Kalo te përmbajtja
Reklamë

Instant

Publikohet në Youtube kënga e Ilir Shaqirit “Jo në emrin tim”

Reporteri 1 min lexim

Është publikuar në Youtube, kënga e artistit të madh Ilir Shaqiri me titullin “Jo në emrin tim”.

Teksti dhe muzika e bërë po nga Ilir Shaqiri, orkestrimi nga Korab Shaqiri.

Kjo këngë u këndua për herë të madh më 1 tetor, në protestën më të madhe në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së.

Reklamë

Më poshtë e gjeni këngën e plotë:

Live: përditësimet e fundit

30 përditësime · 24 orët e fundit
  1. Reklamë

    Reporteri

    Intervenimi i Policisë në protestë, IPK: Kemi pranuar ankesë nga një qytetar, po monitorojmë veprimet

    Inspektorati Policor i Kosovës, ka njoftuar se ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Në komunikatë thuhet edhe se, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

    ‘’ Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës’’, thuhet në njoftim.
    Komunikatë për media:

    IPK monitoron reagimin policor gjatë protestës dhe fillon hetim paraprak për vlerësimin e veprimeve policore dhe përdorimit të forcës

    Prishtinë, 10 tetor 2026

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në kuadër të mandatit ligjor dhe sipas detyrës zyrtare, ka monitoruar angazhimet, veprimet dhe reagimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Për realizimin e këtij monitorimi, IPK ka aktivizuar planin operativ dhe ka angazhuar zyrtarët e saj të cilët kanë përcjellë nga afër mënyrën e menaxhimit të protestës, ndërveprimin e zyrtarëve policorë me protestuesit, përdorimin e forcës, si dhe përdorimin e pajisjeve dhe mjeteve të tjera të autorizuara.

    Në ndërkohë, hetuesit e IPK-së kanë pranuar një ankesë, e përcjellë përmes Policisë së Kosovës, në të cilën një qytetar pretendon për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

    Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë monitorimit, pamjet e publikuara në media dhe burime të tjera relevante, si dhe në kuadër të autorizimeve ligjore, IPK ka iniciuar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar me qëllim të vlerësimit të veprimeve policore gjatë menaxhimit të protestës.

    IPK do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të mandatit ligjor për të sqaruar rrethanat dhe bazuar në gjetjet e hetimit preliminar, do të vlerësojë hapat e mëtejmë që mund të ndërmerren.

    IPK mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të pavarur, me qëllim të garantimit të respektimit të ligjshmërisë, të drejtave të qytetarëve dhe standardeve profesionale në zbatimin e ligjit.

    Hape si lajm
  2. Reklamë

    Reporteri

    Musliu për Drejtorin e Policisë: Gazmend Hoxha dha urdhra politikë nga zyrat e Grupit Parlamentar të VV-së

    Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka akuzuar drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, se në protestën e djeshme i dha urdhrat nga zyrat e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

    Musliu tha se qytetarët u goditën natën me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore derisa po protestonin paqësisht.

    “Gazmend Hoxha, nga zyrat e Grupit Parlamentar të VV-së, me urdhra politikë, Policia e Kosovës u përdor për të sulmuar qytetarët që po protestonin paqësisht. Kjo është e pafalshme! Tri javë protestë paqësore, pa incidente, dhe në vend të përgjigjes institucionale, qytetarët u goditën natën, në terr, me gaz lotsjellës, topa gome dhe forcë policore”, tha Musliu.

    Deputetja e PDK’së më pas pyeti: “Kush e dha urdhrin? Kush e autorizoi këtë veprim? Kush vendosi që ndaj protestuesve paqësorë të përdorej kjo forcë?”.

    Musliu tha se Inspektorati Policor i Kosovës duhet të reagojë menjëherë dhe të nisë hetim të plotë për zinxhirin komandues dhe urdhrat e dhënë.

    “Ky nuk mund të mbetet një incident pa përgjegjësi. Mos e përdorni Policinë e Kosovës për urdhra politikë! Dëmi që po i bëhet besimit të qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës është i madh. Policia duhet t’i shërbejë ligjit dhe qytetarëve, jo pushtetit politik. Pabesia në terr ndaj protestuesve paqësorë nuk mund të kalojë në heshtje. Duhet hetim. Duhet përgjegjësi”.

    Hape si lajm
  3. Reklamë

    Reporteri

    Haziri: Protesta ishte e qetë deri kur Policia reagoi brutalisht, një shokut tonë ia thyen këmbën

    Organizatori i protestave të përnatshme në shesh nën parullën “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri e quajti të papranueshme sjelljen e Policisë dje, ndërsa shprehu keqardhje për të gjitha incidentet.

    Haziri kërkoi edhe sot miratimin përfundimtar të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

    “Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, tha ai.
    Haziri tha se ndjen keqardhje për çdo incident, por shtoi se Policia e ka nisur eskalimin.

