Një tjetër yll nga Bundesliga jep indikacione se do t’i bashkohet Kosovës

Mesfushori i Wolfsburgut Elvis Rexhbeçaj i ka nxitur spekulimet se mund t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës, me një postim në rrjetet sociale për vendlindjen e tij.


21-vjeçari, i cili në fillim të këtij muaji ia përkushtoi të ardhmen e vet klubit gjerman duke nënshkruar kontratë deri në vitin 2023 pas një sezoni mbresëlënës në Bundesligë, ka mbetur të zgjedhë mes atdheut, Kosovës, dhe vendit ku jeton, Gjermanisë.

Rexhbeçaj pati një rritje të madhe në sezonin 2018/19 me Wolfsburgun, për të cilin i shënoi dy gola dhe dha katër asiste në 27 paraqitje në të gjitha garat, me Kosovën që shpreson se prizrenasi do t’i zgjedhë ngjyrat verdhekaltër.

Ai duket se është rrugës për në Kosovën tani që sezoni ka mbaruar.

“Së shpejti në (Kosovë)”, ka shkruar Rexhbeçaj në një postim në Instagram pranë të cilit e ka vendosur flamurin e Kosovës.

Megjithatë, në Kosovë druhen se mesfushori mund ta zgjedhë Gjermaninë para atdheut, veçanërisht duke marrë parasysh deklaratat e tij në të kaluarën.

“Do të ishte ëndërr që të luaja për Gjermaninë. Megjithatë, së pari duhet të kemi vazhdimësi, të tjerat do të vijnë vetë”, kishte thënë kohë më parë Rexhbeçaj.

Rexhbeçaj nuk e ka përfaqësuar Gjermaninë apo ndonjë Kombëtare tjetër në grupmosha, që lë të hapur mundësinë reale që ai përfundimisht ta zgjedhë Kosovën, sidomos nëse nuk i vjen ndonjë ftesë nga Gjermania as pasi t’i ketë mbushur 22 vjet.