Pasi bleu superveturë, trajneri i Baselit e shpërblen Zhegrovën me diçka tjetër

Edon Zhegrova do ta regjistrojë sot vetëm paraqitjen e dytë si titullar për Baselin në Superligën e Zvicrës, që prej transferimit të tij nga Genku në fillim të muajit shkurt.


Anësori i talentuar i ekipit kombëtar të Kosovës, Zhegrova është ftuar titullar në formacionin e Baselit për takimin me Gallen, të vlefshëm për javën e 31-të të ligës elitare zvicerane që nis në orën 16:00.

Kjo është vetëm hera e dytë që 20-vjeçari fiton vendin e titullar në skuadrën e Baselit dhe vjen në një kohë kur Baseli nuk ka për çfarë të luajë, sepse Young Boys tashmë janë shpallur kampion të Zvicrës dhe skuadra e Marcel Koller e ka siguruar vendin e dytë në ligë dhe rrjedhimisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Përveç, Zhegrovës, titullar është edhe Taulant Xhaka, mesfushori kosovar i Shqipërisë, ndërsa sulmuesi i Zvicrës Albian Ajeti është në stol.

Zhegrova është ftuar vetëm 10 herë nga trajneri Koller, dy herë si titullar dhe vetëm tri herë është futur në lojë nga stoli.

Në pesë ndeshjet e tjera të ftuara, kosovari nuk është aktivizuar fare. Në dy ndeshje të tjera, ai nuk është ftuar në skuadër fare.

Ndeshjet e mbetura të Baselit janë vendimtare për të ardhmen e Zhegrovës, i cili nëse nuk bind do të rikthehet te Genku, aty ku nuk ka qenë i dëshiruar, sepse është i huazuar vetëm deri në përfundimit të sezonit. Baseli e ka mundësinë në kontratë për ta blerë kosovarin për 1.5 milionë euro.