhet të zgjidhet përmes një procesi të hapur zgjedhor, e jo të emërohet person politik për të përfaqësuar prindërit e që manipulohet nga politika për qëllime politike.

Qe disa vite jam në këshill të prindërve në njërën nga shkollat e Prishtinës, asnjëherë askush nuk ka njoftuar se ka një proces zgjedhor për këshillin e prindërve ne nivel vendi. Kjo detyrimisht tregon se aty dikush e ka deleguar dikë sa për sy e faqe dhe tani nuk i ndihet zëri.

E kuptoj që të gjithë e mbështesin dikë politikisht por, a janë të vetëdijshëm që bëhet fjalë për fëmijët tanë. Si mundë të kalkulosh politikisht duke përdorur fëmijën tënd? Prej kur u bë shefi i partisë më i afërt për ty, se fëmija yt që nesër do të kujdesët për ty?!

Marre, ne si meritojmë këta fëmijë. Edhe nëse fëmijët na e falin, Zoti nuk na e falë. Na ndihmo zot!

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!