×
  • Prospect
  • Prospect

    Si u ndanë Kamy dhe Sartri rreth çështjes të së qënit i lirë

    Reporteri
    25 Nëntor 2022 | 17:53
    Albert Kamy, filozof

    Autor: Sam Dresser
    Përktheu: Xhezair Dashi


    Ishin dyshe e çuditshme. Albert Kamy ishte francez algjerian, një pied-noir* i lindur në varfëri e me karakteristika egoiste. Zhan Pol Sartri, nga shtresat më të larta të shoqërisë franceze, kurrë s’ngatërrohej për ndofarë burri të pashëm. U takuan në Paris gjatë Okupimit dhe u bënë të afërm pas Luftës së Dytë Botërore. Asokohe, kur dritat e qytetit po rindezeshin, Kamyja ishte miku më i afërm i Sartrit. “Sa shumë të donim atëbotë”, shkroi më vonë Sartri.

    Ishin ikona të ndritshëm të epokës. Gazetat raportonin lëvizjet e tyre të përditshme. Sartri strukej në Les Deux Magots, Kamyja peripatetik i Parisit. Gjersa qyteti nisi të rindërtohej, Sartri dhe Kamyja i dhanë zë disponimit të kohës. Evropa ishte flijuar, por hiri i lënë nga lufta krijoi hapësirë për të paramenduar botë të re. Lexuesit i kishin sytë kah Sartri e Kamyja për ta artikuluar këtë botë të re dhe se si do të dukej ajo. “Ishim aty t’i jepnin epokës së pasluftës ideologjinë e saj”, rikujtonte më vonë filozofja Simone de Beauvoir.

    Erdhi në formën e ekzistencializmit. Satri, Kamy dhe shoqëruesit intelektualë të tyre mohuan fenë, inskenuan dramat shqetësuese të tyre, sfiduan lexuesin të bëjë jetesë autentike, dhe shkronin për absurditetin e botës – botë pa asnjë qëllim e vlerë. “[Ka vetëm] gurë, trup prej mishi, yje, dhe ato të vërteta që dora s’i prek dot”, shkruante Kamy. Neve na duhet të zgjedhim të jetojmë në këtë botë dhe përmbi të ta projektojmë vetëkuptimin dhe vlerën tonë sa për t’i dhënë kuptimësi asaj. Kjo do të thotë që njerëzit janë të lirë dhe kjo është barra e tyre, pasi që me lirinë vjen edhe përgjegjësia e tmerrshme dhe e shtangshme e të jetuarit dhe të vepruarit autentikisht.

    Nëse ideja e lirisë i ngjiste filozofikisht Sartrin dhe Kamynë, politikisht i bashkonte beteja për drejtësi. Ishin të përkushtuar të ballafaqoheshin dhe të shëronin padrejtësinë, dhe, në sytë e tyre, asnjë grup njerëzish s’ishin më të keqtrajtuar se punëtorët, proletariati. Kamyja dhe Sartri i shihnin ata të prangosur në punën e tyre dhe të shkyçur nga të qënit përbrendësisht njerëz. Për t’i çliruar, duheshin sisteme të reja politike.

    Në tetor 1951, Kamyja publikoi veprën “I revoltuari”. Në të, ai i dha ashpërsisht zë “revoltës filozofike”. Kjo nuk ishte sistem politik per se, por një shkrirje e ideve politike dhe filozofike: çdo njeri është i lirë, por vetë liria është relative; duhet të përqafojmë limitet, vetëpërmbajtjen, dhe “rreziqet e kalkuluara”; absolutet janë anti-njerëzore. Por, më së tepërmi, Kamyja e dënonte dhunën revolucionare. Dhuna mund të përdoret në situata të skajshme (ai e mbështeste përpjekjen franceze të luftës, në fund të fundit), por përdorimi i dhunës revolucionare për të shkundur historinë në drejtimin që e dëshironi ju, është utopike, absolutiste, dhe tradhti ndaj vetes.

    “Liria absolute është e drejta e më të fortit për të dominuar”, shkruante Kamy derisa “drejtësia absolute fitohet nga shtypja e të gjitha kundërthënieve: prandaj edhe e shkatërron tërë lirinë”. Konflikti mes drejtësisë dhe lirisë kërkonte një ri-balancim të vazhdueshëm, vetëpërmbajtje politike, pranim dhe përqafim i asaj që na kufizon më së shumti neve: të qënit njerëzor. “Të jetohet e të lihet jeta të vijë”, tha ai, “në mënyrë që të krijojmë atë çfarë jemi”.

    Sartri e lexoi “Të revoltuarin” me neveri. Për aq sa mendonte ai, ishte e mundshme të arrihej drejtësia dhe liria e përsosur – kjo përshkruante arritjen e komunizmit. Nën kapitalizëm, dhe në varfëri, punëtorët s’kishin se si të jenë të lirë. Opsionet e tyre ishin pakëndshme dhe hiç të njerëzishme: të punosh një punë të shpifur dhe tjetërsuese, ose të vdesësh. Por, duke e hequr qafesh shtypësin dhe duke ua kthyer gjerësisht autonominë punëtorëve, komunizmi do të lejonte secilin individ të jetonte pa mungesa materiale, dhe rrjedhimisht, të zgjidhte se si do të realizonte veten. Kjo i bën ata të lirë, dhe përmes kësaj barazie të palakueshme, është edhe e drejtë.

