×
  • Sport
  • Sport

    Leicesteri ia shkakton humbjen e tretë me radhë Arsenalit dhe ia shuan shpresat për Champions

    Reporteri
    28 Prill 2019 | 15:09

    Leicester City e ka mposhtur 3:0 Arsenalin, i cili luajti me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të ndeshjes, duke ia shkaktuar humbjen e tretë radhazi në Premierligë dhe njëkohësisht duke ia humbur pothuajse çdo shpresë për top katërshe.


    Youri Tielemans në fillim të pjesës së dytë dhe Jemie Vardy në fund të takimit shënuan golat e fitores së Leicesterit, pasi Arsenali kishte mbetur me një futbollist më pak në fushë për shkak të përjashtimit të Ainsley Maitland-Niles me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 36-të.

    Arsenali po vinte nga dy humbje radhazi ndaj Crystal Palace dhe Wolves dhe humbja e sotme ndaj Leicester dy javë para përfundimit të kampionatit e lë skuadër e Unai Emery pothuajse me asnjë gjasë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm përmes top katërshes në Premierligë.

    Shkodran Mustafi u rikthye në formacionin startues të “Topçinjve”, por paraqitja e tij përsëri la për të dëshiruar. Edhe shqiptari tjetër, Granit Xhaka, ishte titullar në këtë takim.

    Sikur të mos ishte për paraqitjen e Lenos dhe pritjet e tij të shumta, Arsenali do të rikthehej nga Leicesteri me një humbje shumë të thellë.

    Dy javë para përfundimit të Premierligës, Arsenali renditet në vendin e pestë me 66 pikë, një më pak se Chelsea në vendin e katërt dhe dy më shumë se Manchester Unitedi në vendin e gjashtë.

    Por, këtu dy të fundit kanë nga një ndeshje në dispozicion për ta zhvilluar dhe një fitore Unitedit do të nënkuptonte se Arsenali bie në pozitën e gjashtë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!