Boksieri shqiptar, Nelson Hysa, ka bërë një deklaratë të fortë para përballjes me gjermanin Agit Kabayel, e cila zhvillohet të shtunën mbrëma në “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf të Gjermanisë, duke pretenduar se në karrierën e tij ka pasur kundërshtarë dukshëm më të mirë se ai.
Nelson Hysa nuk ka zgjedhur të kursehet në deklaratat e tij para meçit të shumëpritur ndaj Agit Kabayelit.
Boksieri shqiptar ka përmendur tre emra të njohur me të cilët është përballur gjatë karrierës së tij – Roberto Cammarelle, Kubrat Pulev dhe David Price, duke këmbëngulur se të gjithë janë boksierë më të mirë se kundërshtari i tij i radhës.
Madje, Hysa nuk e ka paraqitur këtë si një mendim personal, por si një fakt të padiskutueshëm.
“Kam luftuar me boksierë më të mirë se Kabayel. Cammarelle, Pulev dhe David Price. Të gjithë ata janë më të mirë se Kabayel. Nuk është thjesht diçka që e mendoj, është 100 për qind fakt”, ka deklaruar Hysa.
Kjo deklaratë i shton edhe më shumë interesimin për përballjen e së shtunës mbrëma, ku boksieri shqiptar do të ketë përballë një kundërshtar që synon ta mposhtë dhe të dëshmojë vlerat e tij në ring në ‘luftën’, pasi gjermani do të tentojë të mbrojë për herë të parë titullin e peshave të rënda të WBC
Tashmë, përgjigjja për pretendimet e Hysës pritet të jepet në ring, aty ku fjalët duhet të dëshmohen me grushte.