Siç e kam theksuar edhe në shkrimin tim për Komandant Karadakun, në verën e zjarrtë të vitit 1998, me kërkesën e Kryeministrit të atëhershëm të Republikës së Kosovës, Dr. Bujar Bukoshi, mora rrugën drejt Shqipërisë me mision të shihja nga afër realitetin e luftës, të dëshmoja dhe të raportoja mbi sakrificën dhe veprimtarinë e forcave të FARK-UÇK-së në tokën shqiptare.

Një nga takimet që më ka mbetur i gdhendur në kujtesë ishte ai në kazermën e Papajt, ku pata nderin të takoja komandantin Gani Lipa Ahmetaj. Ai ishte një figurë e përkushtimit dhe vendosmërisë, një njeri që mishëronte profesionalizmin, shpirtin luftarak dhe idealin e lirisë. Biseduam gjatë e hapur për sfidat e shumta që përballonte UÇK-ja në përgjithësi dhe forcat e FARK-UÇK-së në veçanti.

Komandanti Ahmetaj më foli me krenari për përgatitjen e ushtarëve dhe për entuziazmin e pashuar që mbretëronte në radhët e tyre, një entuziazëm ky që buronte nga dashuria për atdheun dhe besimi në fitore.

Reklamë

Megjithatë, përtej këtij morali të lartë, ai nuk ngurroi të më tregonte edhe për vështirësitë e shumta, për pengesat e vazhdueshme nga organet e sigurisë në Shqipëri, përplasjet me krahun tjetër të UÇK-së, si dhe mungesën e mbështetjes së mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës. Të gjitha këto i regjistrova me kujdes në bllokun tim të xhepit, duke i konsideruar si dëshmi të rëndësishme të raportimit për një kohë të vështirë, por vendimtare.

Edhe pse i paralajmëruar për rrezikun, megjithatë, i shtyrë nga përgjegjësia dhe lidhjet e mia familjare, arrita të takoj edhe drejtues të strukturave policore në Bajram Curr. Aty zhvillova një përballje të ashpër dhe të drejtpërdrejtë me ta, moment ky ku tensioni arriti kulmin dhe për pak sa nuk degjeneroi në përplasje të armatosur. I mbështetur në faktet që kisha shënuar në bllokun tim të xhepit, ua vura përballë pengesat që po u shkaktonin luftëtarëve të lirisë.

Më vonë, përmes burimeve të besueshme, mora vesh se ishte dhënë urdhër për likuidimin tim fizik dhe të bashkudhëtarit tim. Megjithatë, fati, kujdesi dhe një strategji e thjeshtë na dhanë kohën e nevojshme për të shpëtuar. Na ishte sugjeruar të deklaronim se do të qëndronim tri ditë, edhe pse ne kishim planifikuar të niseshim drejt Tiranës që në agimin e ditës së nesërme. Dhe kështu i shpëtuar më të keqes.

Kjo ishte një përvojë që më forcoi bindjen se rruga drejt lirisë nuk ishte e lehtë, por ishte e drejtë, dhe se njerëz si Gani Lipa Ahmetaj ishin shtylla të palëkundura të asaj rruge.

Komandantin e kërkova për më shumë se njëzet vite pas luftës, por ishte vërtet Bekë Osmonaj ai që e gjeti dhe na ribashkoi. Sot, me komandantin na lidh një miqësi e jashtëzakonshme.

Reklamë

Biografia e Gani Ahmetajt: 

Gani Ahmetaj është nga Nabërgjani i Pejës. Ushtarak karriere në këmbësori, ai i përket brezit të atdhetarëve që u formuan dhe u kalitën në kohë të vështira për kombin. Pas largimit nga ish-APJ, ai u angazhua aktivisht në demonstratat e viteve 90-ta, duke dëshmuar qartë qëndrimin e tij në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Në vitet 1992–1994 punoi si profesor i lëndës së mbrojtjes në Gjimnazin e Pejës, dega në Trestenik, duke edukuar breza të rinj me frymë atdhedashurie dhe përgjegjësie. Që nga fillimi ishte aktiv në strukturat e LDK-së, duke kontribuar vazhdimisht në mbështetje të institucioneve paralele dhe aktiviteteve humanitare.

Me shpërthimin e luftës, nga 30 prilli 1998 e deri në demobilizimin më 19 shtator 1999, u rreshtua në radhët e luftëtarëve të lirisë në kuadër të UÇK-së, përkatësisht pranë MMRK-së dhe FARK-ut. Në maj të vitit 1998 u emërua shef i zyrës së Ministrisë së Mbrojtjes (MMRK), nën udhëheqjen e kolonel Ahmet Krasniqit, detyrë që e ushtroi deri në korrik të po atij viti.

Reklamë

Nga korriku deri në tetor 1998, ishte përgjegjës për riformimin e brigadave 131 dhe 134, duke u angazhuar në organizimin, stërvitjen dhe funksionalizimin e tyre. Njëkohësisht mbante përgjegjësi për logjistikën, financat dhe sigurinë e objektit në Qendrën Stërvitore Ushtarake (QSU) në Papaj.

Në periudhën tetor 1998 – prill 1999, shërbeu si shef për mobilizim dhe evidencë pranë MMRK-së, duke luajtur rol kyç në organizimin dhe sistemimin e forcave. Nga prilli 1999 deri në përfundim të luftës, ishte komandant i QSU Papaj, në kuadër të Brigadës 138 “Agim Ramadani.” Nën drejtimin e tij zhvilloheshin të gjitha llojet e stërvitjeve ushtarake, nga përdorimi i armëve të ndryshme deri te ushtrimet në nivel brigade, si dhe organizoheshin sistemimi i forcave, logjistika, shërbimet mbështetëse dhe trajtimi i të plagosurve më të lehtë.

Pas përfundimit të luftës, atij iu mohua e drejta e inkuadrimit në TMK, me arsyetime politike që lidhen me përkrahjen e tij për Presidentin Ibrahim Rugova. Më pas u rikthye në Zvicër, pranë familjes së tij, nga edhe kishte ardhur për t’iu bashkuar luftës. Si pasojë e përjetimeve të luftës, iu nënshtrua një periudhe të gjatë shërimi dhe trajtimesh të rregullta mjekësore.

Sot jeton me familjen e tij në Zvicër, duke mbetur një dëshmitar i gjallë i një periudhe të rëndësishme të historisë sonë dhe një shembull i përkushtimit ndaj atdheut.

Reklamë

P.S. Paramendoni problemet e shumta që i kishin pjesëtarët e FARK-UCK, krahasuar me ato që i pata unë vetëm gjatë një vizite fakt-mbledhëse.