Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se FIFA dhe UEFA kanë konfirmuar zyrtarisht se FFK ka amendamentuar statutin e saj në përputhje të plotë për harmonizim me kërkesat e tyre dhe Ligjin për Sportin, rekomandimet dhe kërkesat e nxjerra nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporti.

Në një shkresë të përbashkët drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, FIFA dhe UEFA theksojnë se këto ndryshime janë rezultat i një procesi konsultimi gjithëpërfshirës ndërmjet FIFA-s, UEFA-s, FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke rikujtuar se përfaqësues të dy institucioneve kanë qenë të pranishëm në të gjitha Kuvendet e FFK-së ku janë miratuar ndryshimet statutore.

“Në të njëjtën kohë, FIFA dhe UEFA nënvizojnë rëndësinë e respektimit të parimeve të pavarësisë institucionale dhe zhvillimit të procesit zgjedhor të FFK-së pa asnjë ndërhyrje të padrejtë nga palë të treta, duke sqaruar se çdo vendim që lidhet me qeverisjen dhe anëtarësinë e FFK-së bie ekskluzivisht në kompetencën e organeve të saj statutare. Po ashtu, FIFA dhe UEFA konfirmojnë se përfaqësuesit e tyre do të jenë të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së më 5 shkurt 2026, për të vëzhguar zhvillimin e procesit në përputhje me Statutin e FFK-së”, thuhet në njoftim.

Reklamë