Prestigjiozja “The Guardian” ia ka kushtuar një artikull të veçantë Kapitenit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqit, i cili luan edhe për klubin spanjoll “Mallorca”.
Artikulli mban titullin “Pirati i Mallorcas e lë mënjanë dhimbjen e Kosovës në play-off për të tronditur Real Madridin”.
Teksa përmendet dështimi i Kosovës për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës, në detaje përshkruhet goli që Muriqi shënoi kundër Real Madridit në minutat e fundit të ndeshjes, që ia dha fitoren ekipit të tij dhe shpërthimin e tij në lotë, shkruan Reporteri.net.
Aty citohet edhe deklarata e Muriqit, për ëndrrën e shuar të Kosovës për në Botëror, njëherit edhe ëndrra e jetës për vetë atë.
Dy javët e fundit nuk ishin fare të lehta për të.
“Kam ardhur nga gabimi i një penalltie në minutën e 92-të, pastaj humbja e një finale me vendin tim, mohuar mundësia për të shkuar në Kupën e Botës, ëndrra e jetës sime. Jemi 1-0 përpara, ata shënojnë në të 89-tën dhe papritmas, një gol, një gol i madh, dhe është 2-1…Nga jashtë mund të dukem i ashpër dhe i fortë, por edhe unë jam njeri.”
“Ka argumente që ai është futbollisti më i rëndësishëm i La Ligas, madje edhe lojtari i vitit, jo vetëm një hero në ishull, por një hero i plotë”, shkruan “The Guardian”.
Një pjesë i kushtohet edhe lidhjes së tij të hershme me futbollin.
“…babai i tij vdiq nga një sulm në zemër duke luajtur futboll me shokët. Lidhja me futbollin mund të kishte qenë shumë e dhimbshme për të luajtur, por ai e bëri, pjesërisht për të ndjekur gjurmët e babait të tij, edhe pse i thanë se nuk kishte të ardhme në këtë lojë”./Reporteri.net