×
  • Prospect
  • Prospect

    Si t’ia thesh këmbën djallit

    Reporteri
    05 Dhjetor 2022 | 17:31
    Forcat paqeruajtëse ndërkombëtare të UNPROFOR-it në Sarajevë

    Autor: Senad Peçanin
    Përktheu: Xhezair Dashi


    Së pari, duhet që me armikun tënd të flasësh edhe mu në mes të luftës. Së dyti, ky dialog s’do të jetë hiç i këndshëm; e së treti, pasi që kjo të ndodh, është pothuajse e sigurt se do të prodhojë rezultate.

    Ndjehem në ankth kur afrohet Prilli. Ishte para 24 vitesh [shkrimi është i vitit 2016] kur kishte nisur rrethimi i Sarajevës. Që atëherë, Serbia tashmë kishte nisur të shfrytëzonte Ushtrinë Jugosllave për të sulmuar Slloveninë dhe Kroacinë, por ama ne në Sarajevë as që mund ta besonim se lufta ishte e mundshme në Bosnje-Hercegovinë; e assesi jo në qytetin tonë. Besonim se Sarajeva ishte imune ndaj nacionalizmit: Të vetmën gjë që sarajevasit e konsideronin më të keqe se nacionalizmin ishte të qënit homoseksual. Simbas statistikave, çdo e treta martesë ishte etnikisht e përzjerë. Si, pra, do të kishte qenë e mundur lufta mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve që jetonin në qytet? Miku im më i mirë ishte Mladen, punonim në radio stacionin më popullor në Jugosllavi, dhe, edhe pas tërë atyre viteve miqësi, nuk e dija në ishte serb a kroat.

    Kjo është pikërisht çfarë mendonin të afërmit e mi – kushërinjt, që jetonin në zemër të Sarajevës, mu përmbi pjesën e vjetër të qytetit dhe afër vendit ku, më 28 qershor 1914, patrioti i ri serb Gavrilo Princip vrau trashëgimtarin austriak të fronit, Franz Ferdinandin, dhe bashkërshorten e tij Sofinë – aktin e përdorur si pretekst për nisjen e Luftës së Parë Botërore. Në atë ditë pranvere më 1992, kushërinjt e mi po përgatisnin drekën e së dieles. Më i riu, Nadiri, u nis për në shitore të blejë bukë. Me të dalë nga ndërtesa, erdhën goditjet e artilerisë e granatimet. Prindërit dhe motra e tij s’do ta shihnin më kurrë gjashtëmbëdhjetë vjeçarin Nadir të gjallë: rrugës për në spital vdiq nga gjakderdhja, i plagosur e copë-copë prej copëzave të predhave që forcat serbe qëlluan nga kodrat përreth Sarajevës në drejtim të qendrës së qytetit. Shpejt, shkova në banesën e prindërve të Nadirit. Ma caktuan si detyrë t’u përgjigjem thirrjeve telefonike të shokëve të shkollës të Nadirit. I pashëm sa ishte, e gjithmonë i qeshur, Nadir ishte popullor mes miqsh. Dëgjuan se kishte pësuar lëndime dhe isha unë ai që u tregova se Nadiri kishte vdekur rrugës për në spital.

    Për mua, kjo shënoi fillimin e luftës në Bosnje-Hercegovinë. Për gati katër vite, brenda e jashtë, çdo ditë, isha dëshmitar i vuajtjeve të tmerrshme të civilëve të shënjestruar nga artileria serbe dhe snajperët: vranë gati 12 mijë qytetarë, në mesin e të cilëve 1 mijë e 500 fëmijë, dhe plagosën më shumë se 50 mijë. I urreja çetnikët, siç e quanim ushtrinë serbe në kodrat e Sarajevës; i urreja më shumë se këdo në botë. Çdo ditë, civilë, gra, fëmijë, vraheshin rreth meje në një qytet pa ujë, rrymë, ngrohje e ushqim. Veten e konsideroj për agnostik, por pata bërë një marrëveshje private me perëndinë: të më ruajë që të mos bëhem invalid ose të mos u bie i gjallë në duar çetnikëve, ndërsa, si këmbim, do të bëja sa të mundem vepra të mira. Nuk i kërkova Atij të më sigurojë mbijetesën; vdekja s’ishte edhe aq keq pasi që ishte githandej dhe afërsia e saj në njëfarë mënyre perverse edhe i jepte kuptim jetës – një kuptim që s’do ta rikthejë kurrë më.

