Barcelona ka ndërmarrë një projekt të veçantë në stadiumin Camp Nou, duke u ofruar tifozëve mundësinë që edhe pas vdekjes të mbeten simbolikisht pranë klubit të tyre të zemrës.

Projekti, i quajtur “Memorial FC Barcelona”, parasheh krijimin e një hapësire përkujtimore brenda stadiumit, ku familjarët do të mund të vendosin urnat me hirin e të afërmve të tyre, si dhe pllaka përkujtimore me emra dhe mesazhe personale.

Sipas planit, hapësira do të shtrihet në rreth 1.500 metra katrorë dhe do të ketë kapacitet për 26 mijë urna, ndërsa parashihen edhe 9 mijë pllaka përkujtimore.

Reklamë

Tifozët do të kenë mundësi të rezervojnë hapësira për periudha prej 10, 25 ose 50 vjetësh. Çmimet për vendosjen e urnave fillojnë nga 2.490 euro.

Projekti pritet të realizohet në dy faza. Hapja e fazës së parë është planifikuar për fundin e vitit 2027, ndërsa faza e dytë për mesin e vitit 2028.

Me këtë iniciativë, Barcelona synon të krijojë një vend ku tifozët mund të ruajnë lidhjen e tyre me klubin edhe pas vdekjes, duke e kthyer Camp Noun në një hapësirë të kujtesës dhe përkushtimit ndaj ngjyrave blaugrana.