Në fundjavën që lamë pas, kampionati spanjoll u përkul para “Piratit” shqiptar. Në një mbrëmje që pritej t’u përkiste yjeve të Real Madridit, ishte Muriqi ai që mori skenën dhe shkroi historinë.
Në minutën e 90-të, kur presioni arrin kulmin, sulmuesi shqiptar dërgoi topin në rrjetë, duke i shkaktuar “Galaktikëve” një humbje të rëndë.
Megjithatë, ky nuk ishte thjesht një gol që solli tre pikë. Për Muriqin, ai përfaqësonte një çlirim të madh emocional.
Vetëm disa ditë pas zhgënjimit ndaj Turqisë, ku ëndrra e Kosovës për finalen e Botërorit u shua në mënyrë dramatike, ai tregoi forcën e karakterit që e dallon.
Me 19 gola të realizuar këtë sezon, Muriqi renditet i dyti në listën e golashënuesve të La Ligës, menjëherë pas Kylian Mbappé, duke u konfirmuar si një nga figurat më të spikatura të kampionatit spanjoll.
Në një intervistë për DigitAlb menjëherë pas ndeshjes, protagonisti i mbrëmjes shprehu emocionet e tij.
Edhe pse i lodhur nga udhëtimet dhe i ngarkuar emocionalisht pas zhvillimeve me përfaqësuesen, ai nuk e fshehu gëzimin, por as modestinë.
Për të, goli kishte një dedikim të qartë: “Çdo shqiptar që ndjeu dhimbjen e eliminimit të dy kombëtareve tona”, u shpreh Vedat Muriqi, futbollist i Mallorca-s.
I pyetur për dedikimin e golit, ai shtoi:
“Për Kosovën, për shtetin tim. Për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës që na përkrahën. Më vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por shpresoj ndonjë herë tjetër”.
Sulmuesi foli edhe për presionin mediatik dhe debatet pas humbjes ndaj Turqisë, duke kërkuar që kjo çështje të mbyllet:
“Vij nga udhëtimi, isha pak i lodhur. Kisha javë shumë emocionale. Pata telashe pas finales me Turqinë siç e keni parë në media, nuk dua të flas më shumë, dua ta mbyll këtë temë. Më duket se kisha pas nevojë për këtë gol, morëm tre pikë dhe jam shumë i lumtur”.
Statistikat e konfirmojnë formën e tij të shkëlqyer. Me golin ndaj Real Madridit, Muriqi arrin në kuotën e 19 golave, duke mbajtur vendin e dytë në listën e golashënuesve në La Liga, pas Mbappé që kryeson me 24 realizime.
Një reagim prej kampioni, i treguar në fushën e lojës.