×
Opinione

Analizë | Zhdukja e Albin Kurtit

Reporteri
27 Mars 2019 | 15:59

Analizë Editoriale: Reporteri.net 


Ka diçka të vërtetë në atë që tha javë më parë një ish-aktivist e deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes.


Frashër Krasniqi, që tash është pjesë e Partisë SocialDemokrate tha se Vetëvendosjes ‘i ka ikur zemra’. Këtë reagim ai e bëri kur në partinë e Albin Kurtit aderoi një mjek i akuzuar në skandalin e stentave në QKUK.

Në fakt, që disa muaj, lideri i VV-së, Albin Kurti është ‘zhdukur’ nga debati politik e publik. Derisa një vit më parë ai ishte njeriu kryesor i opozitës dhe i kauzave të ndryshme, sot ai ka përfunduar në një analist dhe historian të Facebook-ut.

Të gjitha kauzat e tij opozitare tash i ka tjetërkush.

Nëse Albin Kurti i printe kundërshtimit të procesit të dialogut dhe idesë së shkëmbimit të territoreve, sot këtë kundërshtim e kryeson Ramush Haradinaj që është kryeministër.

Nëse dikur ai e udhëhiqte kauzën kundër produkteve serbe e reciprocitetit politik e ekonomik me Serbinë, tash këtë kauzë e ka Qeveria e Kosovës.

Nëse dikur kauzën kundër korrupsionit e nepotizmit në Qeveri e ka udhëhequr Kurti, sot atë kauzë përpiqet ta udhëheqë Lidhja Demokratike e Kosovës, një parti që ka qenë në pushtet dhe e ka përdorur edhe atë për punësime e favorizime.

Në institucionet e vendit po ndodhin punësime enorme të familjarëve të njerëzve të pushtetit, Albin Kurti e VV nuk janë askund.

Dikur VV-ja ka qenë forca politike që ka diktuar shumë punën në Kuvendin e Kosovës, por sot nuk e bën atë. Është LDK-ja dhe PSD-ja që tash e përcaktojnë fatin e qeverisjes dhe të shumë nismave ligjore.

E kështu më radhë shumë e shumë kauza që Albin Kurti më nuk i ka në duar. Ai nuk duket më as në debate publike e mediatike. Dhe jo vetëm ai, por edhe njerëzit që i kanë mbetur në parti, nuk paraqesin më potencial për të krijuar opinion publik.

Që një kohë të gjatë, Albin Kurti të gjithën çka e bën janë shkrimet në faqen e tij në Facebook. Dhe të tillat kryesisht i ka për personazhe e ngjarje politike. Foli për Fan Nolin, për ish kryeministrin serb Zoran Gjinqiq, për poetin boshnjak Izet Sarajliq, për vitet 89’ në Kosovë, për protestat e vitit 81’.

Duket se e gjithë kjo anemi e Vetëvendosjes dhe vetë Albinit, burimin kryesor e ka të ikja e 12 deputetëve dhe shumë aktivistëve tjerë, që dikur kanë bartur edhe stafetën e prezantimit të politikave të kësaj partie. Ata tash kanë formuar një parti të re që po përpiqet të shtyjë disa politika të veta sociale.

Këtë po e bën duke ia dhënë votën qeverisë, nga pozicioni opozitar, për ligje të ndryshme, por duke kërkuar edhe favore politike për komunat që i drejton dhe për çështje të ndryshme.

Kur Glauk Konjufca iu përgjigj Frashërit në deklaratën e tij, ai tha: “Vetëvendosjes kurrë nuk i ka ik zemra, veç është bërë operacion prej zorrës qorre, VV i rreh zemra dhe për atë zemër kanë votuar mijëra qytetarë”.

Megjithatë, rikuperimi nga operacioni i zorrës qorre duket se po zgjatë shumë në Vetëvendosje.

(Ky është qëndrim redaksional i Reporteri.net)

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!