    Prindërit dhe motra ime patën fatin e miliona refugjatëve nga ish-Jugosllavia e prekur nga lufta. Për shkak të prapavisë së tyre etnike dhe fetare, atyre u desht të ikin për në Mal të Zi, ku kishin jetuar. Të gjitha lidhjet ishin shkundur saqë s’kishin më ndofarë kontakti por disi kuptova që ishin në një kamp refugjatës në veri të Suedisë. Vendosa të provoja të dilja nga Sarajeva për t’i gjetur. Si gazetar, kisha privilegjin e mundësisë për të fluturuar nga Sarajeva në ndonjë prej avionëve ushtarakë që sillnin ndihmë humanitare në qytetin e rrethuar. Sidoqoftë, trupat ndërkombëtare paqeruajtëse, UNPROFOR-i, nuk dëshironte të transportonte gazetarë vendas me automjetet e tyre të blinduara. Në atë seksion të rrugës ishte një post-bllok çetnik, mu aty ku disa ditë më parë çetnikët kishin vrarë zv/kryeministrin boshnjak. S’më zinte gjumi netëve para nisjes për në aeroport, kryesisht për shkak të frikës se çetnikët do të ndalonin gjipin e UNHCR-së në të cilin do të isha. Shoferin e kisha mik, dhe më ofroi të më voziste për në aeroport. Për të më ngushëlluar, më tha se çetnikët vetëm herë-herë ndalonin vetura për të parë “mos po bartnin myslimanë”. Kisha frikë të madhe se çetnikët do të më njihnin si një gazetar i mirënjohur dhe të merrnin: sidoqoftë, dëshira për të gjetur prindërit dhe motrën ishte më e madhe. Mëpastaj mora një vendim: do të huazoja një pushkë, ta merrja deri në aeroport, dhe, nëse çetnikët do të na ndalonin, do të vrisja së paku dy nga ta e më pastaj edhe veten. Plani më dukej i përsosur dhe bindës, por vetëm deri në atë natë para nisjes. Por, pastaj pyeta veten: çka nëse gjërat shkojnë keq? Kurrë s’kisha mbajtur pistol në dorë, çka nëse do t’ia dilja të gjuaja dy prej atyre e për ndonjë arsye të më bllokohej dhe t’u bie në duar atyre? Anipse mendimi që të vrijsa dy çetnikë më dukej joshës, vendosa të luaj të sigurtin dhe të ndërroj planin: nëse na ndalojnë – do t’ia kris vetes plumbin menjëherë. Nuk na ndalën: qëndruan disa metra larg nesh, vetëm panë gjipin që kalonte me ngadalë nëpër pengesat që kishin vendosur në rrugë. Ndërkohë, dridhesha nga frika: duke e mbajtur pushkën me dorë në xhep dhe duke iu lutur perëndisë që të mos bllokohej nëse më binte rasti ta përdor, derisa sekondat më dukeshin vite.