    “Jemi munduar në vazhdimësi që protesta të jetë e qetë, deri kur Policia ka gjuajtur gaz lotsjellës, e njërit nga shokët tanë ia kanë thyer edhe këmbën”, tha ai.

    Ai tha se nuk e kupton se si Policia u ndikua që të reagonte ashtu ndaj protestuesve.

    “Zëri ynë nuk është dhuna e huliganizmi”, tha ai.

    Haziri tha se kryeministri Albin Kurti “po tenton të na i marrë edhe sheshet”.

    Hape si lajm
  4. Reklamë

    Reporteri

    Policia paralajmëron masa të shtuara për protestën e sotme në Prishtinë, tregon sa policë e protestues u lënduan mbrëmë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për protestën e paralajmëruar për sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e cila lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    Policia ka bërë të ditur se do të ketë prani të shtuar të njësive policore para, gjatë dhe pas protestës, ndërsa në varësi të situatës në terren mund të ketë edhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit.

    Sipas Policisë, pas zhvillimeve të mbrëmshme, ku protestues të caktuar hodhën mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, njësitë policore përdorën sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka njoftuar se gjatë protestës së mbrëmshme janë arrestuar tre persona. Dy prej tyre, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Si pasojë e zhvillimeve, sipas të dhënave zyrtare të Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë ose protestues dhe një gazetar, të cilët po ashtu kanë marrë trajtim mjekësor.

    Policia ka bërë të ditur se, pas veprimeve të ndërmarra gjatë protestës, ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), si autoritet kompetent, për vlerësimin e çdo dyshimi të mundshëm për tejkalim të autorizimeve policore.

    Institucioni ka theksuar se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime dhe protesta të qeta, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

    Për menaxhimin e situatës, sipas Policisë, janë angazhuar edhe ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe institucionet e tjera emergjente.

    Policia ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren për të garantuar sigurinë publike, rendin, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës së sotme.

    Hape si lajm
  5. Reklamë

    Reporteri

    Kurti hesht për takimet me Hamzën dhe seancën për Specialen

    Kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë përgjigje nëse gjatë ditës së sotme do të zhvillohen takime të reja me partitë politike, apo nëse do të thirret seanca për votimin, në lexim të dytë, të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    I pyetur për këto dy çështje, Kurti ka thënë shkurt se për to do të flasë në Kuvend dhe në Qeveri.

    “Do të flasim prej Kuvendit e Qeverisë për këto çështje”, tha ai para gazetarëve.

    Hape si lajm
  6. Reklamë

    Reporteri

    Çitaku: Kurti dhe 91 deputetët ta votojnë Ligjin për Specialen

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe 91 deputetëve që ta votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara.

    “Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar. Edhe njëherë i bëjmë thirrje Albin Kurtit që të vijë në Kuvend dhe ta votojmë ligjin.

    Është shumë e rëndësishme që vendi të ketë stabilitet dhe është shumë e rëndësishme që zëri i qytetarëve të Kosovës, i cili është dëgjuar tash e disa kohë në sheshin e Prishtinës dhe në diasporë, të materializohet me një ligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.

    Hape si lajm
  7. Reklamë

    Reporteri

    Endrit Thaçi: E turpshme të kemi qeveri që godet mbi veteranë e fëmijë dëshmorësh, pabesi që s’harrohet

    Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi, ka komentuar ngjarjet e mbrëmshme gjatë protestës para Kuvendit ku u kërkua votimi në lexim të dytë i Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Thaçi i përshkroi si “të turpshme” veprimet e policisë ndaj protestuesve, duke akuzuar Qeverinë për to.

    “Në kohërat më të vështira, i gjithë populli ishte me UÇK. Është e turpshme se sot kur jetojmë në liri që e solli UÇK, të kemi një qeveri që godet mbi veteranë, mbi fëmijë dëshmorësh. Pabesi që kurrë nuk do të harrohet”.

    Po ashtu, Endrit Thaçi bëri thirrje për të dalë në protestën e sotme, e cila u paralajmërua nga ora 12:00.

    Hape si lajm
  8. Reklamë

    Reporteri

    Qytetarët fillojnë të mblidhen para Kuvendit të Kosovës

    Tani kanë nisur të mblidhen qytetarët në sheshet e Prishtinës për të protestuar për miratimin e Projektligjit me ndryshime të Ligjit për Specialen.

    Protesta është ftuar nga OVL-UÇK, derisa organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri ka njoftuar për mbajtjen e një proteste popullore sot në ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.

    Përmes një thirrje në rrjetet sociale, Haziri ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke theksuar se kërkesa lidhet me miratimin e Ligjit për UÇK-në.

    Sonte, në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

    Hape si lajm
  9. Reklamë

    Reporteri

    Hamza i bën thirrje Kurtit dhe Haxhiut: Thirreni seancën, ta votojmë Ligjin për Specialen

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke deklaruar se nuk ka asnjë pengesë për miratimin e tij.

