Gjyqtari somalez Omar Artan është rikthyer në Mogadishu pasi iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në aktivitetet përgatitore të Kupës së Botës.

Artan ishte përfshirë në listën përfundimtare të FIFA-s dhe pritej të bëhej gjyqtari i parë nga Somalia që do të arbitronte në një Kampionat Botëror.

Sipas autoriteteve amerikane, hyrja e tij u refuzua për shkak të një kontrolli sigurie.

Reklamë

Administrata e Presidentit Trump ka konfirmuar zyrtarisht se arbitrit Omar Abdulkadir Artan iu mohua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye sigurie.

Sipas tyre, zyrtarët e doganës dhe mbrojtjes kufitare zbuluan informacione që e lidhnin arbitrin me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste.

“Pas një kontrolli më të hollësishëm nga CBP (Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së), u zbuluan informacione komprometuese, duke përfshirë lidhjet me anëtarë të dyshuar të organizatave terroriste, çka e bën udhëtarin të papërshtatshëm për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara sipas Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë (INA).

Pas këtij vendimi, FIFA e largoi atë nga lista e gjyqtarëve të turneut.

Në kthimin e tij në Mogadishu, Artani u prit si hero nga qytetarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe zyrtarë të futbollit somalez.

Reklamë

Gjatë një fjalimi në aeroport, ai deklaroi se synon të arbitrojë në Kupën e Botës së ardhshme.

Reklamë

“Ju premtoj, me vullnetin e Zotit, se do të jem në kampionatin e ardhshëm. Varet nga të gjithë ne të mbrojmë emrin e Somalisë. Somalia na përket neve, pavarësisht nëse është në gjendje të keqe apo të mirë. Ai flamur na përket neve dhe ajo pasaportë na përket neve”, tha ai.