Është zbuluar formacioni më i mirë i futbollit të meshkujve në botë për vitin 2026, i përzgjedhur nga vetë futbollistët profesionistë përmes çmimit prestigjioz “FIFPRO World 11”.
Mbi 26 mijë futbollistë profesionistë nga 75 shtete të ndryshme morën pjesë në votim, duke përzgjedhur lojtarët që i vlerësuan si më të mirët në pozitat e tyre.
Në mesin e emrave të përzgjedhur spikat Lionel Messi, i cili rikthehet në këtë formacion për herë të parë që nga viti 2023, duke e çuar në 18 numrin e paraqitjeve të tij në 11-shen më të mirë të botës. Argjentinasi vazhdon të mbajë rekordin për më së shumti përzgjedhje në historinë e këtij çmimi.
Një tjetër emër që tërheq vëmendjen është Lamine Yamal. Ylli i Barcelonës, i cili ishte pjesë e formacionit edhe vitin e kaluar, bëhet futbollisti i parë që arrin të përzgjidhet dy herë në “FIFPRO World 11” pa i mbushur ende 20 vjet.
Spanja ka gjithsej katër përfaqësues në këtë formacion: David Raya, Pau Cubarsi, Rodri dhe Lamine Yamal. Me këto përzgjedhje, futbollistët spanjollë kanë arritur në 53 paraqitje në historinë e 11-shes më të mirë të botës.
Formacioni përbëhet nga emra të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror, si Kylian Mbappe, Erling Haaland, Jude Bellingham, Achraf Hakimi, Nuno Mendes dhe Vitinha.
11-shja më e mirë në botë për vitin 2026:
Portier: David Raya (Arsenal, Spanjë).
Mbrojtës: Pau Cubarsi (Barcelona, Spanjë), Achraf Hakimi (Paris Saint-Germain, Marok), Nuno Mendes (Paris Saint-Germain, Portugali).
Mesfushorë: Jude Bellingham (Real Madrid, Angli), Rodri (Manchester City/Barcelona, Spanjë), Vitinha (Paris Saint-Germain, Portugali).
Sulmues: Erling Haaland (Manchester City, Norvegji), Kylian Mbappe (Real Madrid, Francë), Lionel Messi (Inter Miami, Argjentinë), Lamine Yamal (Barcelona, Spanjë).
“FIFPRO” organizon këtë votim që nga viti 2005 dhe është çmimi i vetëm global në futboll që vendoset ekskluzivisht nga futbollistët profesionistë.
Përzgjedhja është bazuar në paraqitjet e lojtarëve nga 4 gushti 2025 deri më 19 korrik 2026. Për të qenë të kualifikueshëm, futbollistët duhej të kishin zhvilluar së paku 30 ndeshje zyrtare gjatë kësaj periudhe.
Secili votues kishte të drejtë të përzgjidhte tre futbollistët më të mirë në secilën pozitë: portier, mbrojtës, mesfushor dhe sulmues.
Në formacion u përfshinë portieri me më së shumti vota, tre mbrojtësit, tre mesfushorët dhe tre sulmuesit më të votuar në pozitat përkatëse. Ndërsa vendi i fundit iu takoi futbollistit tjetër me më së shumti vota në mesin e lojtarëve të fushës.
