Kristian Prenga beson se do t’ua prishë planet Anthony Joshuas për një përballje të shumëpritur me Tyson Furyn, kur të ndeshen më 25 korrik në Xheda të Arabisë Saudite.
Gjatë muajve të fundit, negociatat për duelin mes dy rivalëve britanikë janë zhvilluar publikisht. Nëse Joshua mposht Prengën dhe Fury fiton ndaj Mariusz Wach në Tajlandë më 24 korrik, atëherë të dy pritet të përballen më në fund para përfundimit të vitit 2026.
Joshua (29 fitore, 4 humbje, 26 me nokaut) e ka përjetuar më parë një befasi të madhe në ring.
Në qershor të vitit 2019, Andy Ruiz ndryshoi rrjedhën e historisë së peshave të rënda, kur u ngrit nga dyshemeja pas një rrëzimi dhe e nokautoi Joshuan në raundin e shtatë, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Madison Square Garden të Nju Jorkut.
Joshua është tepër profesionist për ta nënvlerësuar Prengën, 35 vjeç, por tani që dueli me Fury-n është më afër se kurrë, ish-kampioni i dyfishtë i botës pranoi se e ka të pamundur të mos mendojë edhe për atë sfidë.
Prenga (20 fitore, 1 humbje, 20 me nokaut) e ka të gjithë fokusin vetëm te ndeshja e 25 korrikut. Boksieri shqiptar beson se fakti që shumë njerëz e shohin thjesht si një kundërshtar kalimtar në rrugën drejt duelit Joshua–Fury, mund të jetë një avantazh për të.
“Nuk mund të them se jam ndier i fyer, përkundrazi jam i lumtur, sepse më kanë nënvlerësuar,” tha ai në një intervistë për DAZN.
“Nuk mendoj se është ide e mirë që ai të bëjë plane për të luftuar me Tyson Furyn. Mua më pëlqen që planet për mua t’i bëjë vetëm Zoti. Nuk dua t’i bëj vetë planet e mia, sepse nëse e bëj këtë, është sikur po e vendos veten mbi Zotin, dhe këtë nuk mund ta bëj. Zoti është i pari. Ai është i vetmi që bën planet. Unë besoj se do t’ia prish planin që Joshua ka bërë për mua.”
Pavarësisht bilancit mbresëlënës, Prenga nuk është përballur kurrë me një kundërshtar të nivelit të Anthony Joshuas, i cili, edhe pse 36 vjeç, vazhdon të jetë një nga boksierët më të njohur dhe më të rëndësishëm në botë.
Megjithatë, Prenga ka arsye të besojë te shanset e tij, duke parë formën e fundit të Joshuas.
Përveç fitoreve rutinë me nokaut ndaj ish-kampionit të UFC-së Francis Ngannou dhe Jake Paul, fitorja e tij e fundit me peshë ishte në dhjetor të vitit 2023, kur e dominoi Otto Wallin deri sa këndi i këtij të fundit e ndërpreu ndeshjen në raundin e pestë.
Që nga shtatori i vitit 2024, kur kampioni aktual i WBO-së Daniel Dubois e nokautoi në raundin e pestë, Joshua nuk është përballur më me një peshë të rëndë të mirëfilltë.
Pikërisht ky kombinim mes famës së tij të madhe dhe cenueshmërisë që ka shfaqur në ring e bën Joshua-n një objektiv shumë tërheqës për një boksier si Prenga.
“Nuk mendoj se ai është peshë-rënda më i mirë në botë, por është një boksier shumë i mirë. Megjithatë, besoj se ka shumë dobësi,” tha Prenga, i cili, edhe pse anglishtja nuk është gjuha e tij e parë, e bëri të qartë se pret ta fitojë ndeshjen para se të përfundojnë të gjitha raundet.
“Nuk do të shkojë as 10 dhe as 12 raunde”, tha Prenga.
/Reporteri.net/