Në Argjentinë vazhdon analiza e humbjes ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës, ndërsa një nga emrat që po përballet me kritika të shumta është Giuliano Simeone.
Sulmuesi i Atlético Madridit është vënë në shënjestër të mediave argjentinase për mënyrën se si u zhvillua aksioni që e solli golin vendimtar të Ferran Torresit në kohën shtesë.
Sipas raportimeve, Simeone humbi mbulimin e sulmuesit spanjoll pikërisht në momentin më vendimtar të ndeshjes.
Sipas të përditshmes argjentinase “La Nación”, Giuliano Simeone ndaloi ndjekjen e Ferran Torresit pasi Pedro Porro e dërgoi topin drejt Nico Williamsit.
Kjo e lejoi sulmuesin spanjoll të mbetej krejtësisht i lirë në zonë, ku më pas e shënoi golin që ia dha Spanjës titullin e kampionit të botës.
Pamjet televizive kanë nxitur debat të madh në Argjentinë, pasi në momentin e aksionit Simeone duket se ndalet për ta rregulluar çorapen, duke e humbur përqendrimin dhe markimin e kundërshtarit.
Ky detaj është konsideruar nga shumë analistë si një nga gabimet vendimtare që kushtoi trofeun.
Ironikisht, Giuliano Simeone e kishte edhe një nga rastet më të mira të Argjentinës gjatë finales, por nuk arriti ta shfrytëzonte në minutat e fundit, duke u bërë një nga figurat më të komentuara pas humbjes së “Albiceleste”.
