×
  • Sport
  • Sport

    Llapi ia lëshoi ndeshjen Feronikelit, kjo është arsyeja

    Reporteri
    15 Maj 2019 | 21:06

    Sot në Superligën e Kosovës në futboll u zhvillua java e 32-të, java e parafundit e sezonit 2018/19, transmeton Gazeta Metro.


    Dy kandidatët për titull, Feronikeli dhe Prishtina arritën fitore, duke lënë kështu gjithçka të hapur për sa i përket titullit të kampionit. ‘Nikli’ shënoi fitore në derbin ndaj Llapit, kurse Prishtina mposhti Trepçën ’89.

    Por, për derbin Llapi – Feronikeli, ka shumë nga ata që kanë hedhur dyshime se kjo ndeshje ishte e kurdisur. Llapianët po akuzohen se ia kanë lëshuar ndeshjen me qëllim Feronikelit, vetëm që mos t’i ndihmojë Prishtinës që të shpallen kampion.

    Fillimisht ishin tifozët e klubit të Llapit që në njoftim e faqes zyrtare të Llapit në rrjetin social “Facebook” për ndeshjen e radhës, kanë komentuar duke kërkuar që kjo ndeshje t’i lëshohet skuadrës së ‘Niklit’, në mënyrë që Prishtina të mos shpallet kampion.

    Më pas, ishte kompania e basteve “365” që e kishte hequr nga lista këtë ndeshje, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se kjo ndeshje ishte e kurdisur.

    Sot, gjatë ndeshjes mes Llapit dhe Feronikelit të zhvilluar në “Zahir Pajaziti, kishte shumë nga tifozët vendas që e braktisën ndeshjen para kohe, madje ata hodhën edhe akuza në drejtim të trajnerit të Llapit, Tahir Batatina, duke e akuzuar se qëllimisht e ka lëshuar këtë ndeshje.

    Por, para fillimit të kësaj ndeshje, Tahir Batatina kishte deklaruar se në fushë do të hyjë me formacionin më të mirë dhe se do të e kërkonin fitoren deri në fund.

    Ndryshe, fati i titullit të kampionit do të vendoset në javën e ardhshme dhe të fundit, ku në Drenas, Feronikeli e pret Prishtinën.

    Momentalisht, Feronikeli është lider me 77 pikë, kurse Prishtina ndodhet në vendin e dytë me 75 pikë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!