×
  • Prospect
  • Prospect

    Çifti i çuditshëm origjinal, David Hume dhe Adam Smith

    Reporteri
    19 Dhjetor 2022 | 18:11
    Spektiku i ngurtë: Monumenti për David Hume në Royal Mile në Edinburg

    Autor: Jesse Normal, Prospect
    Përktheu: Xhezair Dashi


    Data e 4 korrikut ka edhe tjera pretendime fame, natyrisht. Por, derisa Thomas Jefferson, John Adams, Benjamin Franklin dhe revolucionarët tjerë mbanin takime në Philadelphia për ta publikuar Deklaratën e Pavarësisë dhe të nisnin kombin e ri, matanë Atlantikut po ngjante një mbledhje private e një dallueshmërie më të madhe intelektuale.

    David Hume po vdiste. Po tretej shpejt; aq shpejt saqë në të vërtetë në shkurt i tha mikut të tij Adam Smith se “kam rënë nën pesë gurë të plotë”. Hume e kishte ngulitur veten disa vite më parë në Qytetin e Ri të Edinburgut, në një shtëpi mjaftueshëm të madhe “për të shpërfaqur Talentin tim për Kuzhinier, Shkencën ndaj të cilës e kam ndërmend të varem për Vitet e mbetura të Jetës sime”. Tani, duke e ditur se jeta e tij po mbaronte, Hume kishte ftuar Smith-in dhe disa miq tjerë për një darkim të fundit.

    Ndonëse pamja e freskët trupore e tij tashmë ishte gjë e së shkuarës, humori jo. Kur Smith ankohej atë mbrëmje për ashpërsinë e botës se po ua merrte Hume-in, ai u përgjigj: “Jo, jo. Këtu jam, unë, që kam shkruar mbi lloj-lloj temash të përllogaritura për të nxitur armiqësi, morale, politike, dhe fetare, dhe megjithatë s’kam armiq; përveç, të gjithë Whig*-ët, të gjithë Tory*-it dhe të gjithë të krishterët”.

    Bashkërisht me Thomas Hobbes-in, Hume ka pretendime të mira për t’u konsideruar si filozofi më i madh që ka shkruar në gjuhën angleze, derisa Smith gjerësisht merret për “themelues i ekonomisë”. Por, edhe këto përshkrime minimizojnë masën e arritjeve të tyre, ngase Hume duhet të merret edhe për një prej historianëve më të mëdhenj, dhe Smith, me një drejtësi të barabartë, si themeluesi i sociologjisë. John F. Kennedy njëherë në një darkë me fituesit e Çmimeve Nobel u shpreh se ai grup në Shtëpinë e Bardhë ishte më i talentuari prej kur Jefferson darkonte i vetëm. Por, në terma intelektualë Jefferson është kokërr e hollë krahasuar me bollëkun kornukopik të Smith-it dhe Hume-it.

    Në shumë mënyra ata ishin çifti i çuditshëm origjinal. Hume, 12 vite më i moshuar, ishte njeri i botës, i hapur, mendërisht i shkathët, përplot me biseda të imta, shakaxhi, aperçus therrës, ithtar i lojërave me letra, qejfli i të ngrënit dhe flirtues. Smith, për kontrast, ishte i rezervuar, privat, shpesh i konsideruar si i vrazhdë në mënyrat e paraqitjeve të tij publike, ndonëse mes miqsh mund edhe të lëshonte veten. Pavarësisht, ose mbase mu për shkak të kësaj, këto dallime personale të këtyre dy njerëzve ishin arsyeja për t’u bërë miq të qëndrueshëm, dhe idetë e tyre motorr qendror intelektual i Iluminizmit Skocez.

