×
  • Prospect
  • Prospect

    Poezia madhështore për Kosovën

    Autor:Ismail Kadare
    13 Shkurt 2024 | 20:57

    Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

    E hidhur vjeshtë e këtij viti
    Kosovën gjeti nën terror.
    Korba të zez mbi të ia mbërritën,
    Hetues, gjykatës e prokurorë.

    Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
    Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
    Kështu mes jush shekullin ndani,
    Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

    Kështu e prekni historinë,
    Mbi supe e mbartni ju sërish.
    Prangat në shkollë që i mësonit
    Në duar ndjetë befasisht.

    Dhe patë se koha e mesjetës
    S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
    Dhe u kthye nata e Prishtinës
    Në natë Shën Bartolemeu.

    U ngritët ju viganë, fisnikë
    Me korrektesë e madhështi.
    Ngaqë kërkuat Republikë,
    U shtypët si në monarki.

    Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
    Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
    Se pas Dushanit car të frikshëm
    Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

    S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
    Zinxhiri i tankut kur ju griu,
    Por retë e globit veg ju panë,
    Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

    Kështu në vorbull të epokës
    U ngritët ju si monument,
    Ju që e prekët historinë,
    Dhe n’histori u kthyet vetë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!