×
  • Prospect
  • Prospect

    Figura revolucionare e shpirtit të bukur, të vetëpërmirësuar

    Reporteri
    06 Shtator 2022 | 17:47
    Goethe, nga Georg Melchior Kraus

    Autor: Justine Kolata


    Në një kulturë globale që paraqitet më e fiksuar se kurrë ndaj individualizmit radikal, paraqitjeve narcisiste të vetvetes, dhe retorikës politike nxitëse, është vështirë të paramendohet se shoqëria njëherë e një kohë kujdesej për bukuri shpirtërore. Por, në fund të shekullit të 18’të e në fillim të shekullit të 19’të në Gjermani dhe nëpër Evropë, ndjekja e ‘bukurisë shpirtërore’ u bë gurthemel i mendimit filozofik dhe diskursit popullor, i shtyrë nga disa prej mendimtarëve më të rëndësishëm të kohës, përfshirë Johann Wolfgang von Goethe, Friedrich Schiller dhe Wilhelm von Humboldt. Për këta mendimtarë, ndjekja e përsosmërisë së brendshme ishte përgjigje ndaj tmerreve të veprimeve irracionale të turmave në Revolucionin Francez, gjë që kulmoi në Terrorin e 1790’ës. Fillet e nocioneve të demokracisë, besonin ata, mund të zhvilloheshin vetëm nëse çdo individ çlirohej nga ajo që Immanuel Kant e përshkruante si “tutelë të vetë-shkaktuar” të papjekurisë intelektuale duke zhvilluar aftësitë (faculties) njohëse dhe emocionale përmes përvojave estetike.

    Në bërthamë të shpirtit të bukur ishte ideja që individi posedon një potencial të brendshëm njohës (kognitiv). Kur ekspozohet në kushte të mira të ambienteve mësimore, ky potencial i fjetur mund të zhvillohej në përsosmëri të gjendjes së intelektit, moralit, karakterit dhe veprimit. Shpirti i bukur është koncept estetik i përqendruar në zhvillimin e kapaciteteve avancuese të dijes dhe kulturës. Përmban ndjekjen e kultivimit personal për të krijuar konvergjencat e impulseve estetike individuale me një ideal kolektiv etik. Shpirt i bukur është shpirt virtuoz, që posedon një sens drejtësie, ndjek urtinë, dhe praktikon dashamirësinë përmes një prirje të estetizuar të së ‘mirës’.

    Frymëzuar nga filozofia greke, shpirti i bukur pasqyronte imperativin e Plotinit për të kultivuar veten njëjtë siç punon skulptori:

    Tërhiqu brenda vetes, dhe ekzamino veten. Nëse ende nuk e zbulon bukurinë, bëj si bën artisti, i cili pret, pastron, çiltërson derisa ta ketë hieshuar statujën e tij me të gjitha shënjesat e bukurisë. Largo nga shpirti yt, atëherë, gjithçka që është e panevojshme, drejto krejt çfarë është e zhdrejtë, pastro dhe jepi dritë të gjithë asaj që të rri në terr, dhe mos ngurro të perfeksionosh statujën tënde derisa shëndërritësia hyjnore e vyrtit të shkëlqejë drejt syve tu…

    Skulptimi i shpirtit dhe krijimi i asaj që Goethe e quante ‘një njerëzim më i bukur’ fitohet përmes brendësimit të triadës platonike të bukurisë, vërtetës dhe mirësisë. Bukuria konceptohet si integrimi i aftësive intelektuale dhe estetike në takimin me artin dhe natyrën. E vërteta është veçse rezultati i ushtrimit logjik të aftësive racionale dhe ngritja e kuptimësisë së kërshërisë nga përjetimet në botë. Mirësia gjendet në kapacitetet njerëzore për të ndjerë dhembshuri për të tjerët dhe në atë mënyrë për t’i kontribuuar përmirësimit shoqëror.

    Triada platonike realizohet brenda shpirtit duke eksploruar idetë përmes përvojave të jetuara, jo duke ndjekur qorrazi parime abstrake apo dogma të diktuara nga kisha apo sistemet politike. Koncepti kërkon që individi aktivisht të angazhojë shqisat e tij për të naviguar botën materiale me bukurinë si udhëzues të tij/saj. Papërcaktueshmëria e pashmangshme estetike, përvoja shqisore është saktësisht ajo çfarë e bën atë të vlefshme në zgjerimin e vetëdijes, në mënyrë që eksplorohen pyetjet përfundimtare të realitetit. Shikimi i trajektores parabolike të një larku në qiell, vëzhgimi i modeleve fraktale që gjenden në natyrë, soditja e rrathëve koncentrikë të prodhuar nga pikat e shiut në pellgjet e ujit bëhen mundësi për të kuptuar universin dhe për të arritur një gjendje të rritur njohëse-afektive. Siç vërente Goethe: “Një njeri duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi dhe të shohë një pamje të bukur çdo ditë të jetës së tij, në mënyrë që shqetësimet e kësaj bote të mos zhdukin ndjenjën e së bukurës që Zoti ka ngulitur në shpirtin e njeriut”.