    Problemi është se, për Sartrin dhe shumë të tjerë në të Majtën, komunizmi kërkonte dhunë revolucionare të fitonte sepse rendi ekzistues duhej thyer. Jo të gjithë majtistët, natyrisht, përqafonin këtë dhunë. Kjo çarje mes majtistëve të ashpër dhe të moderuar – gjerësisht, mes komunistëve dhe socialistëve – nuk ishte gjë e re. Vitet e 30’a dhe të 40’at e hershme, sidoqoftë, ngjanë asisoji që e Majta përkohësisht u bashkua kundër fashizmit. Me shkatërrimin e fashizmit, shkëputja mes majtistëve të dhunshëm dhe atyre të moderuar, u rikthye. Ndarja u bë edhe më dramatike kur e Djathta praktikisht u zhduk dhe u ngrit Bashkimi Sovjetik – i cila fuqizonte të ashprit anekënd Evropës, por ngriste pyetje shqetësuese mes komunistësh pas tmerreve të gullagëve; terrori doli në dritë. Pyetja që secilit majtist i mbetej t’ia shtronte vetes ishte: në cilën anë je ti?

    Me botimin e “Të revoltuarit”, Kamy u deklarua për një socializëm paqësor që nuk do të përkthehej në dhunë revolucionare. Ishte i tronditur nga tregimet që vinin nga BRSS-ja; nuk ishte një shtet i komunistëve krah më krah, që jetonin lirshëm, por një vend pa asnjë fije lirie. Sartri, ndërkohë, do të luftonte për komunizëm, dhe ishte i përgatitur edhe për dhunë në të.

    Ndarja mes dy miqve ishte senzacion medial. “Les Temps Moderne” – revista që e redaktonte Sartri, e cila edhe botoi një rivlerësim kritik të “Të revoltuarit” – u shit tre fish më shumë. Le Monde dhe L’Observateur pa frymë e mbuluan rënien. Është e vështirë të paramendoni një përleshje intelektuale që kapte at nivel të vëmendjes së publikut sot, por, në këtë mospajtim, shumë lexues shihnin krizën politike të kohës që pasqyrohej tek vetja e tyre. Ishte një mënyrë e të shikuarit të lojës politike në një botë idesh, dhe një matje e vlefshmërisë së atyre ideve. Nëse jeni plotësisht i përkushtuar ndaj një ideje, a jeni në gjendje të vritni për të? Çfarë çmimi për drejtësinë? Çfarë çmimi për lirinë?

    Pozicioni i Sartrit ishte përplot kundërthënie, me të cilat ai u përpoq gjatë tërë jetes të merrej. Sartri, ekzistencialisti, i cili thoshte se njerëzit janë të dënuar të jenë të lirë, ishte gjithashtu Sartri, marksist, i cili mendonte se historia nuk i lejon dikujt shumë hapësirë për liri të njëmendtë në kuptimin ekzistencial. Megjithëse ai kurrë nuk u bashkua me Partinë Komuniste Franceze, ai do të vazhdonte të mbronte komunizmin në të gjithë Evropën deri në vitin 1956, kur tanket sovjetike në Budapest e bindën atë, më në fund, se BRSS-ja nuk e mbante rrugën përpara. (Në të vërtetë, ai ishte i tmerruar nga sovjetikët në Hungari, sepse ata po silleshin si amerikanët, thoshte vetë ai.) Sartri do të mbetej zë i fuqishëm i të majtës gjatë gjithë jetës së tij dhe zgjodhi presidentin francez Charles de Gaulle si të preferuarin e tij për ta goditur. (Pas një sulmi veçanërisht të ashpër, de Gaulle-it iu kërkua të arrestonte Sartrin. “Nuk e burgos Volterin”, u përgjigj ai). Sartri megjithatë mbeti i paparashikueshëm dhe ishte i përfshirë në një lidhje të gjatë dhe të çuditshme me maoizmin e vijës së ashpër kur vdiq në vitin 1980. Edhe pse Sartri u largua nga BRSS, ai kurrë nuk e braktisi plotësisht idenë se dhuna revolucionare mund të miratohej.

    Dhuna e komunizmit e çoi Kamynë në një trajektore tjetër. “Më në fund,” shkroi ai tek “I revoltuari”, “Unë zgjedh lirinë. Sepse edhe nëse drejtësia nuk realizohet, liria ruan fuqinë e protestës kundër padrejtësisë dhe e mban komunikimin të hapur”/ Nga ana tjetër e Luftës së Ftohtë, është e vështirë të mos simpatizosh Kamynë dhe të pyesësh veten për entuziazmin me të cilin mbeti Sartri, atë të një komunisti besnik. Përqafimi i Kamysë i realitetit politik të kthjellët, i përulësisë morale, i kufijve dhe i njerëzimit gabimtar, mbetet mesazh që merret parasysh mirë sot. Edhe idetë më të nderuara dhe më të denja duhet të balancohen me njëra-tjetrën. Absolutizmi dhe idealizmi i pamundur që ai frymëzon, është një rrugë e rrezikshme përpara – dhe arsyeja pse Evropa u zhyt në hi, ndërsa Kamyja dhe Sartri përpiqeshin të imagjinonin një botë më të drejtë dhe më të lirë. /Reporteri.net/.

    *[shënim i përkthyesit: person me origjinë evropiane që jetonte në Algjeri gjatë sundimit francez, veçanërisht ata që u kthyen në Evropë pasi Algjerisë iu dha pavarësia]

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!