Çdo katër vjet zhvillohet ndeshja më e rëndësishme në botën e futbollit – finalja e Kupës së Botës. Gjatë pothuajse një shekulli të këtij turneu janë krijuar histori dhe ngjarje të jashtëzakonshme, të cilat kanë mbetur pjesë e trashëgimisë së futbollit.

Mediumi spanjoll Mundo Deportivo ka përzgjedhur dhjetë prej tregimeve më interesante nga finalet e Botërorëve ndër vite.

Finalja e parë e Botërorit u zhvillua me dy topa

Reklamë

Finalja e parë e Kupës së Botës, e zhvilluar në vitin 1930 mes Uruguait dhe Argjentinës, u luajt me dy topa të ndryshëm.

Të dyja kombëtaret kërkonin që të përdorej topi i tyre, pasi asnjëra nuk pranonte topin e kundërshtarit. Për të zgjidhur këtë problem, gjyqtari belg John Langenus hyri në fushë me dy topa dhe përdori hedhjen e monedhës për të vendosur se cili top do të përdorej në pjesën e parë dhe cili në të dytën.

Argjentina, me topin e saj, e mbylli pjesën e parë në epërsi 2:1. Ndërsa në pjesën e dytë, me topin e Uruguait, vendasit e kthyen rezultatin dhe triumfuan 4:2, duke u shpallur kampionët e parë të botës.

Luis Monti, lojtari i vetëm që luajti dy finale me dy kombëtare

Argjentinasi Luis Monti mban një rekord unik në historinë e Kupës së Botës. Ai është i vetmi futbollist që ka luajtur dy finale të Botërorit me dy përfaqësuese të ndryshme.

Reklamë

Monti luajti finalen e vitit 1930 me Argjentinën, ndërsa katër vite më vonë, në vitin 1934, u paraqit në finale me Italinë. Të dyja këto finale u shoqëruan edhe me kërcënime dhe presion të madh jashtë fushës.

Jules Rimet nuk e kuptoi menjëherë se Uruguai kishte fituar në vitin 1950

Presidenti i FIFA-s, Jules Rimet, ishte i bindur se Brazili do ta fitonte Kupën e Botës në vitin 1950.

Ai kishte lënë ulësen VIP dhe ishte përgatitur që t’ia dorëzonte trofeun Brazilit, por kur mbërriti në fushë, situata kishte ndryshuar plotësisht. Uruguai kishte përmbysur rezultatin dhe kishte fituar 2:1.

Reklamë

Rimetit iu desh kohë për ta kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Ai e kuptoi vetëm pasi pa lojtarët brazilianë dhe tifozët duke qarë. Më pas dikush iu afrua dhe i tregoi se Uruguai ishte shpallur kampion i botës.

Brazili fitoi Botërorin 1958 me fanella të blera në Suedi

Në vitin 1958, Brazili fitoi Kupën e Botës në Suedi, por jo me fanellat tradicionale të verdha.

Pasi edhe Suedia kishte fanella të verdha, brazilianëve iu ndalua përdorimi i të njëjtës ngjyrë në finale. Për këtë arsye, ata blenë fanella me ngjyrë të kaltër në një dyqan lokal, ndërsa më pas ua vendosën numrat dhe stemën e kombëtares.

Reklamë

Me këto fanella, Brazili triumfoi në turne dhe siguroi titullin e parë botëror.

Gjyqtari anësor i vitit 1966 u bë emër stadiumi

Tofiq Bahramov mbeti një prej emrave më të përfolur në historinë e Kupës së Botës për shkak të një vendimi kontrovers në finalen e vitit 1966 mes Anglisë dhe Gjermanisë Perëndimore.

Gjuajtja e Geoff Hurst goditi transversalen dhe topi ra në vijën e portës para se të largohej jashtë. Pamjet nuk arritën të dëshmonin nëse topi e kishte kaluar plotësisht vijën, por Bahramov e pranoi golin.

Reklamë

Anglia kaloi në epërsi 3:2 në vazhdime dhe më pas fitoi 4:2, duke u shpallur kampione bote.

Për shkak të këtij momenti, stadiumi kryesor në Baku të Azerbajxhanit mori emrin “Tofiq Bahramov”, ndërsa pranë tij u vendos edhe një statujë e gjyqtarit. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe Geoff Hurst, i cili zbuloi monumentin.

Goli më i shpejtë në finalet e Botërorit

Finalja e vitit 1974 mes Gjermanisë Perëndimore dhe Holandës nisi në mënyrë të jashtëzakonshme.

Holanda fitoi një penallti pas vetëm 53 sekondash, pasi Uli Hoeness ndërhyri ndaj Johan Cruyffit. Pas 88 sekondash lojë, Johan Neeskens realizoi për 1:0, duke shënuar golin më të shpejtë në historinë e finaleve të Kupës së Botës.

Megjithatë, ky gol nuk mjaftoi për Holandën. Gjermania Perëndimore përmbysi rezultatin dhe fitoi finalen 2:1.

Yjet që janë kampionë bote pa luajtur asnjë minutë

Në historinë e Kupës së Botës ka shumë futbollistë të mëdhenj që kanë fituar trofeun pa zhvilluar asnjë minutë në fushë.

Ata ishin pjesë e skuadrave kampione, por për shkak të lëndimeve apo problemeve shëndetësore nuk patën mundësi të luanin. Në mesin e tyre janë emra si argjentinasi Daniel Passarella, italiani Franco Baresi dhe braziliani Ronaldo Nazario.

Christoph Kramer dhe pyetja pas goditjes në kokë

Në finalen e Kupës së Botës 2014, gjermani Christoph Kramer u përplas me argjentinasin Ezequiel Garay.

Pas përplasjes, Kramer humbi kujtesën dhe vazhdoi të luante për pak kohë. Një nga momentet më të pazakonta ishte kur ai e pyeti gjyqtarin nëse ndeshja që po zhvillohej ishte finalja.

Asnjë kampion nuk ka dalë nga pozita e parë në renditjen e FIFA-s

Një tjetër statistikë interesante lidhet me renditjen e FIFA-s.

Sipas Mundo Deportivo, asnjë kombëtare nuk e ka fituar Kupën e Botës duke qenë në vendin e parë të renditjes së FIFA-s në momentin e nisjes së turneut.

Po ashtu, asnjë trajner mbi moshën 60-vjeçare nuk ka arritur ta fitojë trofeun, një statistikë që prek edhe përzgjedhësin e Spanjës, Luis de la Fuente.

Gjithashtu, asnjë skuadër që nuk ka pranuar gol në fazën e grupeve nuk është shpallur kampione e botës. Edhe kjo statistikë lidhet me Spanjën në këtë Botëror.

Trofeu nuk preket para finales

Historia e fundit në listën e Mundo Deportivos lidhet me vetë trofeun e Kupës së Botës.

Sipas kësaj tradite, trofeu nuk lejohet të preket nga askush para finales, duke ruajtur simbolikën dhe magjinë e momentit kur kampioni i ri e ngre atë pas përfundimit të ndeshjes.