Dita e madhe e play-off-it të Botërorit 2026 për Kombëtaren shqiptare po afron. Më 26 mars në Varshavë, kuqezinjtë nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe stafit të tij teknik do të përballen me Poloninë, me synimin për të bërë historinë dhe për të siguruar vendin në fazën finale të turneut më të madh të futbollit në botë.
Zëvendëstrajneri i Kombëtares Shqiptare, Pablo Zabaleta, në një intervistë për FSHF ka folur për përgatitjet e ekipit, analizën e kundërshtarit dhe pritshmëritë për ndeshjen vendimtare. Ai theksoi se stafi ka ndjekur lojtarët dhe ndeshjet e mundshme të kundërshtarëve, duke përfshirë Poloninë, Ukrainën dhe Suedinë.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Kemi analizuar lojtarët tanë dhe ndeshjet e ekipeve kundërshtare. Gjithashtu, kemi pasur mundësinë të takohemi me lojtarët dhe të krijojmë një lidhje të mirë me ta, gjë që është shumë pozitive,” tha Zabaleta.
Duke folur për ndeshjen ndaj Polonisë, ai theksoi se do të jetë sfidë e vështirë, pasi polakët kanë trajner të ri dhe më shumë eksperiencë në play-off-e, por theksoi optimizmin dhe besimin e ekipit.
“Kemi besim te lojtarët tanë dhe cilësitë e tyre. Fokusi ynë kryesor tani është ndeshja me Poloninë. Shpresojmë të kalojmë në fazën tjetër dhe të vijojmë rrugën drejt Botërorit. Kjo është hera e parë që Shqipëria luan një ndeshje të tillë, dhe do të jetë një eksperiencë fantastike për të gjithë,” shtoi ai.