    Hamza tha se kërkesa e PDK-së është e qartë dhe se çështja e këtij ligji nuk duhet të trajtohet si përkatësi e një partie politike. Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin Albin Kurti lidhur me këtë çështje.

    “Jo, ne nuk kemi pasur komunikim. Kërkesa jonë është e qartë: të thirret seanca dhe ligji të votohet në lexim të dytë. Nuk ka as vështirësi, asnjë pengesë”, tha Hamza, njofton Klankosova.tv.

    Kreu i PDK-së tha se partia e tij ka kërkuar vazhdimisht që ligji të votohet në të dyja leximet.

    “Ne kemi folur vazhdimisht, kemi thënë që ligji duhet të votohet në të dyja leximet, duhet të aprovohet. Kjo nuk është çështje që i takon një partie politike. UÇK-ja ka ekzistuar para se të ekzistonte PDK-ja dhe partitë e tjera. Në të gjitha partitë ka ushtarë të UÇK-së. UÇK-ja është derivat i popullit të Kosovës”, tha ai.

    Hamza u bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti, kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe deputetëve që ta procedojnë çështjen dhe ta votojnë ligjin në lexim të dytë.

    “I bëj ftesë Kurtit, Kuvendit dhe Haxhiut që ta thërrasin seancën, të na thërrasin deputetëve dhe ta aprovojmë ligjin në lexim të dytë”, deklaroi Hamza.

    Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Hamza tha se kjo çështje është e ndarë nga miratimi i Ligjit për Specialen dhe se fillimisht duhet të përfundojë procesi i votimit të ligjit.

    “Presidenti është e ndarë. Kryhet ligji në lexim të dytë, atëherë vijnë çështjet e tjera”, tha ai.

    Hamza u shpreh kundër shkuarjes së vendit në zgjedhje, duke thënë se ekzistojnë mundësi për bashkëpunime të tjera politike.

    “Nuk besoj që vendi duhet me shku në zgjedhje. Ka pasur opsione: s’po të pëlqen me PDK-në, bëje me LDK-në. Me LDK-në s’po më pëlqen, me PDK-në s’po më pëlqen. Me LDK-në kritere të tjera, me PDK-në kritere të tjera. Është përgjegjëse për situatën e krijuar në vend”, tha Hamza.

    Në fund, kryetari i PDK-së tha se i vjen keq për zhvillimet e fundit politike në vend.

    Hape si lajm
  10. Reklamë

    Reporteri

    Gruda – Vetëvendosjes: Ligjit nuk keni ku t’i ikni, ai do të miratohet

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar LVV-në lidhur me protestën e mbrëmshme në Prishtinë, duke akuzuar Policinë për përdorim të dhunës ndaj protestuesve.

    “Shteti ikën nga përgjegjësia për ta mbështetur dhe mbrojtur UÇK-në në gjyq, ndërsa Policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve që protestojnë për miratimin e ligjit. Por ligjit nuk keni ku t’i ikni. S’keni rrugë tjetër, ai do të miratohet. Pamë fytyrën e vërtetë të pushtetit të VV-së”, ka shkruar Gruda në Facebook, duke e cilësuar ndërhyrjen policore si “dhunë brutale” ndaj protestuesve.

    Ai është shprehur gjithashtu i bindur se ndryshimet në Ligjin për Specialen do të kalojnë në Kuvend të martën.

    Sipas Grudës, institucionet nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë për mbështetjen e UÇK-së dhe se, pavarësisht zhvillimeve të fundit, ligji pritet të miratohet.

    Hape si lajm
  11. Reklamë

    Reporteri

    Qorrolli: Ta votojmë presidentin dhe projektligjin për Specialen, nuk është dita për ta çuar vendin në prapakthim

    Deputeti dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka thënë se sot duhet të votohet presidenti, por edhe Projektligji për Specialen. Përmes një statusi në Facebook ka shkruar se të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim – që vendit t’i japin institucione funksionale.

    “Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë Presidentin dhe e votojmë Projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim — t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, ka shkruar ai.

    Sipas Qorrollit, shkuarja në zgjedhje e lëndon procesin në Hagë dhe Republikën e Kosovës.

    “Do t’i bini pishman nëse veproni me këtë mllef e maraz prej foshnjorakësh politik”, ka shkruar ai.

    Sot është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e presidentit, afat të cilin e ka caktuar Gjykata Kushtetuese. Të hënën fillimisht në Komisionin për Legjislacion e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës ka kaluar në parim Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen. Por Kuvendi i ka mbyllur punimet pa u proceduar mocioni i PDK-së për procedurën e përshpejtuar të miratimit në lexim të dytë brenda të njëjtës ditë. LVV-ja që i ka dhënë mbështetje projektligjit ka kërkuar që të arrihet dakordimi edhe për zgjedhjen e presidentit, me arsyetimin se kanë mbetur vetëm 24 orë afat për të evituar zgjedhjet e parakohshme, ndërsa PDK-ja këtë çështje e ka vlerësuar më pak urgjente sesa projektligji.