    Akademiku Dennis Rasmussen në veprën e tij, “I pafeu dhe Profesori: David Hume, Adam Smith dhe Miqësia që Farkëtoi Mendimin Modern”, shpjegon këtë miqësi. Katërmbëdhjetë kapituj e shëtisin lexuesin përmes ndërthurrjes së jetëve të tyre, përfshirë edhe incidentet e llojit të hidhërimit me Rousseau-n, përmes klimaksit të natyrshëm të miqësisë së tyre e deri te vdekja e Hume-it, si dhe vdekjen e Smith-it 14 vite më vonë. Në të njëjtën kohë, Rasmussen shkathtësisht e me ëndje merr përsipër të trajtojë idetë e të dyve, në tërësi, saktësisht, me pedantri dhe gamë të gjerë. Rezultati nuk është një vepër shkollore origjinale – sa për këtë, shihni veprën e fundit të James Harris për jetën e Hume-it, ose jetën e Smith-it te Ian Simpson Ross – por një libër i shkurtër dhe i gjallërishëm që kënaq vëmendjen jo vetëm të lexuesve të përgjithshëm por edhe të specialistëve. Është një arritje e konsiderueshme.

    Siç sugjeron edhe titulli, brenda kufizimeve të brendshme të Skocisë së shekullit të 18’të, Hume dhe Smith jetonin në fakt jetëra të ndryshme. Hume ishte ogur filozofik. Vepra e tij e parë, Traktat i Natyrës Njerëzore – kryevepër – u shkrua në mesin e të njëzetave të tij, dhe u botua në tri vëllime më 1738-40. Në një ditar të fundit autobiografik, Hume në mënyrë sardonike tha se [vepra] “ra e vdekur nga shtypi qysh në lindje”. Në fakt, megjithatë, u pranua respektueshëm, veçanërisht marrë parasysh rininë dhe mjegullsinë e autorit, një intelektual mahnitës me aso idesh, dhe potencialin e pasur për të shkaktuar ofendime fetare.

    Por, Traktati në fakt nuk i shterroi shpresat e Hume-it për të, ose për veten, dhe ashtu ishte “vuajtja për famë letrare” që e rrëfen ai, e që për 30 vitet e ardhshme ai rihartoi dhe zgjeroi shumë prej ideve kryesore në vepra tjera filozofike, dhe me çka ndërtoi reputacion të konsiderueshëm si eseist mbi tema politike, ekonomike dhe morale; këto të cilat i tërhiqën masë të madhe skandalesh fetare, që u luanizuan në sallonet letrare franceze, dhe i sollën pasuri nga gjashtë vëllimet best-seller të Historisë së Anglisë. Dhe, gjer sa ia dilte me këtë, së pari universitetet në Edinburg dhe mëpastaj në Glasgow, u bënë të dallueshëm si refuzuesit e një prej mendimtarëve më të mëdhenj të asaj ose çfarëdo kohe tjetër për punë akademike.

    Jeta e Smith-it, përkundrazi, ishte vetë modeli i parregullsive akademike. Ai shkoi fillimisht në Universitetin e Glasgow, pastaj në Kolegjin Balliol, Oksford – të cilin nuk e pëlqeu për plogështinë dhe skotofobinë e tij – pastaj pas një intervali të shkurtër u kthye në Glasgow si profesor. Më vonë udhëtoi në Francë si mësues i Dukës së ri të Buccleuch, përpara se të merrte më në fund një pozicion si Komisioner i Doganave. Mbi 40 vjet ai botoi Teorinë e Ndjenjave Morale (1759) dhe Një Hetim mbi Natyrën dhe Shkaqet e Pasurisë së Kombeve (1776), dhe shumë pak gjëra të tjera.

    Jo se Smith ishte i përtac; larg saj. Ai i rishikoi pafundësisht këta libra dhe në vitet e tij të mëvonshme rrëfeu se kishte “dy vepra të tjera të mëdha mbi kudhër; njëra është një lloj historie filozofike e të gjitha degëve të ndryshme të letërsisë, e filozofisë, e poezisë dhe elokuencës; tjetra është një lloj teorie dhe historie e ligjit dhe qeverisjes”. Por as puna nuk e kënaqi, as nuk u mbarua pasi pleqëria dhe rënia e punës doganore i mbarti, dhe afër vdekjes i udhëzoi ekzekutorët që t’i digjnin, e ndoshta edhe punë të tjera të panjohura, të cilat i kreu. Mrekullisht, dy grupe mjaft të plota të shënimeve të studentëve për leksionet e Smithit mbi jurisprudencën kanë mbijetuar. Por, Smith ishte pothuajse aq duarngushtë në vëllimet e prodhimeve të tij të botuar sa Hume ishte dorëshlirë.

