Përfaqësuesja e Spanjës është kthyer në Madrid pas triumfit në Kupën e Botës 2026, të cilën e fitoi të dielën në New Jersey.
Skuadra e drejtuar nga Luis de la Fuente mposhti Argjentinën me rezultat 1:0, falë golit të Ferran Torresit në kohën shtesë, duke siguruar trofeun e dytë të Botërorit në historinë e futbollit spanjoll.
Me këtë sukses, Spanja shtoi edhe një yll të dytë në stemën e saj, pas triumfit të parë në vitin 2010.
Pas mbërritjes në kryeqytetin spanjoll, kampionët e botës u pritën nga Mbreti Felipe VI, Mbretëresha Letizia, Princesha Leonor dhe Infanta Sofia.
Pas fotografive me lojtarët dhe stafin teknik, Mbreti Felipe VI mbajti një fjalim për ekipin, duke e përgëzuar për rrugëtimin dhe suksesin historik.
“Urime. Ka qenë një odise. Rruga ka qenë e gjatë. Me 48 ekipe. Një triumf epik. Keni vuajtur. Jeni kthyer të lodhur. Jeni përballur me disa kritika. Por çfarë është e gjitha kjo në krahasim me gëzimin e sjelljes së kupës në shtëpi”, u shpreh Mbreti.
Ai vlerësoi unitetin dhe karakterin e skuadrës, duke thënë se lojtarët do të mbahen mend përgjithmonë në historinë e futbollit spanjoll.
“Ju keni qenë të bashkuar, një ekip, mbështetës dhe bujar. Keni fituar me trimëri. Do t’i mbani këto dy yje me vete përgjithmonë, por të gjithë jeni një ekip yjor dhe legjendar për të gjithë historinë e futbollit spanjoll”, deklaroi Felipe VI.
Delegacioni spanjoll që mori pjesë në Botërorin e zhvilluar në SHBA, Meksikë dhe Kanada, u udhëhoq gjithashtu nga kryeministri Pedro Sánchez.