×
Opinione

Si të organizohemi për dialogun me Serbinë?

Reporteri
01 Gusht 2020 | 14:17

Autor: Blerim Shala


Një Qeveri e Kosovës, që ka një shumicë të brishtë parlamentare, nuk mund dot të prodhojë një Delegacion stabil të Kosovës i cili do t’i bëjë si duhet bisedimet me përfaqësuesit e Serbisë.


Dialogu në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e BE-së, ka ri-filluar me 12 korrik, dhe ka vazhduar më pas, me synimin e arritjes së Marrëveshjes Gjithperfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga pikëshikimi kosovar, duke marrë parasysh gjendjen aktuale politike në vend, si dhe interesat e Kosovës si shtet, mund të konstatohen së paku katër çështje të cilat janë të pashmangshme dhe të domosdoshme për tu adresuar dhe qartësuar sa më parë që është e mundur, nëse dëshirohet konkludim i suksesshëm i këtyre bisedimeve.

Së pari, Prishtina zyrtare ka bërë mirë që është pajtuar për vazhdimin e bisedimeve.

Në njëzet muajtë e fundit, kur dialogu përjetoi ’vdekjen klinike’, për shkaqe të shumta (të cilat janë të ditura për të gjithë ne), përgjegjësia për këtë situatë të rëndë njihte mbi të gjitha adresën zyrtare të Kosovës. Humbëm thuaja dy vite kot së koti, (mbase jemi mjeshtër në shterrjen e kohës, teksa edhe ashtu, historikisht dhe politikisht jemi popull i vonuar, së paku për dhjetëra vjet në krahasim me thuaja të gjitha shtetet evropiane), dhe brenda këtyre dy viteve, kemi mundur, me atë vrullin dhe vullnetin e Administratës Amerikane dhe të vetë BE-së (Zyres së Përfaqësuesit të Lartë), ta shfrytëzojmë rastin, dhe ta bëjmë një përpjekje për ta arritur Marrëveshjen me Serbinë. Garanca nuk ka pasur që diçka e tillë do të ndodhë patjetër. Por nuk ka kurfarë justifikimi që ne ia kemi lidhur këmbët dhe duartë vetes, për njëzet muaj të plotë, për të mos u kthyer në tavolinën e bisedimeve.

Sidoqoftë, teksa është hap i qëlluar prej nesh që sërish po i bëjmë bisedimet me përfaqësuesit më të lartë të Serbisë, është e qartë që nuk kemi hyrë si duhet në dialog, që nuk mund të dalim njëanshëm prej tij (sepse do të bënim gabim të madh), dhe që nuk mund të vazhdojmë këtë pjesëmarrjen tonë në dialog në këtë mënyrë, dhe në këtë organizim.

Së dyti, në vijim të këtij konkludimi të mësipërm, i cili realisht nuk mund të mohohet prej askujt që sadopak ka lidhje me realitetin politik në Kosovë, mund të konstatohet që duhet të ndodhë një ndryshim dhe fuqizim substancial i potencialit negociator dhe vendimmarrës të palës kosovare në këto bisedime.

Me kapacitetin aktual negociator dhe vendimmarrës të Kosovës në dialogun e Brukselit, nuk mund të vazhdohet tutje. Ai, për më shumë, është i mëdyshur dhe i atakuar nga të gjitha anët, si madje brenda vetë koalicionit qeveritar, poashtu edhe nga opozita parlamentare. Këtu duhet shtuar që është bërë mirë që Skender Hyseni është caktuar Koordinator shtetëror për këtë dialog, kur dihet e gjithë dija dhe përvoja e tij në negociatat e mëparshme me Serbinë. Ky emërim (i Skender Hysenit) është bërë me dakordimin e Presidentit Thaçi dhe të Kryeministrit Hoti.

Sidoqoftë, bashkërenditja midis Presidentit Thaçi dhe Zyres së tij, Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës, (siç ka ndodhë para Procesit të Vienës, në vitet 2005-2007), është kusht pa të cilin nuk bën nëse synohet forcimi i këtoj potenciali negociator dhe vendimmarrës të Kosovës në këto bisedime.

Nuk mund të ketë, siç po shihet gjithnjë e më qartë, dy rrugë të veçanta të organizimit politik në vend, ku njëra do t’i dedikohej atyre raporteve klasike të Qeverisë dhe opozitës në Kuvend, e tjetra do të lidhej me funksionimin e Delegacionit të Kosovës në këto bisedime.