    Hape si lajm
  12. Reklamë

    Reporteri

    “Jo në emrin tim” thërret protestë për në orën 12:00: Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot!

    Platforma “Jo në emrin tim” ka thirrur protestë sot në orën 12:00 me kërkesën për miratim në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. 

    Protesta do të mbahet në sheshin “Skenderbeu”.

    “Sot, ora 12:00, Sheshi ‘Skënderbeu’. Protestë popullore. Ligji për UÇK-në duhet të kalojë sot!

    Shihemi në shesh!”, thuhet në thirrjen për protestë.

    Ndërkohë që nga ora 9:00 Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka thirrur një protestë tjetër.

    OVL-UÇK u ka bërë thirrje kategorive të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarëve që të mblidhen në sheshin e Prishtinës, duke theksuar se “duhet të jenë të bashkuar dhe me dinjitet”.

    Hape si lajm
  13. Reklamë

    Reporteri

    Çitaku, Kurtit: Eja në Kuvend, ta votojmë ligjin, mos nxit, mos provoko

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shkojnë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin.

    Çitaku në një postim në Facebook shkruan se sot nuk duhen përplasje, por qetësi dhe guxim politik.

    Lexoni të plotë reagimin:

    Albin,

    Eja në Kuvend. Eja dhe ta votojmë ligjin.

    Mos nxit. Mos provoko. Mos e urdhëro policinë të ushtrojë dhunë ndaj vajzave e djemve që sot janë në sheshe duke kërkuar drejtësi për një vepër që na dha lirinë.

    Sot nuk na duhen përplasje. Nuk na duhen tensione. Nuk na duhet dhunë.

    Na duhet përgjegjësi. Na duhet qetësi. Na duhet guxim politik.

    E ke për detyrë të jesh në Kuvend. E ke për detyrë të dëgjosh qytetarët. E ke për detyrë të votosh.

    Sepse kjo nuk është për një parti. Nuk është për një emër. Nuk është për një mandat.

    Është për UÇK-në.

    Është për historinë tonë.

    Është për dinjitetin e atyre që luftuan.

    Është për brezat që do të vijnë.

    UÇK-ja na bashkon. Sot më shumë se kurrë.

    Hape si lajm
  14. Reklamë

    Reporteri

    Edhe sot protestë në Prishtinë, pas asaj që eskaloi mbrëmë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për sot ka thirr protestë në Prishtinë.

    OVL e UÇK-së u ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së që qysh në orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës.

    “Popull i dashur, Kategori të dala nga lufta e UÇK-së, Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në njoftimin e OVL e UÇK-së, të publikuar të hënën në mbrëmje.

    Mbrëmë pas një nate të tensionuar në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar rreth protestës, ku janë shënuar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.

    Sipas Policisë, gjatë protestës disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

    Siç thuhet në njoftim, për shkak të situatës, Policia thotë se ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin, duke përdorur pajisjet policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka bërë të ditur se tre persona janë shoqëruar në stacion policor, për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime në kundërshtim me ligjin.

    Sipas Policisë, ndaj tyre veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Ndërkohë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme si pasojë e hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe, në disa raste, edhe ndaj policëve që ishin në detyrë.

    Policia ka njoftuar se të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.

    Edhe 11 qytetarë apo protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës.

    Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka bërë të ditur se 12 persona janë lënduar gjatë protestës. Në mesin e tyre është një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.

    Syla ka deklaruar se shumica e të lënduarve kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të pasojave nga gazi lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit.

    “Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë. Shumica prej tyre janë ankuar në veprimet e gazit lotsjellës. Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Syla.

    Sipas tij, të gjithë të lënduarit janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe, pas marrjes së trajtimit mjekësor, janë liruar për në shtëpi.

    Foto: Egzon Musliu / Reporteri
    Foto: Egzon Musliu / Reporteri
    Foto: Egzon Musliu / Reporteri
    Hape si lajm
  15. Reklamë

    Reporteri

    Pamje të reja nga protesta: Policia u pa duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi mbrëmë

    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës shihen duke ushtruar dhunë ndaj një protestuesi gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë.

    Në pamjet zyrtarët policorë godasin qytetarin në një zonë të pandriçuar, ndërsa incidenti ngre pikëpyetje mbi mënyrën dhe nivelin e forcës së përdorur.

    Pamjet janë publikuar mbrëmë nga portali “Nacionale”, gjatë përplasjeve të shënuara gjatë protestës, ku Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Policia ka deklaruar mbrëmë se ka ndërhyrë ndaj protestuesve që, sipas saj, kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

    Për incidentin e paraqitur në këto pamje, deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera zyrtare nga Policia e Kosovës apo Inspektorati Policor i Kosovës.

