E rrallë: Prishtina – Llapi të gjykohet nga gjyqtarët e Series A?!

Edhe pesë xhiro kanë mbetur deri në përfundim të këtij edicioni në Ipko Superligë, derisa lufta për titull të kampionit po bëhet gjithnjë e më interesante me tri skuadrat që synojnë këtë trofe, shkruan Gazetasheshi.com


Feronikeli, Prishtina dhe Llapi po e diskutojnë titullin e kampionit të edicionit 2018/19 me vetëm dy pikë diferencë.

Gjithsesi, gjërat do të qartësohen në masë të madhe në tri xhirot e fundit ku këto ekipe do të ndeshen mes vete.

Por, te Llapi po mendojnë që këto sfida është mirë të drejtohen nga gjyqtarë të huaj, teksa brenda dy ditësh klubi llapjan do të dorëzojë edhe kërkesë zyrtare të Federatën e Futbollit të Kosovës për të kërkuar që ndeshjet direkte me Prishtinën dhe Feronikelin të gjykohen nga gjqytarët e huaj.

KF Llapi do të bëjë kërkesë që këto ndeshje të gjykohen gjyqtarë nga kampionati italian i Series A.

Lajmi është konfirmuar edhe nga kryetrajneri i kësaj skuadre Tahir Batatina, i cili ka thënë se brenda dy ditësh do të bëjnë kërkesën në FFK për të kërkuar gjyqtarë italian.

“Brenda dy ditësh do ta dorëzojmë kërkesën në Federatën e Futbollit të Kosovës për të kërkuar gjyqtarë nga Serie A për ndeshjet direkte ndaj Prishtinës dhe Feronikelit. Nuk kemi kërkuar emra, këtë apo atë gjyqtarë, por vetëm të jenë nga Serie A”, deklaroi Batatina.

Një gjë e tillë do të ishte e mirëseardhur për klubin llapjan, pasi që kjo është praktikuar edhe nga Kategorinë Superiore të kampionatit shqiptar, pasi që gjyqtarë të njohur si Marco Guida kanë gjykuar ndeshje me kërkesë të klubeve.

Në xhiro 30 luan Prishtina – Llapi. Një javë më vonë takohen Llapi – Feronikeli. Kurse në xhiron e fundit ballafaqohen Feronikeli dhe Prishtina.