×
  • Prospect
  • Prospect

    Fotografimi me kaskën ilire

    Autor:Binak Kelmendi
    22 Shkurt 2024 | 11:09

    Shkruan Binak Kelmendi

    Një helmetë
    E korroduar
    E çjerrë
    E brimuar
    Tullace koha
    Në kufirin e afërt
    Bunker komunist
    Dhe aeroplan imperialist
    Shikohen për nishan
    Tutje deti ujë kripëtimë
    Qeshje ironike
    “Demka mba’ shënim”…
    Një qëndrim piktural
    Para aparatit fotografik
    Pa ngjyra te paneli
    Me brushën e lagur
    Në festival këngësh buzë fqinjit armik klasor
    Më bëj një akt historie me helmetën, të lutëm thashë
    Artist i rrëgjuar epoke
    Mbi dymijë vjet i lashtë
    I ri si sot
    Sa uji sa toka sa guri para zjarrit
    Në formësim të kosmosit
    Duke bërë kontinente kombe gjuhë
    Popuj jashtilirikë
    Më bëj një foto
    Me kaskë ilire
    Preke butonin
    Kjo është
    Teknikë
    Kujtim
    Kronikë
    Testament
    Tapi
    Helmetë mbi veshë
    Asgjë nuk dëgjon
    Asgjë nuk sheh
    Vetëm shiu lag
    Dhe korrodon
    Te këneta në kufi
    Kaskë ilire
    Vetëm dymijepesëqind vjet e re

    (Tiranë, mars 1992, pas kthimit nëpër mjegull e shi nga Gjirokastra)

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!