    Hape si lajm
  16. Reklamë

    Reporteri

    Gjashtë policë u lënduan në protestë, Policia: U intervenua veç kur u shfaq dhunë

    Policia e Kosovës ka publikuar edhe një komunikatë me të dhënat e fundit nga protesta që përshkallëzoi në Prishtinë.

    Siç thuhet në njoftim, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësorë si dhe 11 protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore po ashtu.

    Siç thuhet tutje në njoftim, Policia e Kosovës ka intervenuar me gaz lotsjellës, përfshirë topin e ujit për të shpërndarë protestuesit me qëllim që të parandalohet eskalimi i mëtejmë i situatës.

    Kumtesa: 

    KOMUNIKATË PËR MEDIA- (shtesë)
    Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë dhe menaxhim të protestës
    Prishtinë, më 05 tetor 2026

    Referuar situatës dhe zhvillimeve të ndodhura në orët e mbrëmjes pranë institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, ku disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre e mjete të forta, ndaj objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, Policia e Kosovës me qëllim të vënies së situatës nën kontroll dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar disa herë të veprojë ndaj protestuesve që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur pajisjet e nevojshme policore, gazin lotsjellës përfshirë topin e ujit për shpërndarje të turmës.

    Policia e Kosovës, për shkaqe sigurie të qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik, është detyruar që në intervale të ndryshme kohore të ndalojë për qarkullim lëvizjen e automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së kryeqytetit, në zonat ku po zhvillohet protesta.

    Si pasojë e protestës dhe zhvillimeve në terren, mosrespektimit të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë shoqëruar në stacion policor tre (3) persona/protestues, ndaj të cilëve të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

    Bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj objekteve shtetërore dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë zyrtare, gjashtë (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor. Po ashtu, sipas informacioneve të deritanishme njëmbëdhjetë (11) qytetarë/protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore, të cilëve po ashtu iu është ofruar ndihma mjekësore, informacione këto të cilat mund të ndryshojnë varësisht nga zhvillimet.

    Policia e Kosovës për asnjë ditë dhe në asnjë rast nuk ka vepruar ndaj protestuesve të cilët kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike, por ka vepruar vetëm në rastet kur protestuesit kanë shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë, të cilët në vazhdimësi përmes komunikimeve me protestues dhe përmes thirrjeve publike, ka vazhduar së apeluari që të protestohet në mënyrë të qetë dhe në suaza ligjore.

    Protesta edhe në këto orë të vona është duke vazhduar e cila aktualisht është e qetë, përderisa zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siç e kemi theksuar në vazhdimësi siguria e qytetarëve, siguria e pronës publike e private si dhe mbarëvajtja e protestës së qetë vazhdojnë të jenë interes i Policisë së Kosovës.

    Hape si lajm
  17. Reklamë

    Reporteri

    Haradinaj kritikon deputetët e PDK-së: Edhe këta u dashtë me i rrotullu e me i shti brenda Kuvendit

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka kritikuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës që iu bashkuan protestuesve jashtë Kuvendit.

    Duke folur në Debat Plus, Haradinaj ka thënë se nuk i ka pëlqyer fakti që deputetët e PDK-së kanë dalë nga Kuvendi dhe më pas u janë bashkuar protestuesve.

    “Mua s’po me pëlqen se i pash që dolën deputetët e PDK-së… po të kisha qenë unë në protestë as një deputetë, as të VV-së… masi kanë vazhduar me ta do të kisha vazhduar edhe me të PDK-së dhe me deputetët që del tash ne protestë pa bë marrëveshje mes veti. Kjo s’po me pëlqen… pse me dal këta me protestu, ne po lypim prej krejt deputetëve të njëjtën përgjegjësi… edhe këta të PDK-së u dashtë me i rrotullu e me i shti brenda”, ka deklaruar Haradinaj.

    Hape si lajm
  18. Reklamë

    Reporteri

    Fitore Pacolli: Qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë pa president?

    Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka reaguar pas protestës së sotme dhe eskalimit të situatës. Ajo ka thënë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë nuk mbrohen pa president dhe se përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim.

    “E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore? Kë po dojnë me e mbrojtë kështu? Se ata në Hagë, jo që nuk po i mbrojnë, por po i keqpërdorin për fushatë. Përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim i luftës për interesa të ngushta partiake. Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

    Ajo tutje ka shkruar se mënyra më e mirë për t’i mbrojtur ish-krerët e UÇK-së në Hagë është duke i funksionalizuar institucionet e vendit “dhe të punojmë bashkë në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e drejtë dhe e pastër.”

    Hape si lajm
  19. Reklamë

    Reporteri

    OVL-UÇK: Nesër mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në shesh

    Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u ka bërë thirrje protestuesve që nesër në mëngjes të mblidhen sërish në sheshin e Prishtinës.