    I shkrova të gjitha këto për shkak të një përvoje që pata gjatë një vizite në Ukrainë disa muaj më parë. Në Kharkiv, gjithçka më kujtoi luftën në Bosnje. Ukrainasit po luftonin me një armik jashtëzakonisht superior që po përdorte fuqinë e tij ushtarake për të rrëmbyer pjesë të atdheut të tyre. Megjithatë, përshtypja më e habitshme që solla nga Kharkiv ishte e lidhur me një diskutim që patëm në një galeri të vogël arti. Isha me një grup të larmishëm shkrimtarësh, gazetarësh, profesionistësh në fushën e kulturës dhe profesorë universitetesh nga disa vende evropiane. Ishim mbledhur nga Fondacioni Gjerman S. Fischer për të diskutuar të ardhmen e Evropës me kolegët tanë ukrainas. Ajo që e bënte këtë diskutim ndryshe ishte fakti se, për herë të parë që nga shpërthimi i luftës, një nga kampionët e propagandës ruse të luftës, një poete dhe gazetare nga një pjesë e afërt e Ukrainës së pushtuar, erdhi në Kharkiv. Diskutimi u organizua si një ngjarje me dyer të mbyllura në mënyrë që të merrnin pjesë vetëm gazetarë vendas dhe intelektualë të ftuar. Arsyeja për këtë ishte shqetësimi i mikpritësit për sigurinë e ngjarjes: lajmi për mbërritjen e kampiones ruse të propagandës në Kharkiv ishte përhapur shpejt në të gjithë qytetin, një shkak për shqetësim të madh për organizatorët.

    E ndoqa me shumë vëmendje dialogun mes të ftuarës dhe mikpritësve. Ajo ishte e hapur, arrogante dhe krejtësisht e pandjeshme ndaj fjalëve emocionale të artistëve dhe gazetarëve të shumtë ukrainas. Ajo u soll në të njëjtën mënyrë ndërsa dëgjonte dëshmitë e tyre personale për brutalitetin e krimeve që trupat e agresorit kishin kryer kundër ukrainasve. Asaj nuk i bëri aspak përshtypje dëshmia e një artisti të ri, i cili u rrah dhe u mbajt në një burg të improvizuar për ditë të tëra pa asnjë aktakuzë. Pandjeshmëria e saj bëhej gjithnjë e më irrituese, ndërsa mikpritësit bëheshin gjithnjë e më nervozë. Askush nuk lëvizte, por kishte një ndjenjë që një qark po rritej në ajër dhe thuajse po shtrëngohej dukshëm rreth të ftuares. Fillimisht, fillova të ndihesha i shqetësuar dhe më pas ndjeva gjithnjë e më shumë frikë se e ftuara provokuese mund të ndjente forcën fizike të zemërimit të mikpritësve të saj. Fillova të shikoja rreth e rrotull kolegët e mi të huaj dhe munda të shihja se ata ndiheshin njësoj. Ne ishim ulur aty, të paralizuar, ndërsa atmosfera bëhej gjithnjë e më elektrike. Pastaj, fillova të frikësohesha nga ajo që mund të më pasonte, madje ndjeva njëfarë simpatie për të ftuarën, poeten nga Luhansk. Për herë të parë vura re se edhe ajo kishte frikë. Kuptova se duhej të bëja diçka për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve që po nxitonin drejt një përfundimi të pakëndshëm. U ngrita në këmbë dhe ndërpreva ndërhyrjen e një prej mikpritësve të irrituar, i cili iu afrua kërcënueshëm mysafires, më pas godita me të madhe këmbën në dysheme dhe – funksionoi!

