×
  • Prospect
  • Prospect / Tregimi i javës

    Kalorësi im

    Autor:Lucia Berlin
    23 Tetor 2023 | 13:38
    A Manual For Cleaning Women by Lucia Berlin

    Lucia Berlin (1936-2004), shkrimtare amerikane, u lind në Alaskë dhe e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë nëpër vende të ndryshme, ndërsa adoleshencën në Santiago të Kilit. Pati tri martesa dhe një jetë të varur nga alkooli. Sa ishte gjallë vlerësohej lart nga shkrimtarë si Saul Ballow dhe Lidia Davis, mirëpo u bë mjaft e njohur vetëm pas vdekjes, më 2015, kur iu botua përzgjedhja “A Manual for Cleaning Women”. Kjo është Lucia Berlin: 

    Më pëlqen të punoj në Emergjencë – aty mund të takosh burra, sidoqoftë. Burra të vërtetë, heronj. Zjarrfikës dhe kalorës. Ata gjithmonë përfundojnë në dhomat e emergjencës. Kalorësit kanë radiografi të mahnitshme. I thyejnë eshtrat gjatë gjithë kohës, por thjesht i lidhin dhe e bëjnë vrapimin e radhës. Skeletet e tyre duken si pemë, si brontosaurus të rindërtuar. Radiografia e Shën Sebastianit.

    I marr kalorësit sepse flas spanjisht dhe shumica syrësh janë meksikanë. Kalorësi i parë që e mora ishte Muñozi. Mor zot. Unë zhvesh njerëz gjithë kohës dhe s’është ndonjë gjë e madhe kjo, të duhen pak sekonda, Munozi dergjej aty, i pavetëdije, një zot aztek në miniaturë. Meqë rrobat e tij ishin shumë të pështjelluara, ishte thua se po vija në jetë një ritual të elaboruar. Gjithë nerva, ngase mori shumë kohë, si te Mishima të cilit i duhen tri faqe për t’ia hequr kimononë zonjës. Bluza e tij prej atllasie ngjyrë magente kishte shumë pulla përgjatë krahëve dhe te kyçet e vockla të duarve; pantallonat i kishte lidhur me lidhëse të gërshetuara, nyja para kolumbiane. Çizmet e tij mbanin erë plehu dhe djerse, por ishin të lehta dhe delikate si të Hirushes. Ia futi gjumë, një princ marramendës.

    Nisi të kërkonte mamanë e tij ende para se të zgjohej. Jo vetëm që ma mbante dorën, siç e kanë zakon të bëjnë ca pacientë, por edhe më ngjitej për qafes, duke dënesur. Mamacita! Mamacita! E vetmja mënyra që i mbetej dr. Johnsonit ta ekzaminonte ishte nëse unë do ta përkundja si beben. Ishte i imët si fëmijë, por i fortë, muskuloz. Një burrë në prehrin tim. Një burrë ëndrre? Një bebe ëndrre?

    Dr. Johnsoni ma fshinte ballin me sfungjer derisa po përktheja. S’ka dyshim, e ka thyer një heqës, të paktën tre brinj të thyer, me shumë gjasë ka pësuar edhe tronditje. Jo, tha Muñozi. I duhet të ngasë në garën e nesërme. Çoje në radiografi, tha dr. Johnsoni. Meqë nuk mund të shtrihej në lese, e barta nëpër korridor, si King Kong. Po qante, i lemeritur, lotët e tij ma njomnin gjoksin.

    Ai priti në dhomë për të bërë radiografinë. E qetësoja siç do ta kisha qetësuar një kalë. Cálmate, lindo, cálmate. Despacio… despacio. Ngadalë… ngadalë. Ai u qetua në krahët e mi, merrte frymë dhe turfullonte lehtë. Ia përkëdhela fundin e shpinës. Dridhej dhe vezullonte si ajo e një mëzi të ri të shkëlqyeshëm. Ishte e hatashme.

    *Shkëputur nga: Lucia Berlin, “A Manual for Cleaning Women”, Picador, 2016

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!