×
  • Prospect
  • Prospect

    Qeni që donte të bëhej njeri

    Autor:Augusto Monterroso
    02 Gusht 2023 | 17:20

    Tregim i shkurtër nga Augusto Monterroso

    Ka ca kohë që në shtëpinë e një tregtari të pasur në Meksiko, e pajisur dhe e stolisur me të gjitha komoditetet dhe aparaturat më të fundit, jetonte një Qen. Papritur e pa kujtuar, këtij të uruar Qeni iu shkrep në tru të bëhej njeri dhe, për ta realizuar këtë ëndërr, iu fut punës derrçe.

    Në krye të disa viteve, pas një këmbëngulje prej mushke, arriti t’ia dilte mbanë. Pra, gjithë përpjekjet e tij të mundimshme u kurorëzuan me sukses: me lehtësinë më të madhe qeni filloi të ecte vetëm mbi dy këmbë. Kështu që e ndjeu veten se ishte tamam një qenie e vërtetë humane.

    Tani, as për të kafshuar nuk kafshonte më si qen, vetëm se: sa herë që takohej me ndonjë të njohur, sidomos me ata që i hidhnin diçka për të ngrënë, e tundte bishtin fort; sa herë që do të shtrihej për gjumë, do t’i bënte nja dy-tri rrokullisje në kurriz; sa herë që do të dëgjonte kambanat e kishës, do të gërnjitej dhe do të jargavitej; dhe natën, sa herë do të shikonte hënën e plotë, do të hipte mbi ndonjë gur a mur e do të kuiste përvajshëm.

    Përktheu: Bajram Karabolli

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!