Spanja është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, pasi mposhti Belgjikën me rezultat 2:1 në çerekfinalen e zhvilluar të premten mbrëma në Los Angeles.

Heroi i iberikëve ishte sërish Mikel Merino, i cili u inkuadrua në pjesën e fundit të ndeshjes dhe realizoi golin e fitores vetëm dy minuta pasi hyri në fushë.

Spanja kaloi në epërsi në minutën e 30-të me golin e Fabian Ruiz, por Belgjika barazoi 11 minuta më vonë përmes Charles De Ketelaere, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej 1:1.

Reklamë

Në vazhdim, spanjollët dominuan lojën dhe krijuan më shumë raste, ndërsa shpërblimi erdhi në minutën e 88-të. Merino përfitoi nga një gabim i portierit rezervë Senne Lammens, i cili nuk arriti të kontrollonte goditjen e fuqishme të Pau Cubarsit, duke i dhënë Spanjës golin e fitores.

Lammens kishte hyrë në lojë pas lëndimit të portierit titullar Thibaut Courtois, i cili u largua nga fusha i dëmtuar.

Ky ishte goli i dytë i Merinos në këtë Botëror dhe, njësoj si në fazën e 1/8 së finales ndaj Portugalisë, rezultoi vendimtar për kualifikimin e Spanjës. Edhe në atë sfidë, mesfushori i Arsenalit kishte hyrë si zëvendësues dhe kishte shënuar golin e fitores.

Në minutat e fundit, Belgjika ushtroi presion të madh në kërkim të barazimit, por nuk arriti të konkretizojë rastet e krijuara.

Në gjysmëfinale, më 14 korrik, Spanja do të përballet me Francën për një vend në finalen e Kupës së Botës.

Reklamë