Mediat irlandeze i kanë kushtuar vëmendje të veçantë Kosovës para përballjes së parë mes dy kombëtareve në nivel senior, me fokus te rritja e ekipit kosovar dhe sfida që e pret Irlandën në Prishtinë.

Gazeta The Irish Times e përshkruan Kosovën si një skuadër që “po vazhdon ngritjen”, duke kujtuar se në mars ajo eliminoi Sllovakinë në Bratislavë, ndërsa trajneri Franco Foda e ka afruar ekipin me kualifikimin në Botëror.

Gazeta veçon edhe lojtarët Albian Hajdari, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu si pjesë të rëndësishme të ekipit.

Reklamë

Në konferencën për media në Prishtinë, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, foli gjatë për kundërshtarin e radhës, duke iu referuar edhe ngritjes së Kosovës në renditjen e FIFA-s, ku aktualisht ndodhet në vendin e 78-të.

“Duhet të jem i fokusuar te ndeshja”, tha Hallgrímsson, pasi pranoi se temat rreth ndeshjes së ardhshme me Izraelin kishin marrë shumë vëmendje dhe po e largonin fokusin nga përballja me Kosovën.

Edhe RTÉ ka publikuar një material të veçantë për ndeshjen, ndërsa një tjetër shkrim i transmetuesit irlandez e ka trajtuar përballjen si një kapitull të ri në historinë e futbollit të Irlandës.

Për The Irish Times, kjo nuk është vetëm një ndeshje e re në kalendar.

Përballja në “Fadil Vokrri” është takimi i parë ndonjëherë mes Kosovës dhe Irlandës në nivelin senior, ndërsa pas saj Irlanda do të ketë luajtur kundër 53 prej 54 federatave të UEFA-s.

Reklamë