Një Qeveri e Kosovës (si kjo e sotmja), që ka një shumicë të brishtë parlamentare, nuk mund dot të prodhojë një Delegacion stabil të Kosovës i cili do të jetë në gjendje që t’i bëjë si duhet bisedimet me përfaqësuesit e Serbisë.

Thënë fare qartë, pa siguruar përkrahjen parimore të së paku 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, fare në fillim të dialogut, nuk mund të ketë kurfarë sigurie që në fundin e tij, nëse do të arrihet Marrëveshja ligjësisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të mund të Ratifikohet Marrëveshja nga po këta 80 deputetë.

Ndërsa sigurimi i kësaj shumice të detyrueshme parlamentare në fuqizimin e kapacitetit negociator dhe vendimmarrës, nuk ka si të arrihet pa një rikompozim të Qeverisë së Kosovës.

Sa më parë që kjo të kuptohet, dhe më pas, edhe të bëhet, aq më mirë do të jetë për Delegacionin e Kosovës në këto bisedime.

Natyrisht, në atë rast, ai Delegacion, në përbërjen e tij, do të jetë reflektim i këtij kualiteti të ri parlamentar dhe qeverisës, dhe i një koordinimi në atë trekëndëshin President – Qeveri – Kuvend.

Së treti, politika kosovare e ka poashtu të pashmangshme që sa më parë që është e mundur, ta artikulojë, ta kodifikojë dhe zyrtarizojë qartë synimin e vet në këtë dialog.

Nuk ka aspak dallime në këtë kontekst, midis liderëve dhe partive tona (me përjashtim të Lëvizjes ’Vetëvendosje’ e cila si rëndom është në raporte konfrontuese me të gjitha subjektet e tjera), kur dihet se çfarë ata po deklarojnë publikisht.

Që të gjithë pra janë që bisedimet e Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, tash e tutje të përqëndrohen në thelbin e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë, apo, në emrin e procesit të normalizimit, e jo më në tema apo çështje të cilat, në atë qasjen e mëparme të BE-së (’hap pas hapi’, apo, edhe ’prej poshtë lart’), do të duhej të përgatitnin terrenin për kryefjalën e këtij dialogu.

Kryetema e këtyre bisedimeve, duhet të jetë ajo që ka të bëjë me njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nëse autoritetet më të larta të Serbisë nuk janë të gatshme ta trajtojnë tani këtë kryeçështje, atëherë, herët e vonë, do të mirret vesh që dialogu nuk do të prodhojë asgjë substanciale për arritjen e atij krye-cakut të formuluar në radhë të parë nga SHBA-ja dhe BE-ja, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.

Negociatat dhe bisedimet në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, njohin 22 vjet (e pak më shumë) të zhvillimit të tyre.

Nuk mund të ketë sërish bisedime që do të zgjasin me vjet të tëra.

Në këtë kontekst, në një pajtim të të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, duhet të bëhet edhe afatizimi kohor i bisedimeve dhe arritjes së rezultatit final të tyre.

Këtu duhet shtuar që ky afatizim kohor i këtyre bisedimeve është në varëshmëri të drejtpërdrejtë nga korniza kohore për anëtarësimin e Serbisë në BE-së. Mungesa e definimit të politikës së BE-së për zgjerimin e vet në Ballkanin Perëndimor, do të ketë pasoja të drejtpërdrejta, gjithsesi negative, për gjasat që të ketë Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Së katërti, në skenën politike të Kosovës, ka një pajtim të plotë për qëndrimin që roli i SHBA-së, i Administratës Amerikane pra, është i domosdoshëm, për ta bërë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kur dihet se çfarë ndikimi (vendimtar), ka pasë Washingtoni zyrtar në dy ngjarjet madhore të historisë së re të Kosovës (çlirimin e saj, në qershorin e vitit 1999-të, dhe pavarësimin e saj, në shkurtin e vitit 2008-të), është krejtësisht e logjikshme dhe e justifikueshme që politikanët kosovarë janë të bindur që pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në këtë dialog, nuk mund të ketë epilog të dëshiruar dhe të synuar për Prishtinën.

Tek e mbrama, dihet që Presidenti Trump dhe Sekretari Pompeo, kanë artikuluar qartë pozicionin e SHBA-së në këtë dialog, apo, sipas tyre, çelësi i Marrëveshjes eventuale për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë është njohja formale reciproke në mes të dy shteteve.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!