×
Prospect

Lisbon revisited (1926)

Reporteri
02 Prill 2024 | 22:07

Poezi e shkruar nga FERNANDO PESSOA

Asgja nuk më lidh me asgja.
Due pesëdhetë gjana në të njejten kohë.
I dishruem me nji ankth urie mishi
ajo çka nuk di se çka asht-
përfundimisht e papërcaktuemja…
Flej i shqetësuem, dhe jetoj në nji gjumë të shqetësuem
të atij që flen i shqetësuem, gjysmë në andërr.

M’i kanë mbyllë tana dyert abstrakte dhe të nevojshme.
I kanë ulë tendat prej mbrendë të çdo hipoteze, që do të kisha mujtë me pá prej rruge.
Nuk asht në rruginën e gjetun numri i derës që më kanë dhanë.

U zgjova në të njejten jetë, me të cilën më kishte zanë gjumi.
Der ushtritë e mia të andrrueme janë shpartallue.
Der andrrat e mia janë ndie të rreme në të kênunit t’ andrrueme.
Der edhe jeta vetëm e dëshirueme më lodh; der kjo jetë…

Kuptoj me intervale të shkëputuna;
shkruej me intervale lodhjet;
dhe deri nji mërzi e mërzisë më hedh në plazh.
Nuk e di cili fat apo e ardhme do të ndeshet me ankthin tim pa timon;
nuk e di cilët ishuj të Jugut të pamujtun më presin anijenbytun;
apo cilat palma letërsie do të më japin të paktën nji varg.
Jo, nuk e di as këtë, as atë tjetrën, as kurrgja…

Dhe në fund të shpirtit tim, ku andrroj atë që andrrova
në fushat e tejme të frymës, ku jetoj pa shkak
( e kaluemja asht nji mjegull e natyrshme me lot të rremë),
nëpër rrugë, nëpër shtigje të pyjeve të largta
ku kam paramendue të kênunit tim,
ikin të shkatërruem, të mbetunit e fundit
e përhitjes finale,
ushtritë e mia të andrrueme, të shpartallueme për pa ekzistue,
kohortat e mia ende për të ekzistue, cungue nga Zoti.

Prapë të shoh qytet i fëminisë sime, frikshëm i tretun…
Qytet i trishtë dhe i gëzuem, qè tek u ktheva me andrrue…
Unë? Po a jam i njejti që ka jetue këtu, që asht kthye këtu,
dhe që këtu asht kthye për me u kthye, dhe për me u rikthye,
dhe prapë për me u rikthye?
O a jemi, të gjithë Unët që kam qenë këtu apo kanë qenë,
nji seri entesh- të mëdhaja lidhun nga nji fill- kujtesë,
nji seri andrrash për mue për dikend jashtë meje?

Prapë të shoh, me zemër ma të largtë dhe shpirtin ma pak timin.
Prapë të shoh- Lisbonë dhe Tago, dhe gjithçka-,
udhëtar i kotë prej teje dhe prej meje,
i huej këtu si gjithkund, rastsor në jetë si në shpirt,
fantazmë e arratisun në krypë kujtimesh,
në zhurmën e mijve dhe të tavolinave që brehen
në kështjellën e mallkueme të t’detyruemit me jetue…

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme
Prospect
Prospect
Prospect
Prospect

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!