    Të gjithë më shikonin të përçudnuar, sikur nuk e kuptonin pse po përpiqesha t’ua largoja vëmendjen në mes të “dialogut” që po i afrohej një kulmi të padëshiruar. Thashë se ky lloj diskutimi mes mikpritësve dhe mysafires së tyre ishte i pakuptimtë. U kërkova të tregonin respekt për faktin që mysafirja e tyre guxoi të vinte në Kharkiv. Nga ana tjetër, u thashë se e admiroja gatishmërinë e tyre për të biseduar me dikë që e konsideronin si zëdhënës të një agresori të padrejtë, që u ka shkaktuar shumë dhimbje dhe vuajtje si atyre ashtu edhe në vendlindjen e tyre. “Me gatishmërinë tuaj për të folur, i keni thyer këmbën djallit” – citova fjalët që një politikan boshnjak përdori pas luftës për të përshëndetur vizitën e parë të kolegëve të tij serbë në një takim të organizuar në Sarajevë. Unë shtova se e dija shumë mirë, si dikush që vjen nga Sarajeva, se sa e vështirë është të fillosh një dialog me dikë që është armiku yt. Fjalët e mia patën efekt. Biseda mes atyre që deri atëherë nuk ishin veçse bashkëbisedues të shurdhër lundroi në një port të qetë. Miqtë dhe kolegët e mi në grupin e të huajve më përgëzuan për ndërhyrjen time. Më falënderuan sepse, ashtu si unë, edhe ata panë që diskutimi mes mikpritësve dhe mysafires së tyre të çuditshme mund të kishte përfunduar në mënyrën më të padëshirueshme të mundshme.

    Kështu, në Ukrainë konfirmova atë që mësova nga lufta në Bosnje dhe Hercegovinë. Së pari, duhet të flasësh me armikun tënd edhe në mes të luftës, së dyti, ai dialog nuk do të jetë aspak i lehtë apo i këndshëm; dhe së treti, ia vlen të provohet, pasi kur të ndodhë, është pothuajse e sigurt se do të japë rezultate të dobishme.

    Më kujtohet kur, gjatë rrethimit të Sarajevës, trupat e UNPROFOR-it më transportuan mua dhe disa kolegë nga qyteti në aeroport, për të raportuar nga një takim midis komandantëve të luftës nga pala boshnjake dhe serbe. Pas përfundimit të luftës, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Hagë dënoi të gjithë komandantët serbë që morën pjesë në atë takim për mizori të rënda. Megjithatë, për bashkësinë ndërkombëtare ata ishin, në atë moment, vetëm “udhëheqësit e njërës palë në konflikt”. Ata erdhën në takim të shoqëruar nga gazetarët e tyre, puna e turpshme gazetareske e të cilëve dha mbështetje mediatike për krimet e tmerrshme. UNPROFOR-i na vendosi në një dhomë të vogël për të pritur me orë të tëra fundin e takimit për të cilin duhej të raportonim. Në fillim, dhe për dy orë të mira, ne shikonim njëri-tjetrin vetëm nga këndet tona përkatëse, diagonalisht nëpër dhomë dhe me armiqësi të madhe. Pastaj, për dy orë të tjera, filluam të pyesnim për fatet e luftës të njerëzve që i njihnim në anën kundërshtare. Dhe pastaj filluam të komunikonim në një mënyrë më të relaksuar, duke zbuluar se ata të tjerët ndoshta nuk janë aq të neveritshëm, jo armiqtë e urryer që i kishim perceptuar se ishin vetëm disa orë më parë. Bisedat e vogla për çështje të vogla, sikur të ishim kolegë në një vend shumë më të lumtur, dukej se na bënte që armiqësia jonë reciproke të shkrihej në mënyrë mjaft efektive. E pyeta kolegun tim serb, Vedranin, i cili ishte po aq i ri sa unë, se çfarë lloj muzike i pëlqente. Kur ai u përgjigj, nuk mund të ruaja më korrektësinë politike dhe komunikuese që kishim mbajtur deri atëherë. Fillimisht mallkova dhe më pas shtova: “Si për hir të Zotit mund të dëgjosh Pink Floyd dhe të mbështesësh kriminelët e luftës si këta?!”.

    Ai dhe të gjithë kolegët e të dyja palëve filluan të qeshin me të madhe. Ia kisha “thyer këmbën djallit” dhe që atëherë, sa herë që shkoj në Banja Llukë në pjesën e Bosnjë-Hercegovinës që tani quhet Republika Srpska, takoj Vedranin. Nuk e kemi diskutuar asnjëherë këtë përballje lufte, por e di që ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme që kishim biseduar, qoftë edhe si armiq./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!