    Nesër është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit ose vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Rrjedhimisht edhe afati i fundit për t’u votuar në lexim të dytë plotësim/ndryshimi i Ligjit për Specialen.

    “Popull i dashur. Kategori të dala nga lufta e UÇK-së. Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës. Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, thuhet në postimin në Facebook të OVL UÇK-së.

    Hape si lajm
  20. Reklamë

    Reporteri

    12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic

    Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë të ditur se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve në protestën e sotme.

    Prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues.

    Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

    “Deri më tani në Qendrën Emergjente, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 persona, prej tyre një polic. Të gjithë kanë marë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre është stabile. Pas trajtimit të ofruar të gjithë janë lëshuar në shtëpi. Tetë prej të lënduarve janë trajtuar dhe nga ekipa e Klinikës së Oftalmologjisë për shkak të veprimit të lotsjellësit, kurse tre të tjerë plagë prerëse”, ka thënë Syla, në një përgjigje për Koha.net.

    Hape si lajm
  21. Reklamë

    Reporteri

    “Ku është komandanti juaj?” – Deputeti i PDK-së përballet me policët në shesh: E keni tepru

    Disa deputetë të PDK-së kanë dalë në shesh ku po vazhdon të jetë e eskaluar situata. 

    Njëri ndër ta edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili për një moment iu është afruar policëve në shesh dhe e ka kërkuar komandantin e tyre.

    “Ku është komandanti juaj?”, pyeti ai një polic.

    Pastaj Hoxhaj u tha atyre që e kanë tepruar sonte me përdorimin e forcës.

    “E keni tepru, dëgjo e keni tepru. Ku është komadanti. Kjo është sjellje e pajishme e keni tepru”, ka thënë ai.

    Hape si lajm
  22. Reklamë

    Reporteri

    Arrestohet nipi i Hashim Thaçit

    Atdhe Thaçi është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë protestës së zhvilluar në Prishtinë kundër mosvotimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Pas arrestimit, Thaçi është deklaruar për media, duke e cilësuar rastin si padrejtësi.

    “Jam nip i Thaçit, padrejtësi e madhe!”, ka thënë ai.

    Thaçi ka deklaruar se zyrtari policor që e ka arrestuar është shoku i tij, ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për një person që, sipas tij, është veteran i UÇK-së.

    “Shoku nuk vlen në këtë regjim. Është veteran, veterani po e arreston një person që i doli ballë”, është shprehur ai.

    Ai ka thënë se është ndaluar nga një ish-veteran i UÇK-së, pa ia bërë të ditur emrin.

    Atdhe Thaçi është djali i Gani Thaçit, vëllait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë.

    Hape si lajm
  23. Reklamë

    Reporteri

    Altin Krasniqi u bashkohet protestuesve: Kjo nuk është çështje politike

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, i është bashkuar protestuesve që po qëndrojnë pranë Kuvendit të Kosovës.

    Krasniqi ka thënë se zhvillimet e sotme nuk duhet të trajtohen si çështje partiake apo politike, por si një çështje që, sipas tij, prek të gjithë qytetarët.

    “Kjo nuk është çështje politike, nuk është çështje e një partie, është çështje e një populli. Prandaj, nuk duhet të kthehet kjo çështje dhe të luftohet sot kjo protestë në këtë mënyrë kaq brutale ndaj qytetarëve”.

    Ai ka kërkuar që çështja të adresohet në Kuvend, duke bërë thirrje që deputetët të kthehen në sallë dhe të votojnë ligjin.

    “Duhet me qenë në Kuvend, mos me kthy në çështje politike, duhet me qenë në Kuvend, me votu ligjin dhe me procedu me çështje të tjera. Protestuesit po bëjnë një protestë të qetë, prandaj mendoj që në mënyrë proporcionale me qenë edhe përgjigja e policëve”, deklaroi ai.

    Hape si lajm
  24. Reklamë

    Reporteri

    PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve

    Partia Demokratike e Kosovës, në një reagim, “dënon ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. PDK kërkon nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.

    Tutje, në reagimin e PDK-së thuhet:

    “Lufta e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës. Mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

    PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve.

    Qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, po protestojnë me një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

    PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune.

    Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore.

    Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë“.

    PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.

    “Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve“.

    Hape si lajm
  25. Reklamë

    Reporteri

    Abrashi, VV: Ligji për Specialen i ka 90 vota, presidenti nuk i ka 80

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka cilësuar të pakuptueshme kushtëzimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.

    Abrashi ka thënë se LVV-ja asnjëherë nuk e ka lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit.

    “Kurrë ne nuk e kemi lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit”, ka deklaruar Abrashi.

    Sipas tij, çështja e presidentit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga PDK-ja dhe afati për zgjedhjen e tij ka ardhur si rezultat i këtij procesi.