    E njëjta është e vërtetë për letrat e tyre private. Për krejtë afrinë e tyre – siç vëren edhe Rasmussen, ata lëvizën prej “I dashur zotëri” në “I dashur Smith”, “I nderuari im Hume” e deri te “Miku im më i çmuari” në fund, një epitet të rezervuar vetëm për njëri tjetrin – këta dy njerëz kurrë s’jetuan në qytetin e njëjtë, dhe në fakt shihenin rrallë. Në rrethana të tjera mund të pritet që ky fakt të jetë një nxitje për korrespondencë. Megjithatë, kemi vetëm 56 letra mes tyre – pothuajse tre të katërtat e tyre nga Hume – dhe jo shumë shenja të letrave të tjera të humbura.

    Është korrespondencë e vogël dhe ndonjëherë e shkëlqyer, e cila varion nga thashethemet, lajmet politike dhe rekomandimet personale deri te momentet e shkurtra të filozofimit të lartë. Midis gurëve të çmuar të tij është një rrëmujë jashtëzakonisht qesharake pas botimit të Teorisë së Ndjenjave Morale, në të cilën Hume në Londër në mënyrë alternative shmang dhe ngacmon Smithin në Glasgow se si është pritur libri i tij. Por 56 letra në 25 vite njohjeje janë një bazë e pakët nga e cila mund të shkruash çdo biografi të një miqësie, aq më pak intelektuale. Sidomos pasi, me disa përjashtime modeste, nuk ka asnjë vend ku Hume dhe Smith angazhohen në ndonjë gjë që me ndonjë drejtësi të vërtetë mund të përshkruhet si argument.

    Pra, në vend të kësaj duhet t’i drejtohemi vetë veprave të tyre. Megjithatë edhe këtu shfaqet një problem, i një lloji krejt tjetër. Kjo është se, me përjashtim të Historisë së tij të Anglisë, Hume kishte pushuar së shkruari dhe botuar në kohën kur takoi Smithin për herë të parë. Shumë më tepër se çdo mendimtar tjetër, Hume është bashkëbiseduesi i imagjinuar i Smith; ka pak faqe të Smith-it në të cilat nuk ndihet hija, nëse jo ndikimi, i Hume-it; në të vërtetë, nuk do të ishte e tepërt ta quanim Smith-in, me gjithë pikat e shumta të dallimit të tyre, dishepull të Hume-it. Kështu rrjedha përshkon më shumë në një drejtim.

    Merrni dy problemet së bashku dhe është e vështirë t’i shpëtojmë këtij përfundimi: nuk mund të kuptojmë nga letrat se sa larg miqësia në vetvete i dha formë mendimit të Smith-it; dhe, të paktën për sa i përket veprave të tyre të botuara, mund të jemi mjaft të sigurt se Smith nuk i dha formë mendimit të Hume-it.

    Libri i Rasmussen nuk shërbehet mirë nga nëntitulli, pra, sado tërheqës; dhe problemi është edhe më i dukshëm, sepse më kot kërkohet diskutim thelbësor i mënyrave në të cilat mendimi modern në fakt është formësuar nga Hume dhe Smith. Ka diçka që, me disa shkurtesa dhe eliza, mund të quhet “Hume-dhe-Smith” dhe ky grup mendimi i kombinuar ka pasur ndikim të thellë në mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë sot. Por ky libër mezi trajton atë ndikim, qoftë edhe në skicë.

