×
  • Sport
  • Sport

    Muller e pranon se gjyqtari gaboi në ndeshjen ndaj Werderit të Rashicës, kërkon falje

    Reporteri
    27 Prill 2019 | 11:03

    Sulmuesi i Bayernit, Thomas Müller, u përfshi në debatin e ashpër që shpërtheu pas ndeshjes Werder-Bayern në kupë, duke deklaruar se penalltia e dhënë në favor të Bayernit në minutën e 80-të ishte vendim i drejtë dhe se Coman nuk është lojtar simulues, por kundërshtari e shtyri dhe e rrëzoi.


    Megjithatë, pas protestave pa fund nga Werder, edhe federata gjermane ka dalë me një qëndrim zyrtar, duke deklaruar se gjyqtari, Daniel Siebert, kishte gabuar për faktin se nuk zbatoi si duhej procedurën në raste të tilla, duke mos u konsultuar fare me teknologjinë VAR për të qenë më i sigurt në vendimin e tij.

    Qëndrimi i federatës gjermane ka qenë një shuplakë edhe për Thomas Müller, i cili para pak ditësh në ndeshjen kundër Fortuna Dusseldorf u shpreh: “Penalltia e dyshimtë për Dusseldorf? Si sulmues, nuk do e doja një penallti të tillë. Nëse do më jepej, do e refuzoja”.

    Pikërisht për këtë arsye sulmuesi gjerman ka vendosur të bëjë autokritikë, sepse ashtu si Dusseldorf, edhe Bayern përfitoi nga një penallti e fituar në mënyrë të dyshimtë dhe u kualifikua në finale të Kupës së Gjermanisë.

    “Në atë moment, në atë ndeshje, mendova se ishte penallti, pashë një të shtyrë të qartë nga pas. Ishte një faull, por jo një faull i mjaftueshëm për penallti. Natyrisht, deklarata ime pas ndeshjes me Dusseldorfin është si një bumerang për mua dhe mu kthye mbrapsht. Kërkoj falje nëse kam gabuar, si në këtë rast, janë deklarata që bëhen nga emocionet e momentit, pa asnjë qëllim të keq. Nuk dua të dukem si arrogant, nuk dua të bëj moralistin”, deklaroi Muller.

    Në këtë ndeshje shkëlqeu sulmuesi shqiptar, Milot Rashica, që asistoi fillimisht dhe më pas edhe shënoi për ta barazuar rezultatin në 2-2, para se mysafirët të marrin penalltinë që tani raportohet se nuk ishte, për t’u kualifikuar në finale të Kupës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!