×
Opinione

Demaskimi i Deepfake Phishing-ut: Mbrojeni veten nga taktikat e reja të bazuara në IA

Autor:Dren Gërguri
06 Maj 2024 | 10:01

Phishing-u nuk është fenomen i ri, është përdorë për dekada të tëra, për të hakuar ose për të depërtuar apo për t’u infiltruar. Sot, të gjithë po përpiqen të shkojnë në hap me evolucionin teknologjik. Edhe Phishers-at gjithashtu. Edhe këta po zhvillojnë teknikat dhe taktikat e tyre. Kohët e fundit, një taktikë e re është në dukje dhe kjo bazohet në gjeneratën e IA-së. Deepfake phishing-u është një taktikë e re që shton gamën e sfidave me të cilat do të përballemi tani e tutje dhe për të cilat duhet të jemi shumë të vetëdijshëm.

Deepfake është një manipulim audioviziv i bazuar në teknologjinë e inteligjencës artificiale. Video Deepfake të ndryshme janë publikuar në më pak se 10 vjetët e fundit. Megjithatë, kohët e fundit është bërë mjaft popullor Audio Deepfake. Aktualisht, aplikacione të ndryshme janë zhvilluar për të prodhuar “deepfake”, video ose përmbajtje audio. Pavarësisht zhvillimit të shpejtë të Inteligjencës Artificiale dhe rritjes së numrit të programeve që mundësojnë Deepfake, mungojnë programet dhe mjetet që ndihmojnë për mbrojtje nga manipulimet e mundshme që mund të kryhen falë Deepfakes.

Si funksionon Phishing-u i rrejshëm?

Deepfake mund të komprometojë sigurinë tonë, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal. Phishers-at tani mund të përdorin “deepfakes” për të krijuar fotografi, video dhe audio të rreme. Programet që janë zhvilluar për argëtim, të tilla si aplikacionet që ju paraqesin në një moshë, gjini ose racë tjetër, kanë mbledhë të dhëna që mund të prodhojnë deepfakes të kujtdo e për këdo dhe, jo vetëm të personazheve publike, siç ka ndodhë deri më tani. Qasja e Phishers-ëve në ato të dhëna, u mundëson atyre të kryejnë sulme me përdorimin e Deepfakes për ta mbërri qëllimin e tyre, e që është manipulimi me njerëzit dhe rrezikimi i sigurisë së tyre. Përveç e-maileve dhe mesazheve, tani video-thirrjet dhe mesazhet zanore janë bërë të sofistikuara si rezultat i përfshirjes së teknologjisë dhe falsifikimit të thellë në Phishing. Pra, Phishers-at përdorin Deepfake gjatë një takimi online, fjala vjen, duke krijuar një person që nuk ekziston, ose duke përdorë fytyrën e dikujt tjetër për të manipuluar, siç ndodhi në Hong Kong, kur një person kishte paguar 25 milionë dollarë amerikan duke rënë pre e një deepfake mashtrimi, apo në Kinë, kur një person transferoi mbi 600 mijë dollarë. pa e kuptuar se ishte viktimë e një mashtrimi. Deepfake Phishing-u është përdorë gjithashtu në mesazhe audio dhe, tashmë ka programe që klonojnë zërin e kujtdo, siç është programi i zhvilluar nga Microsoft, VALL-E.

Si të zbutet/zvogëlohet rreziku nga Deepafke Phishing-u?

Në mungesë të programeve, kur bëhet fjalë për Phishing, zakonisht kërkesat e pazakonta për shuma të ndryshme parash duhet të ngjallin dyshime. Me deepfakes phishing, këto kërkesa mund të dalin edhe më bindëse. Megjithatë, ne të gjithë duhet të zhvillojmë aftësinë e gjykimit kritik dhe të mësojmë disa nga mënyrat për të gjetur anomali në një deepfake phishing. Ato mund të ndahen në lidhje me teknologjinë, por është gjithashtu e rëndësishme për të shkuar përtej teknologjisë.

Të lidhura me teknologjinë janë:

– pjesë të ndryshme të fytyrës,
– mospërputhjet e sinkronizimit të buzëve,
– lëvizjet e trupit, dhe
– ritëm jonatyral i zërit.

Përtej teknologjisë, është e rëndësishme që:

– të jemi përherë të informuar, pasi ndërgjegjësimi mund të jetë çelësi për identifikimin e kërcënimeve të mundshme.
– të jemi skeptik ndaj çdo kërkese për informacion të ndjeshëm si fjalëkalimet, detajet e kartës së kreditit, etj.
– të jemi të kujdesshëm nëse diçka duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, ose që ngre dyshime.

Pra, suksesi në mbrojtjen kundër deepfake phishing-ut varet nga ne, nga interesi ynë për të vazhduar me zhvillimet teknologjike, të qenit i mirë-informuar për risitë e rreziqet, si dhe nga kujdesi ynë për informacionin personal ose profesional që ndajmë me të tjerët në internet.

Teknologjia e inteligjencës artificiale është një ‘tren i shpejtë’ që do të vazhdojë të sjellë në botë risi që do të na mahnitin, por në të njëjtën kohë edhe rreziqe ndaj të cilave duhet të kemi shumë kujdes. Përsosja e deepfakes e bën atë një mjet edhe më të rrezikshëm në duart e mashtruesve dhe manipuluesve. Vështirësia për ta zbuluar e shumëfishon këtë kërcënim. Në gjithë këtë, institucionet dhe organizatat duhet të punojnë me stafin për të qenë të vetëdijshëm për këto risi dhe rreziqe dhe të jenë të përgatitura për të mos besuar apriori, pavarësisht videove, fotografive apo mesazheve audio që mund të jenë mjaft bindëse, por që, gjithmonë duhet të verifikohen paraprakisht.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!