    Koncepti afirmon atë që, në universalitetin e saj, bukuria ofron mjete për t’u angazhuar me botën, duke siguruar një themel të përbashkët mbi të cilën mund të ndërtohen dhe zhvillohen marrëdhënie pozitive shoqërore, duke vepruar si një leksikon për shkëmbim komunikativ. Pasi që është një prirje natyrore për të ndarë përvojat shqisore, bukuria siguron mundësi për të lidhur individët në një moment kuptimi përfundimtar, të përçojë ndjenja të pashpjegueshme që prekin mu në bërthamën e ekzistencës. Duke hapur horizontet perceptuale, personi ngritet mbi egon dhe vetë-përthithjen, në një mbretëri universale kontemplimi. Bukuria arrin të mirën duke fuqizuar aftësitë e ndjeshmërisë që sjellin dhembshuri më të thellë për të tjerët dhe kujdes më të madh ndaj mirëqënies së kolektivit shoqëror. Kështu, martesa e të bukurës, të vërtetës dhe të mirës është për shpirtin e bukur më shumë se sa një përsiatje metafizike e antikitetit, por vetë baza e një shoqëria më të drejtë dhe më të barabartë.

    Edhe pse kjo filozofi nuk u realizua kurrë siç e parashihnin teoricienët e saj, shpirti i bukur është shumë më shumë se sa thjesht një ide e bukur. Duke u kthyer drejt estetikës, filozofët e Aufklarung-ut Gjerman (Iluminizmit) nuk iu shmangën naivisht realiteteve politike. Në vend të kësaj, ata ofruan një teori më holiste që njihte horizontet afatgjate për lulëzimin e arsyes dhe intelektit njerëzor. Duke bërë kështu, ata zhvilluan koncepsion poetik të politikës që si frymëzim morën nocionet antike greke të shtetit estetik. Duke punuar drejt një vetë-përmirësimi dhe pa frikë duke e nisur atë drejt shoqërisë, shpirti i bukur ishte figurë revolucionare, në rreshtin e parë të progresit të Iluminizmit.

    Vetë-kultivimi nuk ishte një ndjekje e kotë e të pasurve, por në fakt një riformulim radikal i asaj se çfarë do të thoshte të ishte njeri dhe të ekzistoje në harmonikisht në shoqëri. Shpirti i bukur i paraprinte problemeve të arsyes instrumentale, duke tejkaluar rreziqet e dobisë së thjeshtë, çmagjepsjen dhe izolimin social duke ofruar botëkuptim estetik që lehtësoi interaksionet pozitive njerëzore dhe një botëkuptimësi multidimensionale të përvojës njerëzore. Ajo mishëroi vlerat iluministe të barazisë, vëllazërisë dhe racionalitetit, duke shërbyer si modeli i një qytetari që u përmbahet përgjegjësive që lidhen me demokracinë.

    Kthesa bashkëkohore drejt nihilizmit që luan individin në kurriz të kolektivit ka bërë që ideja e kultivimit të një shpirti më të bukur të duket idealiste, e pashpresë dhe e shkëputur nga “realitetet e vështira”. Në botën realiste, ne kërkojmë qëllime utilitare nën maskën e pragmatizmit, duke u larguar nga iluziviteti i një ideali jomaterial dhe përfundimisht të paarritshëm. Misteri dhe poezia e natyrës njerëzore është zhveshur nga përvoja jonë e përditshme në kurriz të imagjinatës sonë dhe vullnetit tonë për të përfytyruar një botë më të bukur. Megjithatë, sëmundjet sociale dhe mjedisore të shkaktuara nga ekonomia jonë e papenguar e instrumentalitetit dëshmojnë të jenë asgjë tjetër veçse pragmatike për qëndrueshmërinë dhe mirëqenien afatgjatë të specieve tona. Nëse ende ushqejmë shpresë në prirjen njerëzore për të mirë, atëherë duhet të sodisim sërish figurën poetike, revolucionare të shpirtit të bukur që mund të sigurojë edhe një herë një vizion për thellimin e aftësive tona intelektuale, morale dhe emocionale në shërbim të një më të drejtë dhe të ardhme progresive për të gjithë ne.

    Përkthyer nga gazeta online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!