Finalja e Kampionatit Mineiro mes Cruzeiro dhe Atletico Mineiro do të mbahet mend për spektaklin në fushë, por për një skenë që përfundoi me një rekord të pazakontë, plot 23 kartonë të kuq.

Ndeshja në Belo Horizonte degjeneroi në minutat e fundit, duke hyrë menjëherë në historinë e futbollit brazilian. Rekordi i mëparshëm ishte 22 kartonë të kuq, i vendosur në vitin 1954 në një përballje mes Portuguesa dhe Botafogo.

Gjithçka nisi kur portieri i Atletico-s, Everson, doli me vrull në këmbët e mesfushorit kundërshtar Christian. Në vend që të përfundonte me një ndërhyrje normale, situata u kthye në një skenë të denjë për një film aksioni, portieri e goditi kundërshtarin dhe e rrëzoi në tokë.

Reklamë

Nga ai moment, loja u harrua. Lojtarët nga të dyja skuadrat vrapuan dhe fusha u kthye në një arenë kaotike. Shtyrje, debate dhe përplasje nga të gjitha anët e detyruan arbitrin të nxirrte kartonë të kuq njëri pas tjetrit, derisa numri arriti në shifrën e pabesueshme 23.

Situata u tensionua aq shumë sa në stadium ndërhyri edhe policia për të rikthyer qetësinë. Në vend të një feste futbolli për një finale kampionati, tifozët panë një spektakël të çuditshëm ku arbitri ishte më i zënë duke nxjerrë kartonë se sa duke ndjekur lojën.

Kështu, finalja e Kampionatit Mineiro u mbyll me një rekord historik, por jo atë që do të dëshironin organizatorët, një ndeshje që filloi si futboll dhe përfundoi me nokaut taktik.