    “Vetë PDK e dërgoi në Kushtetuese çështjen e presidentit dhe data na erdhi si na erdhi”, ka thënë ai.

    Abrashi ka deklaruar se Ligji për Dhomat e Specializuara nuk ka qenë në rrezik dhe si dëshmi për këtë ka përmendur votimin e sotëm, ku projektligji mori 90 vota.

    “Ligji asnjëherë nuk ka qenë në rrezik, e pamë sot se ligji i mori 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota”, është shprehur Abrashi.

    Deputeti i LVV-së ka akuzuar PDK-në se po i manipulon ndjenjat e qytetarëve lidhur me këtë çështje.

    “Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në apel kërkon angazhim institucional”, ka deklaruar Abrashi.

    Hape si lajm
  26. Reklamë

    Reporteri

    Uran Ismaili thirrje Policisë: Mos bini në urdhrin politik të Kurtit, që të eskalohet situata

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet pranë Kuvendit të Kosovës.

    Në një deklaratë për Klan Kosovën, Ismaili u ka bërë thirrje pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që, sipas tij, të mos ndjekin urdhra që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës.

    “Do t’i kisha lutur të gjithëve, po më së shumti policëve të Kosovës, që të mos bien në urdhrat e Qeverisë, e cila po kërkon që ta eskalojë situatë”, deklaroi ai.

    Deputeti i PDK-së u shpreh se sipas tij, prapa zhvillimeve të fundit qëndron një urdhër politik nga kryeministri Albin Kurti.

    “T’i ruajnë qytetarët, shumica e madhe e tyre po protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos provojnë situatën. Ky po shihet që është një urdhër politik i z.Kurti që ta eskalojë situatën”, u shpreh Ismaili.

    Hape si lajm
  27. Reklamë

    Reporteri

    Gjini: Gjykata Speciale thelbi i arsyes pse Kurti është në pushtet

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i “vetmi politikan që me çdo qelizë të trurit e trupit të tij e ka dashur Gjykatën Speciale”.

    Gjini në një postim në Facebook, ka thënë se mosvotimi i Speciales nga deputetët e Vetëvendosjes në vitin 2015 ka qenë “oportunizëm i pasur e jo biundje e ndonjë natyre”. Ai ka thënë se Specialja është thelbi i arsyes pse Kurti është në pushtet.

    Gjini ka thënë se Kurti e ka programuar këtë kaos. Ai ka thënë se Kurti nga qershori e ka luajtur lojën e fajësimit.

    “Në fakt, Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet. Që prej qershorit, Aleanca iu ka paralajmëruar se Kurti do prapë zgjedhje. I ka mbyllur vet të gjitha opsionet për të dalur nga bllokada politike. Nuk e ka marrë parasysh ofertën e Aleancës, e ka poshtëruar me plot qëllim Lidhjen Demokratike dhe së fundi luajti me Partinë Demokratike. Përndryshe nuk do kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët. Përndryshe nuk do t’i fuste 22 projektligje në procedurë të përshpejtuar sot. Përndryshe nuk do ta kushtëzonte fare votimin e ligjit për Gjykatën Speciale me votimin e presidentit. Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, ëin-ëin ka pasur. Por nuk deshi. Që prej qershorit lojën e fajësimit e ka luajtur. Mund t’iu them se iu kemi paralajmëruar. E tash? Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë. Po nesër? Vetëvendosje e pyet Gjykatën Kushtetuese nëse Albulena mund t’i shpallë zgjedhjet. Ky është kaos i programuar nga Kurti i cili nuk e do krijesën që e udhëheq, e që është Republika e pavarur e lirë dhe demokratike e Kosovës. Ky nuk i do as njerëzit që e duan e që e votojnë. Ndërsa, tjerët i urren. Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve”, ka shkruar Gjini në Facebook.

    Hape si lajm
  28. Reklamë

    Reporteri

    Deputetët e Vetëvendosjes largohen nga objekti i Kuvendit

    Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalur nga objekti i Kuvendit të Kosovës, pasi Policia e Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit që kishin rrethuar objektin.

    Pasi nuk është arritur dakordim mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës për t’u mbajtur një seancë tjetër, deputetët e VV-së janë larguar nga Kuvendi ndërsa ata të PDK-së vazhdojnë të qëndrojnë.

    Nga PDK-ja kanë thënë se është kushtëzuar votimi në lexim të dytë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara me votimin e presidentit.

    Të martën është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.

    Hape si lajm
  29. Reklamë

    Reporteri

    Eskalimi i protestës, Policia del me njoftim

    Policia e Kosovës ka thënë se përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme që u ka bërë protestuesve që të respektohet ligji e të protestohet në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës për të mundësuar daljen e deputetëve nga Kuvendi i Kosovës dhe për ta vënë situatën nën kontroll.

