Reperi nga Shqipëria, Rigels Rajku i njohur si Noizy dhe disa persona të tjerë dy ditë më parë dyshohet se janë përfshirë në një rrahje në një nga diskotekat e Pejës.
Dy persona kërkuan ndihmë mjekësore në spital, njëri nga ta Muhamed Iseni, i cili u vetëdeklarua i rrahur në këtë incident. Për këtë incident deri tani persona të arrestuar nuk ka.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i ka thënë për Reporteri.net se Noizy nuk është paraqitur në stacionin policor përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij, andaj i ka bërë thirrje reperit dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Nikqi ka thënë se të gjithë qytetarët që janë në dijeni të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit (Noizy) dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese. Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial nëve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi për Reporteri.net.
Kujtojmë se Noizy ka mohuar se ka qenë i përfshirë në rrahje. Ai përmes një postimi në Instagram ka thënë se në momentin që kishte shpërthyer përleshja, sigurimi e kishte shoqëruar jashtë dhe se nuk e kishte goditur për asnjë çast personazhin e tik-tokut.
“Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qen aty në atë moment”, ka shkruar ndër të tjera reperi Noizy.