×
  • Sport
  • Sport

    Askush si Ronaldo n’çerekfinale të Champions League

    Reporteri
    08 Prill 2019 | 19:07

    Liga e Kampionëve do të rikthehet në aksion këtë të marte dhe të mërkurë, me ndeshjet çerekfinale – kurse ato të kthimit do të zhvillohen një javë më pas, me 16 dhe 17 prill.


    Të martën, do të zbresin në fushë tri skuadra angleze, Manchester City do të ketë punë me Tottenhamin, kurse Liverpooli me Porton – ndërsa të mërkurën, Barcelona viziton stadiumin “Old Trafford” për t’u përballur me Manchester Unitedin, teksa Juventusi viziton skuadrën surprizë, Ajaxin, që e eliminoi kampionin e tri viteve të fundit, Real Madridin.

    Të gjitha ndeshjet në këtë fazë të Champions League janë të rëndësishme, por natyrisht, vëmendja është te Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo – dy futbollistë që kanë dhënë aq shumë për këtë sport për më shumë se një dekadë, shkruan Express.

    Ata vazhdimisht kanë thyer rekorde, por faza çerekfinale, është e gjitha për Ronaldon, portugezi është më i mirë se Messi.

    Sipas UEFA-s, CR7, i cili ende vazhdon të jetë në dyshim nëse do të paraqitet kundër Ajaxit në ndeshjen e parë, mban rekord historik në këtë fazë të Ligës së Kampionëve.

    Ai ka shënuar 23 gola në 20 ndeshje në fazën çerekfinale, më shumë se çdo lojtarë tjetër në histori.

    Ronaldo numëron këtë edicion vetëm 4 gola në Champions – por ai është gati dhe synon trofeun me veshë edhe me fanellën e Juves, pasi e fitoi 4 herë me Realin dhe një herë me Manchester Unitedin.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!