Humbjet e lejuara të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës janë 21.5 për qind, ndërsa ndikimi i tyre në përqindjen e përgjithshme të humbjeve të lejuara në nivel vendi është rreth 0.9 pikë përqindjeje.
Kështu ka deklaruar kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Driton Gojani, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Çështja u ngrit nga kryesuesi i Komisionit, Arben Mustafa, i cili kërkoi sqarime se pse për katër komunat veriore është përcaktuar një përqindje më e lartë e humbjeve të lejuara krahasuar me pjesën tjetër të Kosovës, si dhe sa janë investimet kapitale të lejuara në këtë pjesë të vendit.
“Sa janë humbjet e lejuara në veri, sepse ka një dallim në pjesën tjetër të Kosovës. Për katër komunat veriore paraqitet një përqindje më e lartë e humbjeve të lejuara sesa për komunat e tjera dhe pse është kjo? Dhe tjetra është, sa janë investimet e lejuara kapitale në veri? Cilat i keni aprovuar, sa është vlera e tyre dhe në përqindje?”, pyeti Mustafa.
Në përgjigjen e tij, Gojani sqaroi se humbjet e lejuara në nivel të përgjithshëm, pa përfshirë ndikimin e veriut, janë 13.3 për qind, ndërsa me përfshirjen e katër komunave veriore kjo përqindje arrin në 14.28 për qind.
“Është me rëndësi të potencohet që humbjet e lejuara, në bazë të raportit të të ardhurave të lejuara apo të ardhurave maksimale të lejuara të FSHU-së, janë në nivelin 13.3 për qind. Mirëpo, për shkak se merret parasysh edhe pjesa e veriut të Kosovës, atëherë të ardhurat e lejuara janë në nivelin 14.28 për qind”, deklaroi Gojani.
Ai theksoi se përqindja prej 21.5 për qind i referohet energjisë në katër komunat veriore, ndërsa në nivel të përgjithshëm ndikimi i saj është rreth 0.9 pikë përqindjeje.
Pas këtij sqarimi, Mustafa kërkoi të dijë nëse ekzistojnë matje të sakta për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Gojani tha se ekzistojnë të dhëna për sasinë e energjisë së pranuar dhe atë të faturuar, duke bërë të ditur se gjatë vitit 2025 në këto katër komuna janë konsumuar rreth 275 gigavat-orë (GWh) energji elektrike, ndërsa janë faturuar vetëm 169 GWh.
“Ka matje në kuptim të energjisë e cila pranohet dhe të energjisë që faturohet. Ne e cekëm edhe në përmbledhje që diku nga 275 GWh që janë konsumuar në vitin 2025, janë faturuar 169 GWh, që i bie diku rreth 39 për qind e energjisë e cila nuk është faturuar dhe e cila është humbje. Por aty përfshihen edhe humbjet teknike, edhe humbjet komerciale”, deklaroi Gojani.
Sipas të dhënave të prezantuara nga kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, diferenca mes energjisë së konsumuar dhe asaj të faturuar në katër komunat veriore gjatë vitit 2025 ishte rreth 106 GWh.
Në këtë diskutim u ngrit edhe çështja e investimeve kapitale në veri, për të cilat Mustafa kërkoi nga ZRRE-ja të tregojë projektet e aprovuara, vlerën e tyre dhe pjesëmarrjen në përqindje.