×
  • Sport
  • Sport

    Studentet e UP-së, të arta në garën “Euro Milano 2019”

    Reporteri
    04 Maj 2019 | 16:34

    Skuadra e vajzave volejbolliste të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” shkëlqeu në garën “Euro Milano 2019” në Itali, me ç’rast rrëmbeu vendin e parë.


    Volejbollistet e ardhshme dolën të parat në këtë garë dhe fituan shtatë ndeshjet e luajtura, duke lënë prapa 27 vende pjesëmarrëse.

    Kaltrina Fejza, njëra nga studentet fituese, tha se është kënaqësi e dyfishtë kur edhe studion në UP edhe e përfaqëson këtë universitet.

    “Të jesh student i Universitetit të Prishtinës, por edhe ta përfaqësosh atë në gara ndërkombëtare është krenari dhe kënaqësi e dyfishtë”, rrëfeu Kaltrina.E për këtë sukses të studenteve të UP-së u shpreh i lumtur edhe dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportiv, prof. asoc. dr. Musa Selimi, i cili tha se këto vajza kanë përfaqësuar denjësisht universitetin.

    “Jam i lumtur për suksesin që kanë arritur vajzat tona në këtë garë ndërkombëtare. Me këtë sukses dhe paraqitjet tjera që kemi pasur në të tilla kompeticione, kemi dëshmuar se si universitet kemi vlera të nivelit të lartë”, ka thënë Selimi.

    Ndërkaq, i pari i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Marjan Dema, uroi studentet për suksesin e arritur, për të cilin u shpreh shumë krenar.

    “Është kënaqësi kur studentët tanë konkurrojnë me studentët e universiteteve tjera në dije, por edhe në sporte, gara në të cilat studentët tanë kanë rezultuar çdoherë të suksesshëm”, tha Dema.

    Në finalen e kësaj gare, Universiteti i Prishtinës arriti të fitojë nga Universiteti i Gentit, Belgjikë, duke e lënë këtë universitet në vendin e dytë me rezultat 2:0.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!