    “Smith, me gjithë pikat e shumta të dallimit të tij me Hume-in, ishte dishepull i tij. Rrjedha përshkon shumë në një drejtim”

    Le të kujtojmë shkurtimisht pse kjo ka rëndësi. Në zemër të mendimit të të dyve është – mbase – projekti i madh i Iluminizmit. Kjo është për të përcaktuar atë që Hume përshkruan në hyrjen e Traktatit të tij si një “shkencë e njeriut”: përshkrim ky i unifikuar dhe i përgjithshëm à la Newton i jetës njerëzore në të gjitha aspektet e saj kryesore, që rrjedh nga disa propozime bazë, që mbulojnë jo vetëm matematikën dhe ato që tani do të quheshin shkencat e vështira, por filozofinë, fenë, ekonominë politike, jurisprudencën dhe artet; dhe në parim të aftë për të shërbyer si bazë për çdo degë tjetër të dijes njerëzore. Më e rëndësishmja, kjo shkencë e njeriut duhej të bazohej në vëzhgim dhe përvojë – jo në ligj natyror, frymëzimin hyjnor ose dogmë fetare.

    Në duart e ftohta skeptike të Hume-it, testi i vëzhgimit dhe përvojës çoi në një sërë kritikash dhe rindërtimesh empirike destruktive, veçanërisht të ideve të një uniteti ose shpirti njerëzor transcendental, të ligjeve të pavëzhgueshme të shkakësisë dhe të drejtësisë hyjnore. Smith është më pak thjesht filozofik, më pozitiv dhe konstruktiv dhe më shumë i përqendruar në rezultatet e paqëllimshme të veprimit njerëzor: Teoria e Ndjenjave Morale argumenton se vlerat morale rrjedhin nga ndjeshmëria njerëzore duke punuar përmes krahasimeve ndërpersonale, Pasuria e Kombeve që tregton, në të vërtetë shoqëria komerciale, rrjedhin nga instinkti njerëzor prej kamionit te shkëmbimi.

    Ka fusha të veçanta për çdo njeri dhe mosmarrëveshje reale mes tyre, veçanërisht për drejtësinë, në lidhje me të cilat Hume thekson dobinë dhe dëmin e Smith-it. Por qasja e tyre e përgjithshme është e njëjtë: të zbutin pretendimet e fesë, qoftë edhe vetëm me nënkuptim, dhe t’i zëvendësojnë ato me shpjegime të përgjithshme të bazuara në praktika, emocione dhe zakone të njohura njerëzore. Rezultati, një shekull para Darwin-it, është një kuptim evolucionar i një game të gjerë dukurish morale, sociologjike, politike dhe ekonomike që janë njëkohësisht të dallueshme e moderne dhe jashtëzakonisht të fuqishme, duke shënuar çdo fushë që preket. Matja e saj e plotë ende nuk është marrë.

    Ide të tilla e lanë anash fenë dhe nuk është e vështirë të kuptosh se si ato do të nxisnin zemërimin e autoriteteve. Në fakt Hume mund të ketë qenë më agnostik se ateist, por kjo s’kishte rëndësi në atë kohë ngase ai denoncohej rregullisht. Mirëpo, Smith i kujdesshëm dukej se i kishte shpëtuar këtij fati, derisa “shkrova një fletë letre të vetme dhe, siç supozoja, shumë të padëmshme, të cilën e pata rastësisht në lidhje me vdekjen e mikut tonë të ndjerë, zotit Hume. Jam abuzuar dhjetë herë më shumë për të se sa kur sulmova dhunshëm të gjithë sistemin tregtar të Britanisë së Madhe.”

    Siç tregon Rasmussen, Hume korri të qeshurën e fundit ndaj kundërshtarëve të tij. Vdiq me vdekjen e një filozofi, i gëzuar e i patrazuar deri në fund; askush nuk e turpëroi atë, apo publikimin pas vdekjes së Dialogëve të tij shkëlqyeshëm subversive në lidhje me fenë natyrore. Por fjalimi i Smithit për Hume-n, i shkruar në mënyrë të shkëlqyer e me plot patos, paganizëm dhe ngjyrime sokratike, e rrëzoi çatinë mbi ta. Ishte një akt dashurie si dhe i së vërtetës, që i përshtatej krejtësisht miqësisë së tyre.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!