    Policia ka thënë se janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

    “Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll. Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave. Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet. Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Kumtesa: 

    Protesta e qytetarëve e cila po mbahej sot përreth objekteve shtetërore, Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka vazhduar edhe në orët e mbrëmjes.

    Policia e Kosovës, me njësitë e saja ka vazhduar me ndërmarrjen e masave të nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike, mbarëvajtjen e protestës si dhe ruajtjen e jetës dhe pronës publike.

    Përderisa protesta vazhdonte të mbahej pranë objekteve shtetërore, një grup i caktuar i personave në protestë, në shenjë pakënaqësie për mos votimin e ligjit për Specialen, në vazhdimësi kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete piroteknike e fishekzjarre drejt objekteve shtetërore, për të pamundësuar daljen e personaliteteve/deputetëve nga Kuvendi i RKS-së, ku disa prej tyre edhe i kanë detyruar të kthehen sërish brenda në Kuvend.

    Policia e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ofrimit të sigurisë për qytetarët si dhe mbrojtjes së pronës publike, në vazhdimësi ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos dëmtojnë pronën publike, të mos pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, e të mos bien ndesh me ligjin.

    Referuar zhvillimeve dhe situatës së krijuar nga hedhjet e vazhdueshme të gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike e fishekzjarreve, moslejimit të lëvizjes së lirë, zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin masat e nevojshme dhe të domosdoshme, për parandalimin e dëmtimit të objekteve shtetërore dhe krijimit të mundësive për lëvizje e qarkullim të lirë të qytetarëve e personaliteteve shtetërore.

    Edhe përkundër kërkesave e thirrjeve të vazhdueshme nga Policia, për respektim të ligjit, për protestim në mënyrë të qetë, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin mjetet e ligjshme policore, gazin lotësjellës, për të mundësuar daljen e përsonaliteteve nga Kuvendi dhe për të vënë situatën nën kontroll.

    Si pasojë e hedhjes së gjësendeve të ndryshme, mjeteve piroteknike, fishekzjarreve, ndezjes së disa kontejnerëve të mbeturinave e zjarreve në rrugë nga protestuesit, janë shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për ndonjë lëndim serioz të personave.

    Policia e Kosovës, e rithekson se njeh të drejtë e qytetarëve për protestim dhe shprehje të pakënaqësive në mënyrë të qetë dhe demokratike dhe vazhdon të apeloj te të gjithë pjesëmarrësit të protestojnë të qetë, të mos dëmtojnë pronën publike dhe të respektojnë ligjet.

    Përderisa protesta vazhdon, zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe objekteve shtetërore si dhe mbarëvajtja e protestës vazhdojnë të jenë prioritet i Policisë së Kosovës.

    Hape si lajm
  30. Reklamë

    Reporteri

    PDK fton deputetët: Ejani të votohet Ligji sa s’është shpërbërë Kuvendi

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri në një konferencë për media me nënkryetaren e Kuvendit, Vlora Çitaku ka ftuar deputetët që të vijnë dhe të votojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen edhe në lexim të dytë në orët sa kanë mbetur para se të shpërbëhet kjo legjislaturë.

    Ai ka thënë se është obligim dhe përgjegjësi e çdo force politike të votohen ndryshimet e këtij Ligji.

    “Është obligim dhe përgjegjësi kombëtare e secilës forcë politike dhe secilit deputet të Kuvendit të Kosovës, të vijë në Kuvend në këto orë sa kanë mbetur para se të shpërbëhet Kuvendi dhe të miratohet Ligji për Specialen edhe në lexim të dytë”, ka thënë Tahiri.

    Edhe Çitaku ka thënë se po kërkojnë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Sipas Çitakut, në takim votimi i këtij Ligji është kushtëzuar me votimin e presidentit nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Ne kërkojmë që Ligji të miratohet pa asnjë kusht. Janë procese të ndara. Si mund të kushtëzosh mbrojtjen e UÇK-së. Është papërgjegjësi politike, historike e kombëtare. Kemi edhe pak orë kohë. Do të jemi këtu. Nuk lëvizim. Shpresojmë të ketë reflektim edhe nga subjektet tjera politike, përkatësisht nga Albin Kurti e Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Çitaku.

    Ka dështuar të arrihet një marrëveshje mes PDK-së dhe Vetëvendosjes për të votuar në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Deputetët të Vetëvendosjes janë parë duke dal prej objektit nga dalja nga Qeveria. Ndërsa policia ka hedhur gaz lotsjellës në atë dalje.

    Sipas PDK-së takimi ka dështuar pasi kryeministri Albin Kurti ka kushtëzuar votimin e ndryshimeve të Ligjit në lexim të dytë, me zgjedhjen e presidentit.

    Protestues janë mbledhur rreth Kuvendit duke mos lejuar deputetët të largohen.

    Hape si lajm
Reklamë
Më shumë
Reklamë

Lajmet e fundit

Reklamë