×
Opinione

Pa riarmatosjen e Evropës, NATO po shkon drejt dështimit

Autor:Andrew A. Michta
24 Prill 2024 | 19:05

Për sa kohë që shteti perandorak rus ekziston në formën e tij aktuale, kërcënimi që paraqet për Evropën nuk do të zhduket…

Me luftën në Ukrainë që po përparon në vitin e saj të tretë, është derdhur shumë bojë mbi mënyrën se si Perëndimi kolektivisht më në fund është zgjuar nga gjumi i vet strategjik, duke u përballur me kërcënimin që Rusia paraqet për Evropën.

Por koha është për t’u përballur me faktet: Me paketën e ndihmës për Ukrainën që u miratua më në fund nga Kongresi i ShBA-së, Evropa ka qenë e ngadaltë në rritjen e prodhimit të armëve dhe municioneve – jo vetëm në nivelin e nevojshëm për ta mbështetur Kievin, por edhe në kuptim të rimbushjes së rezervave të NATO-s, që kërkohen për ushtrinë e vet. Dhe me situatën në terren që është duke u përkeqësuar, një fitore ruse në Ukrainë mund të vijë më shpejt sesa që shumë e parashikojnë – me mundësi edhe para se presidenti i SHBA-së, Joe Biden ta përfundojë mandatin e tij.

Sidoqoftë, paralajmërimet e përsëritura se nëse Ukraina humb, Rusia do të rikonstituojë forcat e saj tokësore dhe do të jetë gati për të sulmuar NATO-n, kanë rezultuar në pak më shumë se zvarritje dhe veprim të papërcaktuar. Dhe bashkë me vendet përgjatë krahut lindor të NATO-s, liderët politikë të Evropës vazhdojnë të sillen sikur të mos ketë pasur shumë ndryshime, pasi retorikës së tyre i duhet ende të përputhet me veprime proporcionale.

Premtimet për shpenzimet e së ardhmes nuk janë të njëjta me kontratat aktuale që do t’i shtynin kontraktorët evropianë të mbrojtjes të rrisin prodhimin në shpejtësi dhe në shkallë. Dhe pa riarmatimin evropian, NATO thjesht po e përgatit vetën për dështim.

Udhëheqja ushtarake e ShBA-së dhe aleatëve – bashkë me Komandën Evropiane të ShBA-së dhe Shtabin Suprem të Fuqive Aleate në Evropë – ka punuar pa u lodhur për ta kthyer NATO-n në rolin e saj origjinal të sigurimit të parandalimit dhe mbrojtjes kolektive. Aleanca tani ka plane rajonale, me kërkesa për aftësitë e gjenerimit të forcës që do ta rivënë këtë funksion parësor. Por nëse Evropa nuk i shpenzon paratë për të zgjeruar bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe për të siguruar aftësi reale ushtarake për t’i bërë këto plane të reja rajonale të besueshme, e ekzekutimi i tyre do të jetë i mbushur me rrezik të papranueshëm.

Dhe, duke gjykuar nga reagimi i pabarabartë nga disa kryeqytete evropiane lidhur me shpenzimin e parave për mbrojtjen, aleatët duken të ngujuar në një kulturë të të folurit të madh, ndërsa mbështeten te ShBA për të mbajtur pjesën e barrës së luanit. Sot, vetëm 18 nga 32 anëtarët e NATO-s po shpenzojnë – ose kanë premtuar se do të shpenzojnë – 2 përqindëshin e zotuar të Bruto Produktit Vendor për mbrojtjen. Për ta vënë këtë në perspektivë, gjatë Luftës së Ftohtë, vendet evropiane shpenzonin mesatarisht 3 deri në 5 përqind të Bruto Produktit Vendor për mbrojtje.

Por aleatët nënshkruan këto plane të reja në samitin e fundit të NATO-s në Vilnius – që do të thotë se angazhimet e aftësive që i bashkëngjiten këtyre planeve janë një zotim detyrues. Megjithatë, vetëm tre muaj përpara samitit të 75-vjetorit të NATO-s në Uashington këtë verë, aleanca vazhdon të përballet me mangësitë në mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, sulmet me saktësi të lartë, komandën dhe kontrollin dhe logjistikën.

Për më tepër, nuk ka asnjë kuptim të vërtetë se NATO-ja mund të dështojë në një krizë, thjesht sepse ajo vazhdon të jetë e ngushtë kur vjen puna për të rindërtuar vetën në një aleancë luftarake.

Kur flitet gjerësisht midis vendimmarrësve evropianë – veçanërisht atyre në vendet më larg nga krahu lindor – duket se ka pak vlerësim për faktin se kjo çështje e aftësive do të jetë vendimtare në formësimin e së ardhmes së NATO-s. E thënë thjesht, pa aleatët evropianë që bartin barrën e parandalimit dhe mbrojtjes konvencionale nga ushtria amerikane te forcat e tyre – me ShBA-në që vazhdon të ofrojë parandalimin bërthamor dhe mundësitë e nivelit të lartë – NATO nuk do të ketë forcat e kërkuara për të zbatuar planet e reja të saj.

Ndërkohë, debati aktual nëse ShBA-ja duhet t’i japë përparësi Paqësorit apo të mbetet e angazhuar në Atlantik dhe teatrot e Paqësorit mund të bëhen një lojë me shumën zero që – nga një krizë në Azi – Evropa do të humbasë.

Kështu, aleatët evropianë të NATO-s duhet të lëvizin me shpejtësi të plotë përpara për të siguruar burimet e ushtrive të tyre. Për sa kohë që shteti perandorak rus ekziston në formën aktuale, kërcënimi që paraqet për Evropën nuk do të zhduket. Dhe në qoftë se Rusia përfundimisht fiton apo humbet në Ukrainë – pavarësisht nëse pushton, kontrollon një pjesë të territorit të saj apo është dëbohet krejtësisht – ajo do të mbetet një kërcënim kronik për paqen derisa të prishet rrugëtimi revanshist i Moskës.

Nëse Evropa dëshiron të shmangë tërheqjen në një luftë të përgjithshme në shkallë të plotë, ajo duhet të riarmatoset me shpejtësi dhe në shkallë. Pa një përkushtim të vërtetë për riarmatim, aleatët evropianë të NATO-s do të vazhdojnë të ankohen, duke debatuar për ndryshimet institucionale brenda BE-së, duke argumentuar se sa duhet të shpenzohen për mbrojtjen dhe ku të sigurojnë armët dhe municionet e tyre – dhe tërë kohës, duke vendosur kushtet që NATO të dështojë.

Andrew A. Michta është bashkëpunëtor i lartë dhe drejtor i Iniciativës së Strategjisë Scowcroft në Këshillin Atlantik të Shteteve të Bashkuara. Këtë artikull e shkroi për Politico. Përktheu Reporteri.net. 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!