×
Opinione

Arsyet pse Nisma s’duhet ta ketë anëtarin në KQZ para AAK-së

Reporteri
28 Mars 2019 | 15:02

Editorial i Reporteri.net 


KQZ-ja mbeti pa dy anëtarë të saj krejt për faj të një grykësie të paarsyeshme të partisë së Fatmir Limajt, e cila nuk po ngopet me mjaft benefite që gëzoi nga kjo Qeveri.


Janë dhjetëra arsye pse e tregojnë Nismën Socialdemokrate si fituesen më të madhe të këtij koalicioni, nëse matës do të ishin pozitat por edhe vendet e punës për militantët partiakë.

Por, meqë po diskutohet për një pozitë që është e lartë dhe lidhet direkt me Komisionin që administron zgjedhjet, vlen të përmenden vetëm tri gjëra të nivelit të lartë të përfitimit, për të kuptuar se NISMA duhet të heqë dorë nga grykësia rreth KQZ-së.

Si pikë e parë, partia e Haradinajt u tregua zemërgjerë me Nisman Socialdemokrate kur e mori në Qeveri. AAK-ja pranoi  të merrte më pak ministri sesa Nisma, duke shënuar një rast të pandodhur më parë ku partia që ka kryeministrinë ka më së paku ministri. Pra, Nisma ka 3 ministri ndërsa AAK vetëm 2 të tillë.

Së dyti, Nisma u shpërblye me disa pozita të cilat as që u diskutuan aq shumë dhe iu dhanë Fatmir Limajt. I pari i Nismas tani udhëheqë me Delegacionin Shtetëror për dialogun me Serbi, pozitë kjo që iu besua ani pse është parti e tretë në koalicion.

Po ashtu, i njëjti njeri, pra Fatmir Limaj, u zgjodh koordinator nacional, pozitë kjo që ka në përgjegjësi aktivitetet rreth implementimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri. Madje, Limaj me këtë pozitë gëzoi përgjegjësinë për t’u marrë me të gjitha aktivitetet që lidhen në mes të dyja vendeve shqiptare.

Por, mbi të gjitha, Nisma duhet të heqë dorë për një arsye tjetër, e cila lidhet tërësisht me votuesin, dhe i cili duhet të ishte determinuesi kryesor për marrjen e këtyrë pozitave. Pra, Nisma është parti e tretë në koalicion dhe parti e pestë në zgjedhje.

Dhe, kur dihet se AAK u radhit e katërta në zgjedhje dhe është parti e dytë në koalicion, dhe kur shtohet se ajo ishte lojale ndaj kërkesave të mëhershme për pozita të Nismës, mund të thuhet se pozita e anëtarit në KQZ i takon AAK-së, e jo partisë së Limajt.

(Ky tekst është qëndrim redaksional i Reporteri.net).

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!